Hytbe – Namazi

December 24, 2021

Në këtë hutbe do të flasim shkurtimisht për vlerën e madhe që ka namazi, obligueshmërinë dhe rrezikun e lënies së tij.

Allahu na ka udhëruar në vende të shumta në Kuran për të falur namazin, kur thotë:

وَأَقِيمُوا الصَّلَاةَ وَآتُوا الزَّكَاةَ وَارْكَعُوا مَعَ الرَّاكِعِينَ

“Faleni namazin, jepeni Zekatin dhe bini në ruku bashkë me ata që bien.”

Pra, faluni me xhemat në xhami.

۞۞۞

Vepra më e mirë dhe më e rëndësishme në Islam është namazi.

Trasmetohet nga Abdullah ibn Mesud (radiAllahu anhu) se Profeti ﷺ është pyetur:

Cila është vepra më e mirë?

Ka thënë ﷺ: “Namazi në kohën e tij.”

Ai i cili përkujdeset për përmbushjen dhe kryerjen e namazit në formën më të mirë, në kohën e tij dhe me xhemat, e ka ruajtur fenë.

Profeti ﷺ  ka thënë: “Namazi është shtylla e fesë.”

Kush e mban shtyllën në këmbë ka mbajtur fenë, dhe kujt i shembet shtylla i është shembur feja.

Profeti ﷺ ka thënë: “Vepra e parë për të cilën do të merret në llogari njeriu në ditën e gjykimit është namazi. Nëse namazin e ka patur në rregull do të shpëtojë e fitojë, e nëse namazin nuk e ka patur në rregull do të humbasë e dënohet.”

Çdo detyrim dhe çdo aspekt të fesë kur e shpallte Allahu dërgonte Xhibrilin (alejhi selam) të i’a kumtonte Profetit ﷺ. Kurse kur Allahu deshi të bënte detyrë namazin e mori Profetin ﷺ në Isra dhe Miraxh dhe foli drejtpërdrejtë me të. Shiko çfarë rëndësie i ka dhënë Allahu i Madhëruar namazit.

Detyrimi i parë madhor në Islam pas Teuhidit u bë falja e namazit. Kaq vepër e rëndësishme është sa të gjithë profetët e kanë falur atë.

Allahu e përmend Profetin Junus (alejhi selam) dhe tregon se ai ka qenë namazfalës, dhe për shkak se ishte falës i rregullt i namazit Allahu e shpëtoi dhe e nxori nga barku i balenës. Allahu thotë në Kuran:

فَلَوْلَا أَنَّهُ كَانَ مِنَ الْمُسَبِّحِينَ – “Po të mos ishte prej atyre që faleshin

لَلَبِثَ فِي بَطْنِهِ إِلَىٰ يَوْمِ يُبْعَثُون – do të kishte qëndruar në barkun e balenës.”

E përmend këtë koment të ajetit Ibn Abasi, Ibn Xhubejri dhe Katadja (radijallahu anhum).

Namazi është shkak që Allahu të na shpëtojë nga hallet dhe të na japë zgjidhje të problemeve, siç e nxori Junusin (alejhi selam) nga situata e vështirë nga barku i balenës për shkak se ishte namazfalës.

Ditën në të cilën vdiq Profeti ﷺ, në momentet e tij të fundit hapi perden e shtëpisë dhe pa sahabët të rreshtuar në namaz dhe buzëqeshi plot lumturi e krenari për umetin e vet që i la si falës të rregullt të namazit, dhe i’a dorëzoi shpirtin Allahut atë ditë.  Lamtumirën dhe buzëqeshjen e fundit ua dha kur ata ishin të rreshtuar për faljen e namazit.

Pas kësaj buzëqeshje sahabët nuk e panë më. Ai vdiq pranë familjes se tij dhe në çastet e fundit i porositi:

“Bëni kujdes me namazin! Faleni namazin dhe silluni mirë me ata që keni në posedim (gra, fëmijë, shërbëtorë, punëtorë, etj).”

Fjalët e fundit të Profetit ﷺ ishin porosi për faljen e namazit, si dhe kënaqësia dhe lumturia e tij kanë qenë në namaz.

Profeti ﷺ ka thënë:

‘وجعلت قرة عيني في الصلاة’

“E ka bërë Allahu lumturinë dhe gezimin tim në faljen e namazit.”

 

_________________Hutbja e dytë_________________

 

Falja e rregullt e namazit është shkak për fshirjen e gjynaheve.

Profeti ﷺ ka thënë:

مثل الصلوات الخمس كمثل نهرٍ غمرٍ على باب أحدكم يغتسل منه كل يوم خمس مرات

“Namazi është si një lumë i cili kalon para derës tuaj dhe ju laheni tek ai pesë here në ditë. A mbetet ndonjë papastërti tek ju?”

Namazi është shpëtim nga veprat dhe veset e këqija.

Allahu i Lartësuar thotë:

وَأَقِمِ الصَّلاةَ إِنَّ الصَّلاةَ تَنْهَى عَنِ الْفَحْشَاء وَالْـمُنكَرِ

“Fale namazin, se me të vërtetë namazi të largon nga fjalët dhe veprat e këqija.”

Trasmeton Imam Maliku me nr. 51 se Profeti ﷺ ka thënë:

لا حظ في الإسلام لمن ترك الصلاة

“Nuk ka hise në Islam ai që nuk fal namazin.”

Shikoni pra çfarë rreziku ka mosfalja e namazit.

Allahu i Lartësuar tregon në Kuran sesi do të pyeten në zjarr të Xhehenemit ata që nuk falin namazin:

مَا سَلَكَكُمْ فِي سَقَرَ (42) قَالُوا لَمْ نَكُ مِنَ الْمُصَلِّينَ

“Pyeten: Çfarë ju solli këtu në zjarr të Xhehenemit? Thanë: Nuk kemi qënë falës të rregullt të namazit.”

Allahu i lartësuar thotë:

فَخَلَفَ مِنْ بَعْدِهِمْ خَلْفٌ أَضَاعُوا الصَّلاةَ وَاتَّبَعُوا الشَّهَوَاتِ فَسَوْفَ يَلْقَوْنَ غَيًّا

“Do të vijnë pas tyre popuj që do t’a lënë namazin, nuk do t’a falin dhe do të ndjekin epshet. Për ta do të jetë një lumë i fëlliqur në zjarrin e Xhehenemit ku do të denohen në të.”

Jemi në prag të disa festave idhujtare dhe pagane. Në Islam ka vetëm dy festa dhe lejohet përkujtimi i vetëm dy datave, dy Bajrameve. Nuk lejohet përkujtimi i asnjë date tjetër përveç këtyre dy datave, dhe nuk lejohet festimi i ndonjë feste tjetër përveç këtyre dy festave.

Kur bëhet fjalë për festa idhujtarie dhe paganizmi ndalesa është edhe më e fortë dhe gjynahu më i madh. Nesër një pjesë e botës feston –siç thonë- për lindjen e të birit të Zotit. Kjo është shpifja më e rëndë që është thënë ndonjëherë për Allahun.

Allahu thotë në Suren Ihlas: “Lem jelid ue lem juled – Nuk ka lindur kënd e as nuk është i lindur.”

Nuk lejohet kurrsesi festimi i kësaj feste, as urimi i saj, as pjesëmarrja në të, asnjë lloj adeti e tradite i asaj feste dhe asaj dite.

Gjithashtu, Viti i ri është festë pagane idhujtare, festimi i së cilës është ritual adhurimi ndaj diellit të cilin mithraistët e adhurojnë si Zot. Nuk lejohet festimi i këtij adhurimi pagan, dhe nuk lejohet urimi e as pjesëmarrja në asnjë aspekt të asaj feste.

Dosje:

Loading...