Në Kuran është bërë ndarja e të vërtetës nga e kota

April 7, 2022

Në Kuran është bërë ndarja e të vërtetës nga e kota.

 Allahu i Madhëruar thotë në vazhdim të ajeteve të agjërimit, duke treguar për qëllimin e zbritjes së Kuranit:

هُدًى لِلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِنَ الْهُدَى وَالْفُرْقَانِ

Ai zbriti udhëzim për njerëzit dhe argumente udhëzimi e ndarjeje.” Sure El-Bekare: 185.

Në këtë pjesë të ajetit tregohet se Kurani u zbrit udhëzim për njerëzit dhe që do të thotë udhërrëfyesi i tyre për në besim, dhe se ai për këtë qëllim është mbushur me argumente të detajuara udhëzimi. Gjithashtu tregohet se në këtë libër është bërë edhe ndarja e udhëzimit nga e kundërta e tij, e cila është humbja. Kjo sepse fjala “ndarje”  e përmendur në fund të përshkrimeve, dhe që është përkthim i fjalës arabe “Furkan” – sipas komentuesve të Kuranit dhe njohësve të gjuhës arabe – ka për qëllim ndarjen e të vërtetës nga e kota.

Allahu i Madhëruar në Kuran në lidhje me ditën e luftës së Bedrit, thotë:

يَوْمَ الْفُرْقَانِ يَوْمَ الْتَقَى الْجَمْعَانِ

“… ditën e Furkanit, ditën kur u takuan dy grupet.” Sure El-Enfal: 41.

Dita e përballjes së myslimanëve me mushrikët dhe fitorja e tyre mbi ta, në këtë ajet quhet “Dita e Furkánit”. Ajo ditë – sipas komentuesve të Kuranit -është quajtur e tillë sepse atë ditë  me triumfin e tyre ndodhi ndarja e të vërtetës nga e kota.

Allahu i Madhëruar gjithashtu thotë:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنْ تَتَّقُوا اللَّهَ يَجْعَلْ لَكُمْ فُرْقَانًا

“O ju që keni besuar, nëse i druheni Allahut Ai u bën juve Furkán.” Sure El-Enfal: 29.

Furkani i përmendur në këtë ajet është drita që lëshon Allahu i Madhëruar në zemrat e besimtarëve të devotshëm, me qëllim që ata të bëjnë saktë ndarjen e të vërtetës nga e kota.

Pra, Furkáni është ndarja e të vërtetës nga e kota dhe ai mund të jetë me triumf dhe me aftësi dallimi. Por mund të jetë edhe me qartësim të shkruar, siç është ajo e librave të Allahut të Madhëruar për të cilën bën fjalë ajeti i agjërimit.

Fjala Furkán për librat e Allahut të Madhëruar.

Me fjalën Furkán Allahu ka cilësuar dy prej librave të tij: Teuratin e Musait dhe Kuranin e Muhamedit -alejhima selam-.

Allahu i Madhëruar në lidhje me Teuratin thotë:

وَإِذْ آتَيْنَا مُوسَى الْكِتَابَ وَالْفُرْقَانَ لَعَلَّكُمْ تَهْتَدُونَ

“Kujtoni (o bijtë e Izraelit) kur Ne i dhamë Musait Librin dhe Furkánin (ndarjen), me qëllim që ju të udhëzoheni.” Suretu El-Bekara: 53.

Komentuesit e Kuranit thonë: Libri është Furkáni (ndarja) dhe është cilësi e Teuratit, sepse Allahu i Madhëruar në këtë libër ka ndarë të vërtetën nga e kota.[1]

Ndarja e të vërtetës nga e kota në këtë ajet, përderisa bëhet fjalë për një prej librave të Allahut është qartësimi i tyre me fjalë të shkruara në ato libra.

Në këtë ajet gjithashtu tregohet edhe qëllimi pse u bë ajo ndarje e të vërtetës nga e kota në Teurat, dhe që është udhëzimi i njerëzve.

Ndërsa në lidhje me Kuranin, Allahu i Madhëruar thotë:

تَبَارَكَ الَّذِي نَزَّلَ الْفُرْقَانَ عَلَى عَبْدِهِ لِيَكُونَ لِلْعَالَمِينَ نَذِيرًا

“I madh është Ai i cili ia zbriti Furkánin (Ndarjen) robit të Tij, për të qenë për të gjitha botët paralajmërues.” Sure El-Furkán: 1.

Në këtë ajet fjala Furkán (Ndarje) është për Kuranin sepse Muhamedi është ai i cili u dërgua paralajmërues për të gjitha botët, ndryshe nga profetët e tjerë para tij të cilët ishin për popuj të veçantë.

Përfundimi i ajetit duke e përmendur profetin Muhamed -alejhi selam- me veçorinë e dërgimit të tij për të gjitha botët, tregon se edhe ndarja e të vërtetës nga e kota që i është bërë atij në Kuran është më e plotë dhe më e përsosur se ndarja e tyre në librat e tjerë, dhe kjo në përshtatje me veçoritë e tij.

Ndarja e të vërtetës nga e kota në librat e Allahut të Madhëruar është për përsosjen e argumenteve të së vërtetës. Shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë çështje thotë: “Argumenti nuk përsoset veçse nëse i jepet përgjigje edhe të kundërtit të tij, sepse argumentet shpeshherë pështjellohen me të kundërtit e tyre. Kjo e bën të nevojshme ndarjen mes argumentit i cili tregon për të vërtetën dhe atij që e kundërshton atë, që të bëhet e qartë se ai që e kundërshton atë është i kotë.

Vërtetë me argumentin arrihet udhëzimi dhe qartësimi i të vërtetës, por është e nevojshme edhe ndarja mes atij argumenti dhe të kundërtit të tij dhe ndarja mes lajmit të Zotit dhe lajmit që e kundërshton atë. Kjo sepse me ndarjen e tyre arrihet të bëhet dallimi mes të pështjelluarave. Ai i cili nuk ka ndarje është gjithmonë në dyshime e huti, dhe për pasojë udhëzimi i plotë nuk mund të jetë pa ndarje.”[2]

Më pas, shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- për të treguar se udhëzimi i plotë nuk mund të jetë pa ndarjen e të vërtetës nga e kota, e ilustron secilin nga termat e përmendura ne ajet; udhëzimin, argumentin dhe ndarjen me nga një shembull. Ai thotë: “Udhëzimi është urdhëri për të ndjekur rrugën e Allahut, siç urdhërohet ai që do të bëjë Haxh të ndjekë rrugën e Mekës dhe të marrë me vete një udhërrëfyes për të mbërritur atje.

Argumentet e udhëzimit janë ato që tregojnë se ajo (e rrëfyera) është rruga dhe se ndjekësi i saj është në rrugën e duhur.

Ndërsa ndarja është të bëhet dallimi mes asaj rruge dhe të tjerave dhe mes atij udhërrëfyesi që po ndjek dhe të tjerëve, prej atyre që pretendojnë udhërrëfimin të cilët në realitet nuk janë veçse injorantë dhe mashtrues.”[3]

Pra, udhëzimi nuk përsoset pa u bërë edhe ndarja mes të vërtetës dhe të kotës, dhe ky është shkaku pse gjithnjë në Kuran trajtohen dy të kundërtat; besimi dhe mohimi, realiteti dhe imagjinata, e vërteta dhe gënjeshtra, e mira dhe e keqja, e urdhëruara dhe e ndaluara, hallalli dhe harami etj.

Si përfundim nga ky trajtim përfitohet si më poshtë:

1- Përveç rrëfimit të së vërtetës dhe argumenteve të saj në Kuran është bërë edhe ndarja e të vërtetës nga e kota, duke dalluar; besimin nga mohimi, realitetin nga imagjinata, të vërtetën nga gënjeshtra, të mirën nga e keqja, të urdhëruarën nga e ndaluara, hallallin nga harami etj.

2- Ndarja e të vërtetës nga e kota në Kuran synon udhëzimin e njerëzve sepse me ndarjen e tyre përsoset e vërteta, largohen dyshimet dhe arrihen të bëhen dallimet mes tyre.

3- Kush i përmbahet ndarjes së të vërtetës nga e kota të përmendur në Kuran do të ketë dallueshmëri të qartë në praktikë dhe triumf ndaj të kotës kur ato përplasen, sepse fjala ndarje në Kuran i ka të treja përdorimet.

4- Ndarja e të vërtetës nga e kota e bërë në Kuran është më e plotë dhe më e përsosur se ndarja e tyre në çdo libër tjetër para tij, sepse librat janë në përshtatje me profetët që ato u janë zbritur dhe detyrat me të cilat janë dërguar. Profeti Muhamed -alejhi selam- ndryshe nga të gjithë profetët para tij është dërguar për të gjithë njerëzit deri në kohën e fundit, dhe patjetër që kësaj detyre i nevojitet një ndarje më e plotë.

—————————————————

[1] Shih ‘Tesir et-Taberij’: 2/71.

[2] Shih librin ‘En-Nubuuat’: 2/642.

[3] Shih librin ‘En-Nubuuat’: 2/642.

Loading...