Leximi me meditim i Kuranit është një kërkesë e vet Kuranit dhe ai nuk pranon të lexohet pa u thelluar në të: “A nuk e meditojnë ata Kuranin?!” | Muhammed: 24.
Një nga përfitimet më të mëdha të këtij leximi është: njohja e ligjeve të Allahut. Po, Allahu i Madhëruar ka ligje universale të cilat nuk i ndryshon për askënd, besimtarë apo jobesimtarë: “Dhe ti nuk do të gjesh ndryshim në ligjet e Allahut.” | El Ahzab: 62.
Siç janë p.sh. ligjet e ndryshimit të shoqërisë: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë vetet e tyre.” | Er Ra’d: 11. Qoftë për mirë apo për keq, ashtu do të vijë edhe ndryshimi prej Allahut. Për të kuptuar rëndësinë e edukimit të shoqërisë kah e mira në mënyrë që Allahu ta ndryshojë jetën e tyre dhe ta përmirësojë atë, ndryshim ky që nuk mund të vijë nga lart poshtë, pra nëpërmjet pushtetit të ligjeve.
Prej ligjeve të Allahut që Ai na i ka sqaruar në Kuran është gjithashtu edhe fjala e Allahut të Madhëruar që thotë: “Dhe kështu Ne u japim pushtet disa të padrejtëve mbi disa të tjerë për shkak të asaj që ata punonin.” | El En’am: 129. Malik ibën Dinari thotë: “Kam lexuar në Teurat: ‘Unë hakmerrem ndaj hipokritëve me hipokritë, pastaj hakmerrem ndaj të gjithë hipokritëve.” Siç ka ardhur në komentin e këtij ajeti tek tefsiri i Ibën Kethirit. Pastaj Ibën Kethiri thotë më poshtë: “Ashtu siç u dhamë pushtet xhinëve mbi ata të shkatërruarit prej njerëzve të cilët i devijuan ata, kështu bëjmë edhe me zullumqarët; u japim atyre pushtet mbi njëri-tjetrin dhe i shkatërrojmë me njëri-tjetrin. Hakmerremi ndaj tyre me njëri-tjetrin si shpërblim për padrejtësitë e tyre dhe për tejkalimin e kufijve (të Allahut).”
Për shkak të gjynaheve të tyre njerëzit do të sundohen nga të padrejtët, prandaj kjo e bën edhe më të domosdoshme që ndryshimi të vijë siç u tha më lartë nga baza e piramidës, nga populli. Ata duhet të edukohen që të jenë të drejtë dhe të mirë që Allahu tu sjellë sundimtarë të drejtë e të mirë. Këtë ligj e kuptuan më së miri sahabët dhe të parët tanë të mirë, prandaj ata thoshin: “Prijësit tuaj janë si punët tuaja.” “Si të jeni, ashtu do t’i keni ata mbi krye.”
Kjo duket edhe tek hadithi profetik që thotë: “Ndihmoje vëllanë tënd qoftë ai i padrejtë apo që i është bërë padrejtësi. – Sahabët i thanë: Kur i është bërë padrejtësi e kuptojmë që duhet ndihmuar, por kur bën padrejtësi si ta ndihmojmë?! – Tha: Duke e penguar nga padrejtësia. Kjo është ndihma jote ndaj tij.” E transmeton Buhariu me nr. 6952.
Duhet ta ndërpresim zinxhirin e padrejtësisë në mënyrë që ajo të mos shkojë deri lart në karrigen e pushtetit.
Po ashtu, prej ligjeve të Allahut të shpalosura në Kuran është edhe fjala e të Lartësuarit që thotë: “Sikur Allahu tu jepte të mira me bollëk robërve të Tij, ata do ta tepronin në tokë.” | Esh Shura: 28.
Shikojeni sot sesa larg ka shkuar njerëzimi pasi Allahu ua zgjeroi kufijtë e të mirave në shkencë, teknologji dhe furnizim… Ata tejkaluan çdo cak njerëzor, shkuan mbas çdo epshi në një mënyrë ndoshta të panjohur kurrë më parë duke grumbulluar gjithë cilësitë e këqija të popujve të mëparshëm, të zhytur në çdo krim njerëzor. Allahu na ruajt!
Disa prej këtyre ligjeve janë përmendur edhe në hadithe, siç është fjala e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem:
Abdullah ibën Umeri thotë: Isha njëri nga të dhjetët në xhaminë e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, dhe u ngrit një djalosh prej ensarëve (medinasve) dhe tha:
“O i Dërguar i Allahut, cili besimtar është më i miri?
– Më i moralshmi prej tyre!
– Cili prej besimtarëve është më i zgjuari?
– Ai që e kujton më shumë vdekjen dhe përgatitet më mirë për të para se ajo të zbresë mbi të. Këta janë më të zgjuarit.
Djaloshi u ul. Atëherë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem u kthye nga ne dhe tha:
– O ensarë! Janë pesë cilësi që e lus Allahun të mos ju arrijnë (sh.p. sepse pasojat e tyre janë të rënda).
1. Nuk shfaqet me të madhe imoraliteti në mesin e një populli derisa ta bëjnë atë haptas, veçse do të shfaqen tek ata murtaja dhe sëmundje që nuk kanë qenë të përhapura tek të parët e tyre.
2. Nuk do të masin dhe peshojnë mangët (sa herë që do të hanë në kandar) vetëm se do t’i dënojë Allahu me thatësi, me fitimin e mjeteve të jetesës me shumë mundim dhe me padrejtësinë e pushtetarit ndaj tyre.
3. Sa herë që nuk e japin zekatin e pasurive të tyre do vuajnë nga mungesa e shiut, dhe sikur të mos ishin kafshët (që janë të pafajshme) nuk do tu ishte lëshuar aspak shi.
4. Sa herë që do ta thyejnë besën ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Allahu do tu hedhë mbi kokë armiq të jashtëm të cilët do tua marrin disa nga të mirat që kanë në duar.
5. Sa herë që prijësit e tyre të mos gjykojnë me atë që ka shpallur Allahu dhe të zgjedhin prej ligjeve të Allahut të Lartmadhëruar çfarë të duan (disa i zbatojnë e disa jo), Allahu do t’i bëjë të luftojnë mes vete me ashpërsi.”
Imoraliteti sjell sëmundje shfarosëse dhe vdekjeprurëse të panjohura më parë, dhe këtë e kemi parë me sytë tanë.
Mungesa e besnikërisë së tregtarëve dhe shitësve sjell thatësi, skamje, vështirësim të jetës dhe padrejtësinë e pushtetarëve. Dhe këto i kemi parë.
Kopracia me pasurinë aq sa nuk nxirret zekati sjell mungesë të shiut, por na mëshiron Allahu dhe sjell shi për shkak të kafshëve.
Lënia pas dore e Kuranit dhe sunetit solli në tokat e muslimanëve pushtuesit dhe uzurpuesit që grabitën të mirat e muslimanëve.
Mosgjykimi me ligjet që Allahu ka zbritur në Kuran dhe në sunet solli armiqësi mes vet muslimanëve, aq të ashpër sa as armiqtë e Islamit nuk e shkaktuan dot.
Prej ligjeve të Allahut që janë përmendur në Kuran është edhe ajo që përmendet në suren Beled, ku Allahu i Madhëruar thotë: “E kemi krijuar njeriun në lodhje dhe mundime.” | El Beled: 4. Kjo do të thotë se nga ligjet e Allahut është që njeriu patjetër do të ketë lodhje, mundime dhe vështirësi gjatë jetës, besimtar apo jobesimtar qoftë. Këtë e përforcon edhe në ajetet më poshtë tek e njëjta sure, ku thotë: “Dhe i sqaruam atij për të dyja rrugët.” | El Beled: 10. Kështu shprehet Allahu i Lartësuar kur dëshiron të tregojë se ja ka bërë të qarta njeriut të dyja rrugët që ka para vetes, apo dy zgjedhjet. Dhe jo më kot ka zgjedhur fjalën “nexhdejn”, sepse fjala “nexhd” në gjuhën arabe përdoret për tokën e ngritur. Për këtë arsye është quajtur kështu edhe zona e Nexhdit (në Arabinë Saudite), sepse ajo është një tokë e ngritur më lart se të tjerat (në lartësi mbi nivelin e detit, zonë malore). Ndërsa këtu është për qëllim rruga e së mirës dhe rruga e së keqes. Janë quajtur kështu për të aluduar për atë se çdonjëra prej tyre është e vështirë dhe e mundimshme për tu kaluar, dhe nuk mund të durojnë të ecin në to veçse ata që janë të pajisur me durim, që triumfojnë mbi vetet e tyre dhe përpiqen. Prandaj ecja në rrugën e së keqes nuk është më e lehtë se ecja në rrugën e së mirës, përkundrazi, më së shumti ka mundime rruga e së keqes dhe ka më shumë peripeci.
Rruga e së mirës është më e lehtë sepse është rruga që do Allahu dhe të cilën ka premtuar se do t’ja lehtësojë atij që niset asaj rruge, do tja lehtësojë memorizimin e Kuranit, do ta udhëzojë e do t’ja bëjë të lehta veprat e mira. Allahu ka premtuar se dhikri i jep forcë besimtarit për të kryer adhurimet e tjera të Allahut, ka premtuar se Allahu është me durimtarët, dhe ka premtuar se fitorja do tu përkasë besimtarëve: “Dhe është detyra jonë ndihma e besimtarëve.” | Er Rum: 47.
“Me të vërtetë, Allahu është me ata që janë të devotshëm dhe me ata që janë vepërmirë.” | En Nahl: 128. Ai është me ta, i ndihmon, i fuqizon dhe i udhëzon: “Dhe ushtria Jonë, ata janë triumfuesit.” | Es Safat: 173.
Nga ligjet më të rrezikshme për njeriun është edhe ai që ka të bëjë me udhëzimin e tij. Nëse i vjen e verteta e qartë prej Allahut pastaj nuk e pranon atë, zemra e tij vuloset, Allahu na ruajt, dhe nuk ka më shans tjetër për udhëzim mbas saj. Për këtë Allahu i Lartësuar thotë: “Kështu Ne i rrotullojmë zemrat e tyre dhe shikimet e tyre ashtu siç nuk besuan ata herën e parë (kur u erdhën argumentet), pastaj i lëmë ashtu në humbjen e tyre të çoroditur.” | El En’am: 110.
Në këtë kontekst, Allahu i Madhëruar thotë: “Kur ata devijuan, Allahu ua devijoi zemrat e tyre.” | Es Saf: 5. Si ndëshkim për ta për devijimin që e zgjodhën vet… (i trajtoi ata) me drejtësinë e Tij. “Tefsiri i Sadit”.
Ndërsa në një ajet tjetër thotë: “E kush ja kthen shpinën përmendjes së Rrahmanit (të Gjithmëshirshmit) i caktojmë atij një shejtan që qëndron gjithmonë me të.” | Ez Zuhruf: 36.
Nuk i ndahet, ia bën të urryer të vërtetën, ia zbukuron të kotën, ia zbukuron devijimin duke ja paraqitur si rrugën e drejtë për tu ndjekur në jetë. “Tefsiri i Begauij”.
“U japim pushtet xhinëve të padrejtë mbi njerëzit e padrejtë.” Siç ka ardhur tek Ibën Kethiri. Prandaj përmendja e Allahut është shumë e rëndësishme të mos neglizhohet, dhe këshillave të Allahut njerëzit duhet tua vënë veshin dhe t’i marrin seriozisht. Përndryshe, pasojat e këqija të këtyre do t’i vuajnë ata vet, e ndoshta shansi për udhëzim mund të mos t’iu përsëritet.
Allahu na ruajt dhe na forcoftë!
Përgatitit: Emin Bilali
Të Ngjashme
- Rreziku i lidhjes mbas dynjasë dhe harresa e botës tjetër Emin Bilali
- “Njerëzve thuajuni fjalë të mira!” Emin Bilali
- Kuptimi i fjalës “Amin” Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Kush janë emrat e sures El Fatiha? Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Llojet e njerëzve në ditën e gjykimit Shejh Abdurrahman ibn Nasr es-Sadi