Mos u bëj shkak në shkatërrimin e familjeve, që të mos dekorohesh nga Iblisi me gradën “Më i miri i shejtanëve!”

December 2, 2020

 

KUJDES!

Mos u bëj shkak në shkatërrimin e familjeve, që të mos dekorohesh nga Iblisi me gradën “Më i miri i shejtanëve!”

Profeti (paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) tregon dhe thotë: “Iblisi (kryeshejtani) e vendos fronin e tij mbi ujë. Nga aty, shpërndan çetat e shejtanëve (për të bërë keq). Ai shejtan që bën më shumë fitne (dëm dhe shkatërrim) është më i afërti dhe më i vlerësuari tek Iblisi. Vijnë me radhë dhe tregojnë çfarë dëmesh kanë bërë.
Thonë me radhë: Kam bërë këtë e këtë, – e Iblisi u thotë; Nuk ke bërë gjë!
Derisa vjen njëri prej tyre dhe thotë; Nuk e lashë rehat derisa e ndava nga gruaja e tij. – Iblisi e afron tek vetja dhe i thotë: – Ti je më i miri!”
(Muslimi, 2813)

Iblisi i mallkuar e ka mision që t’i çojë njerëzit në humbje, t’i dëmtojë e t’i shkatërrojë ata sa më shumë me të gjitha mënyrat. Ai i shpërndan ushtritë e veta që t’a përmbushin këtë mision.

Ai kënaqet me çdo lloj dëmi dhe shkatërrimi që u bën njerëzve, sepse ky ka qenë edhe betimi i tij para Zotit të gjithësisë si hakmarrje kundër njeriut, i cili ishte shkak në shkatërrimin dhe mjerimin e tij.

Por më shumë se me çdo gjynah dhe dëm individual që bëjnë njerëzit, ai kënaqet me ato dëme të cilat e tejkalojnë individin dhe shkatërrimi që rrjedh prej tyre është i madh, me efekt domino dhe që përfshin shumë persona.

Në hadith tregohet se nëse shejtanët i kanë shtyrë njerëzit për gjynahe të ndryshme, qofshin edhe të mëdha si; vrasja, vjedhja, pirja e alkolit etj. të gjitha këto nuk e kënaqin Iblisin e mallkuar sepse dëmi i tyre është i kufizuar.

Ndërsa në rastin e ndarjes së burrit nga gruaja ka dëme të panumërta. Me shkatërrimin e dashurisë dhe respektit që bashkëshortët kanë pasur për njëri-tjetrin, vjen si rezultat; urrejtja, armiqësia mes njerëzve dhe fiseve përkatëse, turpërimi i njëri-tjetrit, përgojimi, thashethemet, mohimi i mirësive të ndërsjellta, mundësia e rënies në imoralitet, mosedukimi i fëmijëve madje shkatërrimi i jetës së tyre për shkak të traumave që përjetojnë, shkatërrimi i ekonomisë, stresi, brengat, dëshpërimi, përfolja e njerëzve etj. etj.

Për këto arsye dhe të tjera kjo është vepra më e dashur dhe më e vlerësuar për Iblisin. Prandaj ai e dekoron shejtanin që e ka përmbushur këtë mision, e afron pranë vetes dhe i thotë: “Po, ti je më i miri i shejtanëve”!

Prandaj kujdes! Kujdes që të mos bëhesh nga misionarët e Iblisit që të kontribuosh në prishjen e familjeve, në ndarjen e çifteve, në prishjen e marrëdhënieve të mira dhe dashurisë mes tyre!

Ruaju që të mos dekorohesh nga Iblisi me titullin “Më i miri i shejtanëve!”

Këshillë nga Hoxhë Mirandi Shehaj

Dosje: ,

Loading...