Vështrim rreth tekbireve të festës së Kurban Bajramit

Vështrim rreth tekbireve të festës së Kurban Bajramit

Tekbiret e festës së Kurban Bajramit janë përmendur dy herë në Kuran.

E para: Janë përmendur së bashku me dhjetëditëshin e Dhul-Hixhes.
Allahu i madhëruar thotë: “Dhe thirri njerëzit për në Haxh që të vijnë në këmbë dhe hipur mbi deve nga çdo grykë e thellë, për të prezantuar në mirësi dhe për të përkujtuar Allahun në ditë të shënuara.” Suretu El-Haxh: 27-28.

Ibn Kethiri thotë: Ditët e shënuara janë dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes, siç kanë thënë: Ibn Abasi, Ebu Musa el-Eshari, Muxhahidi, Ata, Said bin Xhubeir, El-Hasen El-Basri, Katade, Ed-Dahaku, Ata El-Khurasani, Ibrahim En-Nehaij. Gjithashtu, medhhebi i Shafiut dhe fjala më e njohur e Ahmed bin Hanbelit.

Ibn Umeri (radiallahu anhu) tregon se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Nuk ka ndonjë ditë më të madhe tek Allahu ku punët e mira të jenë më të dashura për Të sesa këto dhjetë ditë. Prandaj, shpeshtojini në to; tehlilin, tekbrin dhe tahmidin.” E transmeton Imam Ahmedi.

Hadithi i Ibn Umerit nuk është edhe aq i saktë por e përforcon atë puna e disa sahabëve dhe e disa tabiinëve. Imam Buhariu thotë: Ibn Umeri dhe Ebu Hurejra (radiallahu anhuma) dilnin në treg në këto dhjetë ditë dhe bënin tekbire, dhe njerëzit përcillnin tekbirin e tyre.”

Jezid bin Ebu Jezid thotë: Kam parë Said bin Xhubejrin, Abdurrahman bin Ebu Lejla, Muxhahidin dhe të tjerë prej fukahave duke thënë në këto dhjetë ditë: ALLAUHU EKBER, ALLAHU EKBER, LA ILAHE IL-LALLAH, ALLAHU EKBER, ALLAHU EKBER, UE LILAHIL-HAMD.” E transmeton El-Firaberi.

E dyta: Janë përmendur vetëm tekbiret e Teshrikut d.m.th. tre ditëve pasuese të ditës së parë të Kurban Bajramit.

Allahu i Madhëruar thotë: “Kujtojeni Allahun në ditët e numëruara.” Suretu El-Bekara: 203.
Ibn Abasi (radiallahu anhu) në lidhje me këtë ajet thotë: Ditët e numëruara janë ditët e teshrikut.
Nubejshe El-Hudhelij (radiallahu anhu) tregon se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Ditët e Teshrikut janë ditë ngrënie, pirje dhe përkujtimi për Allahun.” E transmeton Ahmedi dhe Muslimi.
Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) në lidhje me përmendjen e Allahut thotë: Këtu futen përmendja e Allahut në therjen e Kurbaneve (Bismilah, Allahu Ekber) dhe tekbiret. Shiko tefsirin.

Pra, në këto ajete kemi një nxitje të përgjithshme për përkujtimin e Allahut në ditët e festës së Kurban Bajramit, së bashku me ditët e para të Dhul-Hixhes. Për këto tekbire nuk ka ndonjë kohë të veçantë siç shihet qartë nga transmetimet.

Ndërsa në lidhje me ditët e festës të cilat janë siç ka thënë Profeti (alejhi selam): “Dita e Arafatit, dita e Kurbanit dhe tre ditët e Teshrikut janë festat e pasuesve të Islamit.” Transmetohet se sahabët në këto ditë bënin edhe tekbire të tjera.

Abdullah bin Mesudi, Abdullah bin Abasi, Omeri dhe Aliu (radiallahu anhum) bënin tekbire nga namazi i sabahut deri pas namazit të ikindisë në ditën e fundit të teshrikut, siç e transmeton Ibn Ebi Shejbe.
Imam Ibn El-Mundhir (Allahu e mëshiroftë) i njohur në fushën e fikhut të haditheve, të gjitha tekbiret e lartpërmendura të sahabëve që i bënin nga sabahu i ditës së Arafatit deri në ditën e fundit të teshrikut i radhit te tekbiret menjëherë pas namazeve. Kështu kanë bërë edhe shumë dijetarë të tjerë.
Është pyetur sheihul islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) për tekbiret e dy festave (tekbiret e veçanta të festës): Kur është koha e thënies së tyre?

Ai është përgjigjur: “Mendimi më i saktë sipas të cilit janë shumica e selefëve dhe dijetarëve prej sahabëve dhe imamllarëve të fikhut në lidhje me tekbirin, është: Ai fillon nga sabahu i ditës së Arafatit deri në fund të ditëve të kurbaneve, menjëherë pas çdo namazi. Gjithashtu, sheriati ka nxitur për tekbirin me zë për çdokënd kur del për në festë, dhe për këtë janë në pajtueshmëri të katër imamllarët.” Shih Mexhmual Fetaua 24/220.

Nuk duhet menduar se tekbiret në këto ditë janë vetëm tekbiret e veçanta pas namazeve farze. Ibn Kethiri kur flet për tekbiret e teshrikut tek ajeti i sures El-Bakare, thotë: “Këtu futen dhikri i veçantë pas namazeve dhe dhikri i përgjithshëm i cili bëhet në çdo kohë.” Shiko tefsirin.
Është transmetuar se Ibn Omeri bënte tekbir në Mina (ditët e teshrikut) pas namazeve, i shtrirë në çadrën e tij dhe gjatë ecjes në të gjitha ditët (e teshrikut).” Transmeton Ibn El-Mundhir me zinxhir të saktë.

Dr. Abdullah Nabolli