Mos bëni çrregullime në tokë pasi është vënë rregull

January 6, 2023

Mos bëni çrregullime në Tokë pasi është vënë rregull!

Allahu e dërgoi profetin e Tij Muhamedin, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, me udhëzimin dhe fenë e së vërtetës. “Është Ai që e ka çuar të dërguarin e Vet me udhëzimin dhe fenë e vërtetë, për ta ngritur atë mbi të gjitha fetë. Allahu mjafton si Dëshmitar!” | El Fet’h: 28 |

Allahu e dërgoi atë në një kohë kur dija dhe udhëzimi ishin zhdukur ndërsa toka ishte mbushur me fesad në të gjitha aspektet, pra në një periudhë kur bota ishte e mbushur me zullum në të gjitha sferat.

Allahu e dërgoi tek një popull që jetonte në injorancë të thellë dhe humbje të verbër. Njerëzit nuk arrinin të bënin dallimin mes të vërtetës dhe të kotës, udhëzimit dhe humbjes. Në një kohë kur shenjat e profetësisë dhe mësimet e Ibrahimit kishin humbur, dhe njerëzit nuk arrinin ta bënin dallimin midis asaj që është e mirë dhe asaj që është e gabuar.

Pra toka ishte mbushur me; padrejtësi, krim, armiqësi dhe çrregullim. Kështu Allahu dërgoi Muhamedin paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe përmes tij përmirësoi gjendjen, ndryshoi të keqen dhe bashkoi zemrat pas përçarjes. Allahu i Lartësuar përmes këtij profeti udhëzoi njerëzit në të drejtën dhe u mundësoi të shihnin dritën pasi që ishin të verbuar.

قَدْ جَاءكُمْ مّنَ اللَّهِ نُورٌ وَكِتَـابٌ مُّبِينٌ * يَهْدِى بِهِ اللَّهُ مَنِ اتَّبَعَ رِضْوَانَهُ سُبُلَ السَّلَـامِ وَيُخْرِجُهُمْ مّنِ الظُّلُمَـاتِ إِلَى النُّورِ بِإِذْنِهِ وَيَهْدِيهِمْ إِلَى صِرطٍ مُّسْتَقِيمٍ

“Juve u erdhi i dërguari Ynë i cili ju shpjegon gjëra nga ato që i keni fshehur prej librave (Teuratit dhe Ungjillit), dhe ju fal shumë. Juve u erdhi prej Allahut dritë (i dërguari) dhe libër i qartë (Kurani) me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij për në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë.” | El Maide: 15-16 |

Allahu ka urdhëruar të mirën dhe përmirësimin dhe i ka lavdëruar ata që rregullojnë dhe nuk prishin. Nga ana tjetër, Ai paralajmëroi kundër fesadit dhe atyre që bëjnë çrregullime, duke na treguar se Ai nuk e do fesadin dhe nuk e do atë që bën çrregullime në tokë.

“Ata përpiqen të shkaktojnë ngatërresa në Tokë, por Allahu nuk i do ngatërrestarët.” | El Maide: 64 |

O ju musliman! Allahu i Lartësuar na drejtohet duke na thënë:

دْعُواْ رَبَّكُمْ تَضَرُّعًا وَخُفْيَةً إِنَّهُ لاَ يُحِبُّ الْمُعْتَدِينَ * وَلاَ تُفْسِدُواْ فِى الأرْضِ بَعْدَ إِصْلَـاحِهَا وَدْعُوهُ خَوْفًا وَطَمَعًا إِنَّ رَحْمَتَ اللَّهِ قَرِيبٌ مّنَ الْمُحْسِنِينَ

Lutjuni Zotit tuaj përulshëm dhe ngadalë! Njëmend, Ai nuk i do ata që e kalojnë kufirin. Dhe mos bëni çrregullime në tokë pasi është vënë rregulli, ndërsa Atij lutjuni me frikë dhe shpresë. Vërtet, mëshira e Allahut është afër punëmirëve.”

Allahu na ndalon të bëjmë çrregullime në tokë pasi që ajo është përmirësuar. Është e vërtetë se toka u përmirësua me ardhjen e Muhamedit paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të në çdo aspekt. Prandaj Allahu na ndalon që ta prishim pasiqë është përmirësuar duke përdorur çdo lloj mjeti prishës, sepse Allahu nuk e do çrregullimin dhe nuk e përmirëson punën e çrregulluesve.

Allahu i ftoi robërit e Tij të marrin mësim dhe t’i kenë parasysh dënimet që u ndodhën popujve të mëparshëm, pasojat e tmerrshme që Allahu u dha atyre dhe përfundimet e dhimbshme për fesadin që ata bënë: “Pra, shiko si ishte përfundimi i ngatërrestarëve!”

Nga ana tjetër Allahu na ndaloi të ndjekim dhe t’u bindemi ngatërrestarëve duke thënë:

(وَلَا تَتَّبِعْ سَبِيلَ الْمُفْسِدِينَ) (وَلَا تُطِيعُوا أَمْرَ الْمُسْرِفِينَ * الَّذِينَ يُفْسِدُونَ فِي الْأَرْضِ وَلَا يُصْلِحُونَ

“Dhe mos i dëgjoni urdhrat e atyre që e teprojnë në të keqe, të cilët bëjnë ngatërresa në tokë e nuk sjellin përmirësim.”

Termi i ngatërresave dhe çrregullimeve në tokë është gjithëpërfshirës, pra për të gjitha llojet e prishjes pavarësisht nëse ky fesad është në besim, në moral dhe sjellje, në marrëdhëniet me njerëzit apo në të gjitha çështjet e jetës.

Fesadi përmban shumë lloje dhe vjen në shumë mënyra, por pa dyshim fesadi më i madh në tokë është:

1- Prishja e besimit në Allahun duke adhuruar të tjerë në vend të Tij ose duke i bërë ortak në këtë adhurim.

Prishja e ideve, prishja intelektuale nga ateizmi duke mohuar këtë fe, duke e kundërshtuar dhe duke kërkuar me çdo kusht që mësimet e kësaj feje të mos dëgjohen. Ska dyshim se ky është prej fesadeve më të rrezikshme që ndodhin në tokë. Imagjinoni një njeri që nuk beson në Zot si mund të sillet me njerëzit dhe çfarë mund ta ndalojë atë nga prishja në tokë?

2- Një nga llojet e fesadit që ndodhin është edhe magjia me të gjitha llojet e saj. Magjia është një plagë e madhe dhe një problem i rëndë, dhe marrja me të sjell çrregullim dhe ngatërresa në tokë.

Allahu i Lartësuar thotë: “Kur ata i hodhën, Musai tha: Kjo që keni sjellë ju është magji dhe vërtet Allahu do ta shkatërrojë atë. Allahu me siguri që do ta prishë punën e ngatërrestarëve.” | Suretu Junus: 81 |

3- Prej llojeve të fesadit është edhe prerja e rrugës, vjedhja dhe frikësimi i atyre që janë të sigurt. Allahu i Lartësuar thotë: “Pa dyshim se ndëshkimi i atyre që luftojnë kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe që bëjnë shkatërrime në tokë, është të vriten ose të gozhdohen, ose t’u këputen duart dhe këmbët tërthorazi, ose të dëbohen nga vendi. Ky ndëshkim është poshtërim për ata në këtë jetë, ndërsa në jetën tjetër për ata do të ketë dënim shumë të madh.” | El Maide: 33 |

4- Prej llojeve të fesadit është dhe praktikimi i mëkateve dhe veprave të liga si; imoraliteti, homoseksualiteti etj. Të gjitha këto kundërshtojnë ligjet e Allahut të Lartësuar dhe sjellin dënimin e Tij.

 

(ظَهَرَ الْفَسَادُ فِى الْبَرّ وَلْبَحْرِ بِمَا كَسَبَتْ أَيْدِى النَّاسِ لِيُذِيقَهُمْ بَعْضَ الَّذِى عَمِلُواْ لَعَلَّهُمْ يَرْجِعُونَ)

“Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, kështu që (Allahu) do t’i bëjë të shijojnë pjesë nga ajo që kanë punuar me qëllim që ata të kthehen (në përmirësim).” | Er-Rum: 41 |

5- Prej llojeve të fesadit është përhapja e hasedit mes njerëzve, dhe dëshira që atij të cilit Allahu i ka dhënë mirësi t’i zhduken ato.

6- Prej llojeve të fesadit në tokë është përhapja e thashethemeve dhe përgojimit. Kjo ka shkaktuar shumë fesad mes njerëzve dhe shoqërisë.

Xhemat i nderuar! Fesadi në tokë mund të përfshijë tërë shoqërinë ose disa anëtarë të saj, prandaj muslimani duhet të jetë i kujdesshëm ndaj atyre që kërkojnë fesad në tokë dhe të mos bëhet pjesë e fesadit duke mos e ditur. Allahu na ka urdhëruar të jemi të devotshëm në të gjitha punët tona, sepse devotshmëria na mbron nga çdo e keqe dhe na ruan nga të gjitha ligësitë.

Hytbe 2

O besimtarë, është e çuditshme se ngatërrestarët në çdo kohë dhe në çdo vend kur i ndalon apo kur i paralajmëron kundër fesadit pretendojnë se janë përmirësues dhe jo njerëz që prishin!

Allahu i Lartësuar tregon duke thënë: “Kur u thuhet: Mos bëni çrregullime në tokë! – ata thonë: Ne bëjmë vetëm përmirësime në tokë! Por jo! Në të vërtetë, pikërisht ata janë shkaktarët e çrregullimeve ndonëse nuk e ndiejnë.” | El Bekare: 11-12 |

Është më e habitshme kur disa nga prishësit mund të bëjnë betime të forta, dhe Zotin e bën dëshmitar të asaj që mban në zemër se ai është nga përmirësuesit dhe jo nga prishësit. Allahu i Lartësuar thotë: “Ka ndonjë njeri (hipokrit) fjalët e të cilit në jetën e kësaj bote ta bëjnë qejfin dhe që betohet në Allahun për atë që mban në zemër, por që në të vërtetë është kundërshtari (yt) më i betuar. E kur largohet përpiqet të bëjë të këqija në tokë duke shkatërruar të mbjellat dhe bagëtinë. Por Allahu nuk e do shkatërrimin.” | El Bekare: 204-205 |

Më e habitshme është kur disa çrregullues i akuzojnë njerëzit përmirësues sikur ata janë prishës. Kur e imagjinon Faraonin që është koka e çrregulluesve duke e akuzuar Musain, imamin e reformatorëve, e kupton sesa absurde është fjala e tyre.

Allahu i Lartësuar thotë: “Unë vërtet druhem mos ai do t’ua ndryshojë fenë tuaj ose do të shkaktojë trazira në Tokë.” | Suretu Gafir: 26 |

O besimtarë! Zoti i gjithësisë i sheh robërit e Tij, Ai i di të fshehtat dhe nuk i fshihet asnjë sekret. Në ditën e Kijametit secili do të shpërblehet për atë që ka bërë. Pra, kushdo që bën rregullime në tokë do të ketë shpërblimin për punën e tij, dhe kushdo që bën fesad – Zoti na ruajt – do të ketë pasoja të rënda për fesadin e tij. Ai do të mbartë mëkatin e tij dhe mëkatet e atyre që e ndjekin në këtë fesad pa ju pakësuar asgjë nga barra e tyre.

Përmblodhi: Fatjon Isufi

Dosje: , , ,

Loading...