Netët e Mira në Kalendarin Islam
-Verifikim dhe Analizë-
Sa më shumë të afrohemi nga muaji i Ramazanit, aq më shumë shtohet interesimi i njerëzve në lidhje me netët e mira. Kjo çështje ka nevojë për një studim të detajuar që të përfshijë tre pika kryesore: verifikimin e vërtetësinë së këtyre netëve, gjykimin e adhurimeve që kryhen gjatë tyre dhe a lejohet që ato të festohen?
Atëherë, nxitur nga ky interesim themi se netët e mira të përmendura në kalendarin mysliman janë katër:
Nata e Regaibit, nata e Israsë dhe Miraxhit, nata e Beraetit dhe nata e Kadrit.
1- Nata e Ragaibit.
Nata e Ragaibit eshte nata e xhumasë së parë të muajit Rexhep.
Ne lidhje me mirësinë e kësaj nate përmendet shpesh herë një hadith i shpikur:
“Kush agjëron të enjten e parë të muajit Rexhep dhe pastaj fal 12 rekate mes akshamit dhe jacisë …, i falen të gjitha gjynahet edhe nëse i ka sa shkuma e detit, numri i grimcave të rërës, pesha e maleve, numri i gjetheve te pemeve dhe ndërmjetëson ditën e kiametit për shtatëqind veta prej të afërmëve të tij prej atyre qe u është bërë detyrë zjarri.”
El-Hafidh El-Iraki -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me gradën e këtij hadithi, thotë: Hadith i shpikur.
Pra, mirësia e kësaj nate është e shpikur dmth: pa bazë në fenë e Allahut.
Fillimet e vlerësimit të kësaj nate nga njerëzit, sipas dijetarit të madh nga Andaluzia Ebu Bekr Et-Turtushi (i vdekur në vitin 520 H) janë në xhaminë Aksa. Ai në librin e tij “Shpikjet dhe Bidatet” shënon:
“Një burrë me emrin Ebu Muhamed El-Makdisi nga zona e xhamise Aksa më ka treguar: Përsa i përket namazit të Ragaibit nuk është shpikur te ne në xhaminë Aksa veçse pas vitit 480 të hixhretit. Para kësaj kohe, as nuk e kemi pas parë atë namaz dhe as dëgjuar”.
2- Nata e Israsë dhe Miraxhit.
Israja është udhëtimi i profetit alejhi selam nga Qabja për në xhamine Aksa. Ndërsa Miraxhi është udhëtimi i profeti alejhi selam nga xhamia Aksa për në qiejt e lartë.
Të gjithë dijetarët e ymetit janë dakord se Israja dhe Miraxhi janë të vërteta dhe që të dyja kanë ndodhur brenda një nate.
Këtë udhëtim e kanë transmetuar shumë sahabë, por dijetarët kanë mospërputhje mendimesh në lidhje me vitin dhe muajin kur ka ndodhur siç tregon Imam Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë-. Ai kur i rendit mendimet e historianëve para tij, thotë:
“Ibn Is’haku mendon se ka qenë në vitin e 10 pas dërgimit të Profetit -alejhi selam- që i bie të ketë qenë 3 vjet para se Ai të emigronte në Medine.
Imam Ez-Zuhri e disa dijetarë të tjerë mendojnë se ka qenë 1 vit para se Ai të mbërrinte në Medine.
Imam Es-Sudi mendon se ka qenë 1 vit e katër muaj para se Ai të mbërrinte në Medine.
Ndërsa në lidhje me muajin, thuhet se ka qenë në muajin Rabiul-Euel, thuhet në Dhil-Kade dhe thuhet se ka qenë në Rexhep natën e 27 të tij.”
Data më e njohur në lidhje me këtë natë është nata e 27 e muajit Rexhep siç dhe e shënon kalendari ynë, mirëpo fakti që ka kundërshtim në lidhje me të si kohe do të thotë se nuk ka mirësi në festimin e saj, sepse po të kishte pasur mirësi do të ishte ruajtur nga myslimanët brez pas brezi.
3- Nata e Beraetit.
Nata e Beraetit eshte nata e mesit te muajit Shaban (dmth: nata e pesëmbëdhjetë).
Profeti alejhi selam në lidhje me të thotë:
“Allahu i madhëruar u shfaqet krijesave të Tij natën e mesit së muajit Shaban dhe i falë ata përveç atij qe ben shirk dhe atij që i mban mëri tjetrit.”
Hadithi transmetohet nga Muadh bin Xhebel, Ebu Thalebe El-Khushenij, Abdullah bin Amr, Ebu Musa El-Esharij dhe Ebu Hurejra radiallahu anhum dhe e saktëson Sheikh Albani.
Nuk ka namaz të veçantë në këtë natë, sikurse bëhet në disa vende, sepse për një gjë të tillë nuk ka asnjë argument. Namazi i veçantë i kësaj nate nuk është njohur veçse nga gjysma e shekullit të pestë të hixhretit.
Ebu Bekr Et-Turtushi –Allahu e mëshiroftë- në librin e tij “Shpikjet dhe Bidatet” shënon se ky namaz është shpikur në xhaminë Aksa në vitin 448 H.
Ai thotë: “Më ka treguar Ebu Muhamed El-Makdisi se në vitin 448 H erdhi te ne në xhaminë Aksa një burrë nga Nabulusi (vend në Palestinë) i cili njihej me emrin Ibn Ebil-Hamra dhe kishte një zë të bukur në leximin e Kuranit. Ai u ngrit dhe u fal në xhaminë Aksa natën e mesit te Shabanit. Pastaj atij iu bashkua një burrë e më pas një i tretë, i katërt dhe kur mbaroi, ishin bërë një grup i madh.
Pastaj kur erdhi viti tjetër u falën me të një grup i madh njerëzish dhe u përhap në xhami. Kështu u përhap ky namaz në xhaminë Aksa dhe shtëpitë e njerëzve dhe u bë si sunet deri në ditët tona. Ebu Bekr Et-Turtushi i thotë atij: Të kam parë duke e falur këtë namaz me xhemat? Ebu Muhamed El-Makdisi i pergjigjet: Po, dhe unë i kërkoj falje Allahut për këtë (punë).”
4- Nata e Kadrit.
Nata e Kadrit eshte nate Ramazani dhe për vlerën e saj dëshmojnë katër gjëra:
1- Zbritja e Kuranit siç thotë Allahu i madhëruar: “Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) natën e Kadrit” Suretu El-Kadr: 1.
2- Punët e mira në këtë natë shumëfishohen sa e bëjnë atë më të mirë se një mijë muaj siç thotë Allahu në Kuran: “Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.” Suretu El-Kadr: 3.
3- Zbresin Melaiket dhe Xhibrili me caktimet e vitit siç thotë Allahu në Kuran: “Në të zbresin melaiket dhe shpirti (Xhibrili) me caktimin e çdo gjëje.” Suretu El-Kadr: 4.
4- Kush e kalon kete natë me namaz i falen të gjitha gjynahet e kaluara siç thotë profeti alejhi selam: “Kush e kalon në namaz natën e Kadrit duke besuar në shpërblimin e Allahut dhe duke e llogaritur atë, i falen gjynahet e kaluara.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Kur është nata e Kadrit?
Një gjë dihet e sigurtë që nata e Kadrit është në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit siç thotë Ebu Said El-Khudri se Profeti alejhi selam ka thënë: “O ju njerëz, më është qartësuar nata e Kadrit dhe unë kur dola t’ju njoftoj më erdhën dy burra duke u zënë me njeri-tjetrin dhe me ta ishte Shejtani dhe kështu e harrova atë. Prandaj kërkojeni atë në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit” E transmeton Muslimi.
Gjithashtu Profeti alejhi selam ka njoftuar se ajo është në netët teke siç tregon Aisha radiallahu anha se Profeti alejhi selam ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në netët teke të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Caktimi i këtyre netëve teke ka ardhur në dy mënyra:
1- Duke iu referuar netëve që kanë kaluar dhe i bie të jetë njëra nga këto netë: 21, 23, 25, 27, 29.
2- Duke iu referuar netëve që kanë mbetur siç ka ardhur në disa hadithe prej tyre hadithi i Ibn Abasit -radiallahu anhu- i cili tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit kur të kenë mbetur nëntë ditë apo shtatë ditë apo pesë ditë” e transmeton Buhariu.
Kjo mënyrë llogaritje ka qenë zakon te arabet sepse ata kur i afroheshin fundit të muajit llogarisnin ditët e mbetura dhe nëse muaji është me 30 ditë atëherë nëntë netë mbesin kur kalojnë 21 netë dhe nata e 22 është nata teke dhe po ashtu pesë netë mbesin kur kalojnë 25 netë dhe nata e 26 është nata teke e kështu me radhë deri në fund të muajit. Pra, çdo natë çifte sipas mënyrës së parë kthehet në natë teke sipas mënyrës së dytë mirëpo nëse muaji është me 29 ditë atëherë netët teke sipas mënyrës së parë barazohen me netët e teke sipas mënyrës së dytë.
Njëri prej sahabëve i cili është Ubej bin Kab -radiallahu anhu- e ka përcaktuar me ditë të veçantë dhe është betuar se është nata 27 e Ramazanit. E transmeton Muslimi. Kjo thënie është thënie sahabiu e cila edhe pse ka peshën e saj nuk ka sigurinë e fjalës profetike.
Atëherë bazuar në këtë sqarim themi se më e mira gjë në lidhje me natën e Kadrit është kërkimi i saj në të gjithë 10 netët e fundit të Ramazanit se vetëm kështu ka siguri të plotë dhe prandaj profeti alejhi selam e ka ndërruar ngujimin e tij në Ramazan nga dhjetëditëshi i mesit të tij në dhjetëditëshin e fundit siç ka ardhur në hadithin e Ebu Saidi El-Khudri sipas transmetimit të Buhariut dhe fakti që profeti -alejhi selam- e ka harruar atë natë ka qenë për një qëllim të caktuar nga Allahu në mënyrë që myslimanët ti kushtojnë rëndësi të gjithë këtij dhjetëditëshi sepse shpërblimet e mëdha arrihen me përpjekje të madha.
Përfundim.
Pas sqarimit të lartpërmendur arrijmë në përfundimin se:
1- Nata e Ragaibit nuk ka fare baze në sheriat dhe e gjitha është e trilluar, edhe si emertim edhe adhurimet e vecanta te saj.
2- Nata e Israsë dhe e Miraxhit është e vërtetë por nuk dihet me saktësi se kur ka ndodhur, as viti dhe as muaji.
3- Nata e Beraetit është e vërtetë dhe dihet se kur është por adhurimet e vecanta në të nuk kane bazë në fenë e Allahut.
4- Nata e Kadrit është nata me saktësinë më të madhe në fe dhe vlera e saj dihet nga te gjithe, po ashtu edhe adhurimi në të, veçse kërkimi i saj në të gjithë dhjetëditëshin e fundit ka siguri të plotë në arritjen e bereqetit të saj. Gjithashtu edhe ai që e kërkon atë veçanërisht në natën e 27 nuk kritikohet se ka për bazë fjalën e Ubej bin Kab radiallahu anhu.
A lejohet festimi i këtyre netëve që dihen me ushqime e sidomos ëmbëlsira siç bëjnë njerëzit?
Përgjigja: Nata e Beraetit është për të rregulluar marrëdhëniet e besimit me Allahun dhe marrëdhëniet morale me njerëzit kurse nata e kadrit është për adhurim. Pra, këto netë nuk janë për festim siç bëjnë njerëzit dhe në lidhje me këtë veprim Ebu Bekr Et-Turtushi thotë:
Prej bidateve është bashkimi i njerëzve në Andalozi për të blerë ëmbëlsira natën e 27 të Ramazanit.
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve