Morali i nxënësve të dijes me dijetarët e tyre

November 29, 2010

Shejkhu i nderuar Abdulaziz ibën Baz (Allahu e mëshiroftë), u pyet dhe i thanë:

Doli në pah një libërth nga një prej nxënësve të dijes, i cili kritikon në të Hafizin Ibën Haxherin në veprën e tij “El-Fet’h”. Çfarë mendimi keni rreth kësaj? Po ju o i nderuar, a keni kohë që të plotësoni përkujdesjen e këtij libri madhështor? Allahu jua shpërbleftë me të mira.

Ai u përgjigj : – Unë nuk e njoh këtë libërth dhe me sa di nuk e kam hasur ndonjëherë. Hafizi Ibën Haxher (Allahu e mëshiroftë), ashtu si dijetarët e tjerë, nuk është i pagabueshëm. Aq sa asnjë prej tyre nuk është i pagabueshëm. Unë personalisht kam shkruajtur disa gjëra rreth “Fet’hit”, nga fillimi i tij deri në librin e Haxhit dhe hasa disa gjëra nga fillimi i tij e deri në librin e Haxhit. Pashë në të disa vërejtje, Allahu e mëshiroftë atë.

Pra ai nuk është i pagabueshëm dhe i pagabueshëm nuk është as ai që është më i madh se ai. Nëse del në pah e vërteta, ajo duhet marrë se është ajo që kërkon besimtari. Nëse ngrihet argumenti ndaj një çështjeje të caktuar, atëherë duhet të marrim atë që ka argument nga Libri i Allahut dhe nga Sunneti i të Dërguarit të Tij (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), edhe pse është në kundërshtim me një dijetar të madh, edhe nëse është më i madh nga Hafizi Ibën Haxher, madje edhe nëse është në kundërshtim me disa prej Sahabëve. Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse keni mosmarrëveshje për ndonjë gjë mes jush, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit.” Pra Allahu i Lartësuar nuk tha: Drejtojuni filanit apo filanit. Por tha: “Drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit, nëse besoni në Allahun dhe në Ditën e Fundit. Kjo është më e mirë dhe më e përshtatshme për përcaktimin e fundit.” (An-Nisa’ 59) I Lartësuari thotë: “Dhe në çfarëdo që të ndryshoni (e të haheni), gjykimi për të është tek Allahu.” (Esh-Shura 10)

Megjithatë duhet të sigurohemi dhe duhet respekt për dijetarët, si dhe të sillemi me edukatë me ta. Edhe nëse dikush gjen një mendim të dobët nga ndonjë prej imamëve, ose dijetarëve, ose muhadithinëve të shquar, kjo gjë nuk e ul aspak vlerën e tyre. Ai duhet të respektojë dijetarët, të sillet me edukatë me ta, të flasë me fjalë të mira, të mos i shajë dhe të mos i nënçmojë ata. Por të sqarojë të vërtetën me argument si dhe të bëj lutje për dijetarin dhe të kërkoj nga Allahu mëshirë dhe falje për të.

Kështu duhet të jetë morali i dijetarëve me dijetarët. U njohin vlerën dijetarëve në shenjë respekti të pozitës së tyre, si dhe u njohin gradën dhe mirësinë e tyre.

Por kjo nuk i pengon ata që të sqarojnë gabimin nëse hasin një gabim të dukshëm, qoftë ai prej dijetarëve të mëparshëm apo prej atyre që erdhën pas. Madje dijetarët vazhdimisht u bëjnë kritika njëri-tjetrit deri sot dhe deri në Ditën e Kijametit. Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Të gjithë ne refuzojmë ose na refuzojnë me përjashtim të njeriut që është në këtë varr.” D.m.th. i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të).

Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njerëzit kanë rënë në unanimitet se kujt i sqarohet një Sunnet nga i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), ai nuk duhet ta lëjë atë për fjalën e ndonjërit prej njerëzve.”

Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Më vjen çudi me disa njerëz që njohin zinxhirin e transmetimit dhe saktësinë e tij (d.m.th. nga Pejgamberi -paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të-) dhe shkojnë tek mendimi i Sufjanit.” D.m.th. Theurin. Sufjani (Allahu e mëshiroftë) është një imam madhështor, megjithatë Ahmedi i kritikoi ata që lënë hadithin dhe zgjedhin mendimin e tij. Më pas Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë) lexoi fjalën e Allahut të Lartësuar: “Dhe le të kenë mendjen ata që nuk pajtohen me urdhrin e të Dërguarit, që të mos bjerë mbi ta ndonjë sprovë, ose t’u jepet një dënim i dhimbshëm.” (En-Nur 63)

Imam Ebu Hanifja (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse vjen hadithi nga i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) do të jetë mbi syrin dhe kokën, nëse vjen nga Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta) do të jetë mbi syrin dhe kokën, e nëse vjen nga Tabi’inët atëherë ne jemi burra dhe ata janë burra.”

Fjalët e dijetarëve rreth kësaj teme janë të shumta. Suksesi është nga Allahu.

Marrë nga Mexhmu’u Fetaua ue mekalatun muteneuieh Vëll. Nr. 26.

Përshtati në shqip Bledar Aliu

Delvinë më 21 Dhul-Hixh-xheh 1431.

Dosje:

Loading...