Mirësjellja ndaj prindërve

April 3, 2015

Vëllezër të nderuar!

Është e vërtetë se festa e nënës ka kaluar, por të drejtat e saj dhe të  babait ndaj nesh, janë sa të jemi gjallë, prandaj ky është një përkujtim për veten time dhe për ju vëllezër për hir të Allahut! Madje  – sipas fesë islame –  të flasësh për të drejtat e prindërve vetëm në kohën kur njerëzit kanë shpikur festat e tyre për ta, me të vërtetë që është mangësi e madhe dhe padrejtësi e madhe ndaj tyre. Ne duhet të flasim për të drejtat e prindërve, kohë pas kohe, dhe të përkujtojmë vetet tona me të, sepse kjo është prej fesë sonë madhështore. Sepse prindërit janë porosia e Allahut ndaj nesh.

Vëllezër të nderuar! Ne nuk dyshojmë aspak se feja jonë është gjithëpërfshirëse dhe e mjaftueshme dhe ai që e kërkon udhëzimin në diçka tjetër veç saj, veçse ka devijuar. Dhe nuk dyshojmë gjithashtu aspak, se e gjithë feja jonë është mirësi. Dhe prej mirësive të saj është se i ka dhënë çdo kujt të drejtën e vet, hakun që ka. Dhe nga ata që kanë të drejta mbi njeriun, të drejta të cilave ai nuk mundet kurrsesi tua japë hakun plotësisht, janë prindërit. Prindërit kanë aq shumë të drejta mbi fëmijët e tyre, saqë ata nuk mund tua plotësojnë dot deri në fund këto të drejta.

Sa i takon të drejtës së prindit, ka thënë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – siç ka ardhur tek i “Sakti i Muslimit”: “Asnjë fëmijë nuk mund ta plotësojë të drejtën e prindit ndaj tij, veçse nëse e gjen atë rob dhe e blen atë, pastaj e liron”. 

Dhe nëna ka të drejta të mëdha ndaj fëmijëve. Përcillet një histori e saktë për të. “Një burrë pasi e kishte mbajtur në shpinë nënën e vet, duke bërë me të shtatë rrotullime rreth Qabes, e pyet Ibn Umerin: A e kam shlyer të drejtën e nënës ndaj meje? – ai ia ktheu: Nuk i ke shlyer as edhe një prej dhimbjeve të barrës (të lindjes)”.
Ajo të mban ty 7 vjet dhe, ti mendon se do shlyesh me të duke e mbajtur në kurriz për 7 rrotullime?!

Si mundet fëmija ta shlyejë detyrimin që ka ndaj prindërve të tij?! Nuk mundet! Prandaj fëmija i drejtë dhe i devotshëm, e ndjen veten të mangët në plotësimin e detyrimeve që ka ndaj prindërve. Madje të drejtat e prindit ndaj fëmijës nuk janë vetëm gjatë jetës së tyre, por edhe pas vdekjes së tyre. Prandaj le të kontrollojmë vetet tona herë pas here në këtë çështje. Dhe nëse njeriu nuk e gjen veten duke kërkuar falje dhe duke bërë dua për prindërit e tij, le ta dijë se është i mangët kundrejt tyre.
Një prej dijetarëve të mëdhenj, shejkh Hammad el Ensari, – Allahu e mëshiroftë – ka përcjellë fjalën e dikujt prej të parëve tanë të mirë që ka thënë: “Kush lutet për prindërit e tij pesë herë në ditë, vetëm se e ka kryer obligimin ndaj tyre, sepse Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Dhe Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka bartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. (Dhe i kemi thënë njeriut): “Tregohu falënderues ndaj Meje dhe ndaj prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë”.
Falënderimi ndaj Allahut bëhet duke u falur pesë herë në ditë, prandaj edhe falënderimi ndaj prindërve është të lutesh për ta pesë herë në ditë!!!”
(Risalutu mukhtesar el hukuk)

Dhe Allahu na urdhëron që të jemi të përulur, modestë ndaj prindërve. Prandaj sado të ngrihesh në detyrë, në pasuri, apo të arrish pozitë shoqërore të lartë, apo të bëhesh me diploma dhe të fluturosh e të arrish në lartësinë e qiellit, përpara prindërve të jesh i përulur dhe i mëshirshëm.

Kur njëri prej dijetarëve i quajtur Katade, tabi’in i nderuar, i drejtohej nënës së tij me fjalë, i fliste asaj me zë të ulët. I thoshin: Ngrije pak zërin. – ai përgjigjej: Allahu ka urdhëruar që të jemi të përulur me prindërit. – Dhe kur hante ia copëtonte asaj bukën dhe vet nuk hante. – i thoshin: Përse nuk ha? – përgjigjej: Kam frikë se mos vendos në gojë ndonjë kafshatë të cilën e dëshiron nëna ime.

Allahu e ka quajtur ‘tiran’ atë që sillet keq me prindërit e tij, siç thotë kur na tregon për Profetin Jahja: “Dhe e bëmë atë të sjellshëm me prindërit e tij dhe nuk e bëmë tiran dhe gjynahqar” (Merjem: 14)
Ndërsa atë që sillet keq me nënën në veçanti, e ka quajtur fatkeq (të trishtuar, të pafat), siç thotë kur na sjell fjalët e Isait – paqja qoftë mbi të – i cili thotë: “Dhe më ka bërë (Zoti im) të mirësjellshëm ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë tiran të trishtuar.”

Prandaj para Allahut, ai që sillet keq me prindërit e tij konsiderohet tiran (despot, keqbërës i madh në tokë) dhe është gjynahqar i madh. Ndërsa ai që sillet keq me nënën në veçanti, konsiderohet tiran dhe i pafat (ne disa zona të Shqipërisë thonë: Nuk bën prokopi. Dmth: Nuk ka për të pasur sukses)![1]
Kanë thënë se ai që vret më shumë se një njeri nuk quhet më vrasës, por tiran. Kështu konsiderohet ai që sillet keq me prindërit e vet, i barabartë me vrasësin, madje ai që ka vrarë disa njerëz, dmth tiran.

Ndonjëherë arabët kur flasin për ndonjë njeri që i ka ecur në jetë, thonë: Masha Allah filani! Allahu i ka dhënë sukses, ja ka zgjeruar furnizimin (rizkun), jeton jetë të lumtur dhe e ka bërë të pranuar e të dashur mes njerëzve, për shkak të mirësjelljes së tij me prindërit. Por dijetarët thonë: Më e saktë është të thuhet se gjithë këto të mira, vijnë për shkak të sjelljes së tij të mirë me nënën e tij.

  • Mirësjellja ndaj nënës shlyen gjynahet e mëdha!

Vjen një njeri tek Ibn Abbasi dhe i thotë: “Unë kërkova dorën e një vajzë por ajo refuzoi të martohej me mua. Pastaj e kërkoi atë dikush tjetër dhe ajo deshi (pranoi) të martohej me të. Pastaj unë pata xhelozi për të dhe e vrava. A ka pendim për mua?! – I thotë Ibn Abbasi: A është gjallë nëna jote? – i  thotë: Jo. – atëherë ibn Abbasi i thotë: Pendohu tek Allahu i Lartmadhëruar, dhe përpiqu të afrohesh tek Ai (me punë të mira) sa të mundesh.
Thotë Ata ibn Jesar: Shkova tek Ibn Abbasi dhe e pyeta: Përse e pyete a e ke gjallë nënën?! – tha: Sepse unë nuk di ndonjë vepër që të afron më shumë tek Allahu i Lartmadhëruar se sa mirësjellja ndaj nënës”
(Bukhari në “Sahih el edeb el mufred”/ hadithi 4)

 

  • Allahu na ka porositur për prindërit në Kuran, madje e ka përmendur të drejtën e tyre menjëherë pas të drejtës së Tij për tu adhuruar i vetëm, duke thënë:

 وَقَضَى رَبُّكَ أَلاَّ تَعْبُدُواْ إِلاَّ إِيَّاهُ وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَانًا إِمَّا يَبْلُغَنَّ عِندَكَ الْكِبَرَ أَحَدُهُمَا أَوْ كِلاَهُمَا فَلاَ تَقُل لَّهُمَآ أُفٍّ وَلاَ تَنْهَرْهُمَا وَقُل لَّهُمَا قَوْلاً كَرِيمًا . وَاخْفِضْ لَهُمَا جَنَاحَ الذُّلِّ مِنَ الرَّحْمَةِ وَقُل رَّبِّ ارْحَمْهُمَا كَمَا رَبَّيَانِي صَغِيرًا .

“Dhe ka urdhëruar Zoti yt që të mos adhuroni askënd tjetër veç Tij dhe (ka urdhëruar gjithashtu) që të silleni mirë me prindërit. Nëse ndonjërin prej tyre, apo të dy ata, i kap pleqëria pranë teje, ti mos u thuaj atyre as ‘uf’ dhe mos u fol atyre me ashpërsi, por thuaju atyre fjalë të buta (me edukatë dhe respekt). Dhe shtriji për ta krahët e nënshtrimit me mëshirë dhe thuaj: ‘Zoti im! Mëshiroji ata të dy, ashtu siç u kujdesën për mua kur isha i vogël’!” (Isra: 23-24)
Pas urdhrit më të madh të Allahut ndaj njerëzve, për të mos adhuruar askënd tjetër veç Tij – të Lartësuarit -, vjen urdhri tjetër më i madh për njeriun: Të sillet mirë me prindërit e tij! Dhe nëse dikush pyet: Po e drejta e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ku është? Kanë thënë dijetarët: E drejta e Allahut përfshin edhe të drejtën e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -, sepse Allahu nuk mund të adhurohet veçse me atë që ka ligjëruar Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

Pra, pas të drejtës së Allahut për tu adhuruar i vetëm, sipas asaj që ka ligjëruar Profeti Muhammed – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -, vjen e drejta e prindit. Dhe fjala që ka përdorur Zoti i botëve këtu nuk do thotë thjesht ‘urdhër’, por ‘urdhër i prerë’, ‘urdhër i fortë’ për të dyja këto gjëra: që të adhurohet vetëm Allahu dhe askush tjetër me Të, dhe që njeriu të sillet mirë me prindërit e tij. Sidomos kur ata arrijnë moshën e pleqërisë, moshë në të cilën ata kanë nevojë më shumë se kurrë për tu bërë mirë atyre, qoftë me fjalë apo me vepra.

Nëse duam të kuptojmë rëndësinë e madhe të mirësjelljes ndaj prindërve, le të meditojmë pak në këtë: Allahu i Lartësuar përmend teuhidin (njësimin e Tij në çdo gjë të cilën e meriton vetëm Ai), dhe i cili është shkaku i krijimit tonë, dhe bashkë me të përmend mirësjelljen ndaj prindërve, sepse nëpërmjet tyre ne jemi krijuar. Ata janë kujdesur për ne atëherë kur kemi pasur më shumë nevojë se kurrë për përkujdesje. Me dashurinë më të madhe, me mëshirën më të madhe, duke sakrifikuar rehatinë e tyre, pasurinë e tyre, ndjenjat e tyre dhe gjithçka kishin, për ne.

Tashmë ka ardhur koha që ne të përpiqemi tu kthejmë diçka nga ajo që ata kanë bërë për ne, që ata e kanë bërë për ne pa na kërkuar asgjë në këmbim.

  • Disa nga edukatat që duhen pasur parasysh me prindin:

Një herë Ebu Hurejrah pa dy burra dhe i tha njërit prej tyre: Çfarë lidhje ke me këtë? – i thotë: Është babai im. – atëherë i thotë Ebu Hurejrah: Mos e thërrit në emër, mos ec përpara tij dhe mos u ul përpara se të ulet ai” (Sahih el edeb el mufred)
Edukatë e lartë që na e mëson sahabiu i nderuar: Mos ta thërrasim prindin me emër, të mos ecim përpara tyre veçse nëse ka ndonjë arsye, si psh kur është errësirë, apo ka gropa rrugës, apo diçka e ngjashme, dhe të mos ulemi në ndonjë vend ku ulet ai, apo kur të vijë ai t’ia lirojmë vendin, të mos i shtrijmë këmbët përpara tyre, tu shërbejmë kur janë të sëmurë… etj prej veprave të mira që çdokush i di dhe do të dëshironte që t’ia bënin fëmijët e tij kur të plaket. Sepse kanë thënë: Sjellja ndaj prindërve është borxh. (si ta japësh ashtu do ta marrësh)

Dhe të kemi kujdes nga sjellja e keqe me prindërit, sepse Profeti saus ka thënë: “Nuk ka ndonjë gjynah që meriton t’i përshpejtohet (ndëshkimi) vepruesit të tij – me gjithë atë që i rezervohet (për në botën Tjetër), më shumë se sa kalimi i kufijve (padrejtësia) dhe ndërprerja e lidhjeve farefisnore”  (Sahih el edeb el mufred/ hadithi: 29)

Dhe lidhja farefisnore më e rrezikshme që mund të ndërpritet s’ka dyshim se është lidhja me prindërit.
Dhe ka ardhur në një hadith të saktë, se Profeti saus ka thënë: “Nuk ka ndonjë gjë më të mirë me të cilën mund t’i bindesh Allahut, e cila e ka shpërblimin më të shpejtë se sa ruajtja e lidhjeve farefisnore, dhe nuk ka diçka që dënohet më shpejt se sa padrejtësia dhe ndërprerja e lidhjeve familjare (farefisnore). Dhe betimi i rrejshëm i shkreton shtëpitë” (Sahihah: 978)

  • Të drejtat e prindërve ndaj nesh – siç e thamë – janë edhe pas vdekjes së tyre. Prej të drejtës së tyre ndaj nesh pas vdekjes janë:

1.Të bëjmë dua për ta. Përcillet nga Ebu Hurejrah se ka thënë: Njeriu ngrihet në grada pas vdekjes së tij dhe ai thotë: O Zot! Çfarë është kjo? – I thuhet: Fëmija yt ka kërkuar falje për ty.” (Sahih el edeb el mufred. Fq. 56. Hadithi 36)
Pra kur njeriu bën dua për prindërit e tij pas vdekjes, ai ngrihet në grada në Xhennet.

2.Të japim sadaka për ta. Vjen një burrë tek Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe i thotë: O i Dërguari i Allahut! Nëna ime ka vdekur dhe nuk ka lënë ndonjë porosi (amanet), a i bën dobi asaj nëse unë jap sadaka për të? Tha: Po”
 Pra sadakaja e fëmijës i shkon prindit pas vdekjes.

3.Të mbajë lidhjet dhe t’u bëjë mirë shoqërisë që kanë pasur prindërit e tij kur ishin gjallë.
Ka thënë i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Mirësjellja më e madhe është që njeriu të mbajë lidhjet me të dashurit e babait të tij” Tani shikoni si e zbatonte Ibn Umeri – radijallahu anhu – këtë hadith: Ka ardhur tek i sakti i Muslimit (2552) se një burrë e takoi Abdullah ibn Umerit gjatë rrugës për në Mekke. Abdullahi i dha selam atij (e përshëndeti), e hipi në gomarin e tij dhe i dha çallmën që mbante vet në kokë.

Ibn Dinari i thotë: Allahu të dhëntë të mira! Këta janë banorë të shkretëtirës dhe kënaqen edhe me pak. – Atëherë Abdullahi i thotë: Babai i këtij ishte shok me (babanë tim) Umer Ibnul Khattabin, dhe unë e kam dëgjuar të Dërguarin e  Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – të thotë: “Prej mirësjelljes më të mirë është që fëmija të mbajë lidhjet me miqtë e babait të tij”.

  • Dhe në mbyllje, një mënyrë shumë nxitëse për tu sjellë mirë me prindërit sa janë gjallë.

Ka një mënyrë shumë efikase me lejen e Allahut, e cila të bën t’i respektosh edhe më shumë prindërit sa i ke gjallë. Dhe ajo është:
Ta imagjinosh prindin tënd xhenaze! Ta imagjinosh trupin e tij të vdekur, pa rroba përpara teje, dhe ti po e lan xhenazen e tij.  Imagjinoje veten tënde duke e kryer këtë veprim, duke larë xhenazen e babës tënd të vdekur. Dhe kjo është një gjë që do të ndodhë një ditë patjetër, nëse t’i nuk vdes përpara tij. Dhe në çdonjërin prej këtyre dy rasteve t’i do të bëhesh pishman. Do të pendohesh dhe do të çahet zemra jote nga mërzia se përse nuk u solle më mirë me babën tënd, me nënën tënde…

Përse e ngrije aq shpesh zërin kur bisedoje me ta! Përse nuk u flisje me edukatë dhe me përulësi, atëherë do të kuptosh se si të është mbyllur përpara vetes një prej dyerve të Xhennetit. Atëherë do të ndjesh pishmanllëkun më të madh në jetën tënde. Përse nuk e respektova babën tim sa ishte gjallë? Duke larë xhenazen e tij do të rrjedhin lotët pa u ndalur dhe do të dëshiroje të kishe qenë një fëmijë më i dashur, më i duruar, më i respektueshëm kundrejt prindërve të tu!

E pra që të mos pendohesh kur të vijë ai çast, që sot fillo të sillesh më mirë me prindërit e tu, që sot ule zërin ndaj tyre, fol me ta me kulmin e edukatës dhe të dhembshurisë. Përpiqu për këtë! Luftoje veten tënde për ta arritur këtë! Tregohu ndaj tyre i kujdesshëm sa të mundesh. Përpiqu të mos ua lëndosh zemrat! Lutju Allahut për ta më shumë, lutju Allahut që t’i udhëzojë, t’i falë dhe t’i mëshirojë nëse të kanë vdekur, jep sadaka për ta me aq sa ke mundësi. Lutju Allahut që tua ngrejë gradat në Xhennet. Lutju Allahut që tu japë shëndet!

Dhe mbi të gjitha, nëse i ke akoma gjallë, lutju Allahut të të bëjë ty një fëmijë të mirësjellshëm dhe respektues të prindërve! Dhe përpiqu për këtë edhe vet, dhe luftoje veten tënde që të jesh i durueshëm ndaj tyre, dhe kujto mirësinë e tyre të madhe ndaj teje, se si të rritën me aq mund, me aq sakrifica, me aq dashuri, kur ti ishe i vogël! Kujto se si nuk u kalonte buka poshtë, dhe nuk i zinte gjumi kur ti ishe i sëmurë. Kujto sa herë e kanë kaluar natën te koka jote me lot në sy! Të shqetësuar për ty! Kujto sa herë i mbanin sytë nga dera dhe zemra e tyre rrihte si ajo e zogut, derisa ti të ktheheshe në shtëpi!
O Allah ruaji prindërit tanë, fali, mëshiroji dhe udhëzoi! Dhe na bashko o Zoti ynë me ta, në Xhenetet e Firdeusit, me mëshirën Tënde, o më i Mëshirshmi i mëshiruesve!
O Allah! Bëji argument për ne dhe jo kundër nesh ato që flasim, dëgjojmë dhe lexojmë! Dhe lutja jonë e fundit është: Lavdërimi i takon Allahut Zotit të botëve!

[1] http://www.fjalori.shkenca.org/
PROKOPI f. bised.

  1. Mall, pasuri. Shiti gjithë prokopinë. Bëri prokopi.
    2. Mbarësi; dobi. S’ia kishim parë prokopinë atij. (Mallkim) Mos bëftë prokopi!

 

Loading...