Këtë hadith nuk arrita ta kuptoj mirë vetëm se pas një historie që e dëgjova nga një person bashkëkohor që m’u tregua nga fqinji i tij. Ai tregon se ky fqinji ishte djalë i ri që nuk e njihte namazin, konsumonte alkool dhe ishte i përfshirë në shumë vese të tjera të këqija.
Ai thotë: Pastaj papritur ai do ishte më i miri mes nesh në perfeksionimin e namazit të tij, madje deri aty sa qëndronte në xhami deri në kohën e duhasë (paradites), pra deri rreth orës nëntë.
I habitur nga ndryshimi i tij, i thashë: Çfarë të ndodhi? Ai më tha: Këtë namaz unë nuk e njihja më parë, – dhe e përshkroi gjendjen e tij të mëparshme si një gjendje të keqe. Tha: Një natë aty nga fundi i natës me ezanin e sabahut, dola në një natë të ftohtë dimri. Kisha veshur një pallto të trashë dhe dola për të blerë pak bukë me paratë e pakta që kisha.
Jo se kisha nevojë për bukë por sepse në shtëpi mbaja alkool dhe nuk mund ta pija atë pa qenë i ngopur. Dola për të blerë bukë për këtë qëllim. Në rrugë pashë një qen të vogël që dridhej nga uria dhe i ftohti. Në zemrën time ndjeva mëshirë për të, e mora në pallton time dhe e ngroha. Harrova qëllimin për të cilin kisha dalë dhe bleva qumësht. E çova atë në shtëpi dhe i dhashë të pinte qumësht. Qeni u ngop, u ngroh dhe u qetësua, ndërsa unë hyra brenda në dhomë dhe fjeta. Kur u zgjova zemra ime nuk e duronte më alkoolin sikur dëshira për të u hoq nga zemra ime. Prej kësaj fjale arrita ta kuptoj këtë hadithin e gruas lavire të Beni Israilëve që i kishte dhënë qenit të pinte ujë. Pra, kjo grua nga Beni Israilët që ishte e përfshirë në prostitucion, duhet ditur se ajo që meret me diçka të tillë nuk e ka të lehtë të heqë dorë nga kjo praktikë brenda një dite dhe një nate.
Shpirti i saj ishte mësuar të kënaqej në mënyrë të paligjshme dhe nuk ishte e lehtë të hiqte dorë në një çast. Por ai tha: “U hoq nga zemra ime,” pra për shkak të mëshirës së tij për këtë qen Allahu ia hoqi nga zemra dëshirën për të pirë alkool. Ndërkohë që dikush tjetër i cili dëshiron ta lërë pijen duhet të përballojë një luftë të madhe deri sa të hiqet nga zemra e tij. Ai u zgjua nga gjumi dhe nuk mund ta duronte më alkoolin, dhe që nga ajo kohë Allahu ia përmirësoi gjendjen.
Kjo histori duhet t’i tregohet atij që është i përfshirë në mëkate të mëdha dhe në vepra të këqija të cilat ia kanë marrë një pjesë të madhe të jetës dhe të moshës së tij. I tregohet për të mos e takuar Allahun me ato mëkate, por të bëjë vepra të mëdha të mira si këto që përmbajnë mëshirë. Pra; mëshirë për të dobëtit, mëshirë për të varfërit, mëshirë për jetimët, mëshirë për vejushat, mëshirë për kafshët. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Mëshironi ata që janë në tokë që t’iu mëshirojë Ai që është në qiell.”
Nëse kjo mëshirë zë vend në zemrën e tij dhe e shtyn atë të tregojë dhembshuri për të varfrit, për nevojtarët, për kafshët, pra nëse i mëshiron ato kjo është një nga dyert e suksesit për njeriun, zbritjen e mirësisë tek ai, fitimin e faljes nga Allahu dhe një derë nga dyert e xhenetit.
Ky hadith përmban shumëllojshmërinë e rrugëve të mirësisë nga njëra anë, gjithashtu sqaron çelësat e së mirës ku ndër të tjera është t’i bësh mirë çdo qënie të gjallë që ka shpirt dhe të tregosh mëshirë ndaj saj.
Kjo në vetvete është një derë e së mirës dhe një çelës për dyert e mirësisë.
Autor: Abdurrezak el Bedr
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: hadith