Të gjithë njerëzit janë bij të një burri dhe një gruaje, besimtarë apo jobesimtarë, të bardhë apo me ngjyrë, të pasur apo të varfër, të ndershëm apo imoral. Islami nuk i vlerëson njerëzit në bazë të dallimeve që kanë përsa i takon ngjyrës, gjinisë apo prejadhjes farefisnore. Të gjithë vijmë nga Ademi ndërsa vet Ademi është krijuar nga balta. Vlerësimi i vertetë është Islami, besimi dhe devotshmëria, vënia në jetë e urdhrave të Zotit dhe largimi nga ndalesat e Tij.
Allahu i Madhëruar thotë: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne u krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre dhe u bëmë popuj e fise për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.” | Huxhurat: 13 |
Islami mban drejtësi mes njerëzve në të drejtat e tyre dhe obligimeve dhe në jurisprudencën islame njerëzit janë të barabartë.
Allahu i Lartësuar thotë: “Cilido mashkull apo femër që kryen vepra të mira duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira që ka bërë.” | Nahl: 97 |
Kush është besimtar i sinqertë dhe i devotshëm e ka hak Xhenetin, edhe nëse është njeriu më i dobët fizikisht dhe pa pozitë. Allahu i Lartësuar thotë: “Atë që beson Allahun dhe bën vepra të mira Ai do ta shpjerë në kopshtet e Xhenetit, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojë përgjithmonë. Pa dyshim, Allahu ka përgatitur për atë rrizk të mrekullueshëm.” | Talak: 11 |
Ndërsa mohimi, mendjemadhësia dhe zullumi, të gjitha e kanë vendin në zjarr të xhehenemit edhe nëse ai që i vepron këto vepra është i pasur dhe me pozitë, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Ndërsa ata që nuk kanë besuar dhe i kanë mohuar shpalljet Tona, do të jenë banorë të zjarrit ku do të qëndrojnë përherë. Eh, sa fund i tmerrshëm është ai!” | Tegabun: 10 |
Islami që ju shpall Pejgamberit alejhi selam mblodhi burra të shumtë, prej fiseve, popujve dhe ngjyrave të ndryshme me zemra të mbushura me teuhid (njësim të Allahut), besim dhe devotshmëri. Siç ishin: Ebu Bekër al Kurejshij, Ali ibën Ebi Talib el Hashimij, Bilal Abisiniti, Suhejb Romaku, të pasur si Uthmani, të varfër si Amari, grupi i të pasurve, grupi i të varfërve, Ehlu Sufeti e shumë të tjerë.
Këta njerëz besuan Allahun dhe luftuan në rrugën e Tij derisa arritën kënaqësinë e Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Ata ishin besimtarë të vërtetë. Allahu thotē: ” Shpërblimi është tek Zoti i tyre; kopshtet e Adnit nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të banojnë përherë. Allahu është i kënaqur me ata, por dhe ata janë të kënaqur me Të. Kjo është dhurata për ata që e kanë frikë Zotin e vet.” | Bejine: 8 |
Marrë nga libri: “Bazat e fesë islame”.
Autor: Muhamed bin Ibrahim et Tuejxhrij.
Përktheu: Arjan Gazidede