Ndërmjetësimi i Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).
Na ka treguar Sulejman bin Harbin, na ka treguar Bestam bin Hurajthin, nga Esh’ath el-Hudaniji, nga Enes bin Malik, nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) se ka thënë: “Ndërmjetësimi (shefaati) im do jetë për ata që kanë vepruar mëkate të mëdha nga populli (umeti) im.”
Hadith autentik. E ka nxjerr Tirmidhiu (2435) dhe Ahmedi (3/213). Hadithin e ka saktësuar shejh Albani në “Sahihul-Xhami” me nr. (3714).
Shejh Abdulmuhsin el-Abadi (Allahu e ruajtë) ka thënë: Fjala e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem); “Ndërmjetësimi (shefaati) im do jetë për ata që kanë vepruar mëkate të mëdha nga populli (umeti) im.” nënkupton se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) do të ndërmjetësojë për ata që kanë vepruar mëkate të mëdha nga populli (umeti) i tij. Ata do të nxirren nga zjarri pasi kanë hyrë në të. Hadithet në lidhje me këtë janë të shumta dhe mutevatir.
Prej këtyre haditheve është dhe fjala e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Cdo Profet ka pasur një lutje me të cilën është lutur për popullin (umetin) e tij dhe ajo lutje i është pranuar (nga Allahu). Unë dëshiroj -inshaAllahu- ta ruaj lutjen time për të ndërmjetësuar për popullin tim në ditën e Kiametit.” Mutefekun alejhi.
Fjala e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në hadithin e Enesit: “Ndërmjetësimi (shefaati) im do jetë për ata që kanë vepruar mëkate të mëdha nga populli (umeti) im“, do të thotë se ai (ndërmjetësimi) do bëhet për ta Ditën e Kiametit ku Profeti do të ndërmjetësojë. Ky është ndërmjetësim nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe është i veçantë vetëm për popullin e tij, ndryshe nga ndërmjetësimi i madh i cili do jetë për popullin e tij dhe të tjerët. Madje (do jetë ndërmjetësim) për të gjitha krijesat, dhe ndryshe nga ndërmjetësimi i veçantë i tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) për Ebu Talibin.
Ndërmjetësimin për ata që kanë vepruar mëkate të mëdha (nga populli i Profetit) e kanë mohuar mutezilit dhe havarixhët të cilët thonë: “Ata (vepruesit e mëkateve të mëdha) do jenë përgjithmonë në zjarr.” Por hadithet u kundërpërgjigjen atyre (në këtë bindje të devijuar) dhe prej tyre është dhe ky hadith (i Enes bin Malik).
Ndërmjetësimi arrihet me dy kushte:
-Allahu t’i jap leje ndërmjetësuesit që të ndërmjetësojë.
-Allahu të jetë i kënaqur me atë për të cilin do ndërmjetësohet (të ketë vdekur si njësues).
Siç thotë i Lartësuari: “E sa engjëj ka që janë në qiej e që ndërmjetësimi i tyre nuk bën dobi asgjë, vetëm pasi që Allahu të japë leje për atë që dëshiron dhe që është i kënaqur për të.” En-Nexhm: 26.
Transmetuesit e zinxhirit:
Fjala e tij: “Na ka treguar Sulejman bin Harbin” është “thikah”. Prej tij kanë transmetuar autorët e Suneneve.
Fjala e tij: “Na ka treguar Bestam bin Hurajthin” është “thikah”. Prej tij ka transmetuar Ebu Daudi.
Fjala e tij: “Nga Esh’ath el-Huddanijji” emri i të cilit është Esh’ath bin Abdullah el-Huddanijji. Ai është “suduk”. Prej tij ka transmetuar Buhariu “tealikan” dhe autorët e Suneneve.
Fjala e tij: “Nga Enes bin Malik” shërbëtori i të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), një nga shtatë personat që kanë transmetuar shumë hadithe nga Profeti.
“Sherh Kitab es-Sunneh min Suneni Ebi Daud”
Përktheu: Unejs Sheme
Dosje: Dita e Gjykimit, Ndërmjetësimi
Të Ngjashme
- Dobi të përfituara nga 40 hadithet e imam Neveviut Salim Et-Tauijl
- Agjërimi i ditës së Ashures Udha e Besimtarëve
- Ndërmjetësimi i Madh në Ditën e Llogarisë Udha e Besimtarëve
- Cilat Ishin Fjalët e Fundit të Pejgamberit? Udha e Besimtarëve
- Çfarë nënkuptohet me prangosjen e shejtanëve në muajin e Ramazanit? Udha e Besimtarëve