Ndihma vjen prej të dobtëve

February 8, 2022

Tek  Sahihu i Buhariut është një temë me titull: “Kush kërkoi ndihmën e Allahut në luftë nëpërmjet të dobtëve dhe të devotshmëve”. Aty autori ka sjellë hadithin ku Sad ibn Ebi Uekasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) mendoi se kishte një pozitë më të lartë mbi të tjerët, dhe Profeti (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) i tha: “A ndihmoheni dhe furnizoheni për diçka tjetër veçse prej të dobtëve tuaj?” (Buhariu: 2896)

Me këtë fjalë i Dërguari i Allahut (aljehi selam) deshi t’i kujtonte Sadit thjeshtësinë dhe mos-nënçmimin e muslimanëve.

Transmetimi tjetër tek Ahmedi (1493) me zinxhir të mirë (hasen li gajrih), na bën të qartë se çfarë kishte për qëllim Sadi me fjalën që tha.
Ai tha: “O i Dërguar i Allahut! Nëse një burrë është si mburojë për shokët e tij, i ruan ata në luftë (sh.p. me taktikat e tij, me forcën dhe trimërinë e tij), a do të jetë pjesa e tij prej plaçkës së luftës e njëjtë me atë të të tjerëve? Atëherë Profeti (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) i tha: “Të pastë nëna o i biri i Umu Sadit! Por a nuk furnizoheni dhe ndihmoheni veçse për shkak të të vobektëve tuaj?!”

Pra, i Dërguari i Allahut (alejhi selam) i tregoi se plaçka e luftës ndahet njëlloj mes atyre që marrin pjesë, Kjo ngase nëse muslimani i fortë ka pjesë në fitore me forcën dhe trimërinë e tij, i dobëti ka pjesë po ashtu në fitore me duanë dhe sinqeritetin e tij. (Ibn Haxher në “El fet’h”.)

Ka ardhur në një hadith tjetër ku Profeti (sal lall llahu alejhi ue sel lem)  thotë: “Muslimani i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu sesa muslimani i dobët, por çdonjëri prej tyre ka mirësinë e tij.” (Muslimi)

Imam Neueuij ka thënë se këtu është për qëllim forca e vullnetit dhe vendosmëria në mirësi.

Pra bëhet fjalë qartas për fuqinë e besimit dhe jo atë të trupit. Argument për këtë është fakti se sa muslimanë të fortë fizikisht nuk janë të fortë në fe, e sa muslimanë të dobët fizikisht, me pozitë të dobët në mesin e njerëzve janë të fortë në fe, aktiv në adhurime dhe në vepra të mira.

Megjithatë, edhe ai besim i dobët nuk është pa dobi. Këtu do mjaftonte të përmendej dobia më e madhe e këtij besimi të dobët, fakti që ai një ditë do t’a nxjerrë të zotin e tij nga zjarri i Xhehenemit dhe nuk do t’a lërë të jetë i përjetshëm në të.

Pra, këtë forcë ndonjëherë e ka ai që në sytë tanë duket i pafuqishëm. Ai ka një forcë sinqeriteti që ndoshta nuk e gjen tek ai që duket i fortë në sytë e njerëzve, ka mbështetje të fortë tek Allahu, ka mendim të mirë për Allahun aq sa sikur të betohej se do të ndodhë kjo gjë, apo të thotë: “Pasha Allahun do të dalim me sukses nga kjo vështirësi”, “Pasha Allahun unë do të shërohem”, Allahu do t’ja çonte në vend betimin dhe do t’ja realizonte mendimin e mirë për Allahun.

Kjo ka ardhur në hadith nga Profeti (paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të) ku thotë: “Ndoshta ndonjë njeri me flokë të pakrehura të cilin e shtyjnë prej dyerve, sikur të betohej në Allahun Ai do t’ja çonte në vend betimin.” (Muslimi)

Ndonjë njeri që njerëzit nuk i’a vënë veshin e që s’e përfillin, ai ka një pozitë tek Allahu që njerëzit sipërfaqësorë nuk arrijnë t’a vlerësojnë dhe t’a kuptojnë. Kjo sepse standardet e vlerësimit janë të ndryshme. Allahu nuk shikon në pamjet, në fytyrat apo trupat e bukur, por shikon zemrat, shpirtrat çfarë kanë brenda dhe punët që bën çdokush. Kjo ka ardhur po ashtu në një tjetër hadith të saktë nga Profeti (sal lall llahu alejhi ue sel lem).

Transmetimi i tretë që ka ardhur në këtë temë është tek Ahmedi (21731) për të cilin studiuesit e “Musnedit” kanë thënë se është i saktë, ku thotë Profeti (sal lall llahu alejhi ue sel lem): “Kërkoni e m’i sillni mua të dobëtit tuaj, sepse me të vërtetë ju furnizoheni dhe ndihmoheni për shkak të të dobtëve tuaj.”
Ai kërkonte që t’i mbante afër dhe t’u fitonte zemrat sepse e dinte se ata nuk zotëronin fuqi tokësore por diçka përtej kësaj. Lutjet e tyre niseshin lart në drejtim të Arshit të Rrahmanit, dhe ktheheshin poshtë në tokë me fitore dhe furnizim për ata që ndoshta mbështeten tek fuqia e tyre dhe mashtrohen me të.

Transmetimi i fundit është thënia e Profetit (sal lall llahu alejhi ue sel lem) ku thotë: “Me të vërtetë, Allahu e ndihmon këtë umet për shkak të të dobtëve prej tyre, për lutjet e tyre, namazin e tyre dhe sinqeritetin e tyre.”

(Silsiletu sahihah: 2/409. Zinxhiri i tij është i saktë.)

Profeti (sal lall llahu alejhi ue sel lem) ka thënë gjithashtu: “Allahu është në ndihmë të robit të Tij për sa kohë që ai është në ndihmë të vëllait të vet.” (Muslimi: 2699)

Ai që i ndihmon të pafuqishmit dhe u qëndron në krah atyre, padyshim që Allahu do t’a ndihmojë atë dhe do t’i qëndrojë në krah e nuk do t’a humbasë. Ky besim dhe ky mendim i mirë për Allahun është pjesë e natyrshmërisë së pastër të njeriut të sinqertë. Askush s’ja ka mësuar atij veç besimit të natyrshëm në Allahun, pra besimi se Allahu kështu sillet me ata që kanë virtyte të larta.

Edhe Hatixhja (Allahu qoftë i kënaqur me nënën e parë të besimtarëve) kur i Dërguari i Allahut (paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) në fillim të profetësisë erdhi tek ajo i frikësuar pas takimit me Xhibrilin, i tha asaj: “O Hatixhe, kam frikë për veten time! Ajo i’a ktheu me një forcë të madhe shpirtërore: “Jo (aspak mos u frikëso). Përkundrazi, përgëzohu! Sepse pasha Allahun, nuk të turpëron dhe nuk të poshtëron Allahu ty kurrë. – Përse o nëna jonë fisnike? Sepse ti; i mban lidhjet farefisnore, thua të vërtetën, e ndihmon të dobëtin (atë që nuk kujdeset dot për veten), i jep atij që s’ka, e nderon mikun dhe ndihmon njerëzit në raste fatkeqësish.”

Thotë imam Neueui: Në këtë ka argument se moralet e larta dhe cilësitë e mira janë shkak për shpëtimin prej fatkeqësive.

Prandaj nëse duam të ndihmohemi nga Allahu, të furnizohemi prej Tij dhe të ruhemi nga fatkeqësitë, le të qëndrojmë në krah të nevojtarëve, të të vobektëve, të të pafuqishmëve. Dhe të mos i nënçmojmë ata e të mos ua rëndojmë edhe më shumë sprovën që kanë.

Lëndimi i tyre është lëndim i dyfishtë; lëndim për vet ata dhe lëndim për familjarët e tyre, dhe kështu gjynahu përpara Allahut bëhet edhe më i madh. Ai që i lëndon nuk e ka kuptuar aspak një nga urtësitë e mëdha të asaj sprove, e cila është që njeriu të mendojë se mund të ishte ai në vend të tij. Të shikojë mirësinë e jashtëzakonshme që Allahu i ka dhuruar duke i’a larguar atë bela. Muslimanit i ka hije t’a falënderojë Allahun kur të shikojë njerëz të sprovuar në trupin e tyre, dhe të ndihet thellësisht i vlerësuar nga Allahu për mirësinë që ka. T’a ndiej këtë mirësi të Zotit deri në qelizë.

Lutja që thuhet në këto raste dhe që është mirë të thuhet me vete e jo t’a dëgjojë i sprovuari e as familjari i tij, është thënia e Profetit (sal lall llahu alejhi ue sel lem): “Kush shikon një të sprovuar dhe thotë:

الحمدُ للهِ الذي عافاني مما ابتلاكَ به ، و فضَّلني على كثيرٍ ممن خلق تفضيلًا

(Elhamdu lilahil ledhi aafanij mim mebtelake bihi ue feddalenij ala kethirin mim men khaleka tefdila) – (Falënderimi i takon Allahut që më ka ruajtur nga ajo me të cilët të ka sprovuar, dhe më ka privilegjuar mbi shumë prej atyre që i ka krijuar me një privilegj të madh!) Atë njeri nuk do t’a godasë ajo sprovë.”

“El xhamiu sagir” (8667) i Sujutit. Hadithi është Hasen.

“Es silsiletus sahihah” (2737) e Albanit. Hadithi është Sahih.

Falënderimi i takon Allahut me falënderime të shumta, sa qiejt dhe toka e çka mes tyre!

Loading...