Nëse një person jep sadaka për të vdekurin a merr shpërblim për sadakanë që jep?

March 10, 2022

Nëse një person jep sadaka për të vdekurin a merr shpërblim për sadakanë që jep?

Falënderimi i takon Allahut!

Dhënia e sadakasë për të ndjerin, sipas konsensusit të muslimanëve, i sjell dobi të vdekurit dhe shpërblimi i kësaj bamirësie arrin tek ai.

Personi që e jep sadakanë (lëmoshën) edhe ai e merr shpërblimin e kësaj sadakaje.

Hadithi i mëposhtëm e tregon më së miri këtë: Aishja – Allahu qoftë i kënaqur me të – tregon se një burrë e pyeti Profetin (salAllahu alejhi ve sel-lem): “Nëna ime ndërroi jetë papritmas. Unë mendoj se nëse ajo do të ishte gjallë do donte të jepte sadaka. A shpërblehem nëse jap sadaka në emër të saj?

I Dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) i tha: Po (për këtë ka shpërblim).” Buhariu dhe Muslimi.

Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë) në komentimin e hadithit ka thënë: Ky hadith tregon se është e lejuar dhe mustehab dhënia e sadakasë në emër të të vdekurit, dhe se shpërblimi i sadakasë do t’i arrijë të vdekurit e do t’i sjellë dobi. Gjithashtu, do t’i sjellë dobi edhe atij që e jep sadakanë. Muslimanët janë pajtuar për të gjitha këto çështje. Sherh Sahih Muslim (11/84).

Dijetari i nderuar Abdulaziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Bamirësia i bën dobi të vdekurit. Shpresohet që ai që jep lëmoshë të marrë të njëjtin shpërblim që do të marrë i vdekuri, sepse ai që jep sadaka ka bërë mirësi dhe ka dhuruar. Ndaj shpresohet që ai të marrë të njëjtën gjë, pra shpërblimin e asaj që ka shpenzuar.

Në fakt, Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kushdo që tregon për një vepër të mirë (bëhet iniciator) do t’i jepet i njëjti shpërblim si ai që e kryen atë vepër të mirë.” Muslimi.

Nëse një besimtar thërret për diçka të mirë ose bën diçka të mirë për dikë tjetër, shpresohet se ai do të marrë një shpërblim të ngjashëm me të.

Nëse një person kryen Haxhin në emër të babait ose nënës së tij, ka shpërblim për të si dhe për nënën dhe babain e tij. Shpresohet që ai të marrë të njëjtin ose më shumë nga shpërblimi që do të merrnin prindërit e tij, për shkak të sjelljes së mirë dhe respektit ndaj nënës dhe babait. Mirësia dhe mëshira e Allahut është e madhe!

Rregulli i Sheriatit për çështje të tilla është si vijon: Ai që u bën mirë të tjerëve ka shpërblim të madh. Prandaj, nëse i bën një të mirë dikujt shpresohet se ai do të marrë një shpërblim të ngjashëm me atë të cilit i ka bërë mirë.

Fetava Nur ala ed Derb (14/313).

Allahu i Madhëruar e di më së miri.

 

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...