Namazi i teravive

April 23, 2020

1. Namazi i teravive fillon pas namazit të jacisë ngase është parë Hëna, dhe nesër – ditën e xhuma – është dita e parë e Ramazanit. Saktësohet nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sle-lem) se ka thënë: “Kush falet në Ramazan (namazin e teravive) me besim dhe duke llogaritur shpërblimin tek Allahu, atij i falen mëkatet e kaluara.” Prandaj, mos u trego neglizhent në faljen e namazit të teravive në këto netë të begata.

2. Koha më e mirë për faljen e namazit të teravive është fundi i natës, për atë që ka mundësi të ngrihet. Por kush e fal namazin e teravive në fillim të natës pas namazit të jacisë, edhe kjo lejohet. Po ashtu, kush i fal në mesin e natës, përsëri lejohet. Sa më shumë të vonohet (shtyhet) falja e teravive, aq më mirë është.

3. E sakta është se në fillim falet namazi i jacisë, pastaj bëhet dhikri i namazit, pastaj falen dy rekatet (sunetet) e pasme të jacisë, dhe pastaj fillon namazi i teravive.

4. Nëse për arsye legjitime namazi i akshamit bashkohet me atë të jacisë, atëherë teravitë fillojnë pas përfundimit të namazit të jacisë edhe pse janë bashkuar në kohën e akshamit.

5. Namazi i teravive falet me xhemat, dhe kjo është më e mira.

6. Lejohet që në namazin e teravive imami të lexojë nga Kurani. Kjo vlen vetëm për imamin dhe jo për xhematin. Pra, xhemati nuk duhet të mbajë Kuran në dorë për të ndjekur leximin e imamit.

7. Saktësohet nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) se ka thënë: “Kush falet me imamin derisa të jap selam…” d..m.th. deri në fund të namazit të teravive, “i shkruhet atij namazi i natës”. Prandaj mos fal disa rekate me imamin dhe të largohesh, dhe kështu nuk e fiton shpërblimin. Kjo, nëse imami fal njëmbëdhjetë rekate (p.sh. 2+2+2+2+3) ashtu siç ka vepruar dhe Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

8. Origjina në faljen e namazit të teravive është zgjatja e leximit të Kuranit, zgjatja e rukusë dhe sexhdes, ku çdo veprim duhet të jetë i përafërt me njëri-tjetrin (për nga gjatësia). Kështu ka qenë namazi i të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), dhe kjo nëse nuk i sjell vështirësi xhematit. Në të kundërtën falen në gjendjen që u vjen më lehtë duke mos lënë mangut apo cënuar diçka prej shtyllave, vaxhibeve dhe suneteve të namazit.

9. E pëlqyeshme është që duaja e kunutit në namazin e teravive të bëhet pas gjysmës së muajit. Por nëse njeriu e bën në fillim deri në fund të tij, kjo s’përbën problem. Selefët e bënin duanë e kunutit pas mbarimit të gjysmës së Ramazanit.

Unejs Sheme

Dosje:

Loading...