Istinbat është njohja preçize e nxjerrë nga kuptimi i një ajeti.
Shembulli i parë:
Allahu i Lartësuar thotë: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës), dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe.” |En Nasr: 1-2|
Buhariu transmeton nga Ibën Abasi se ka thënë: “Umeri më lejonte të ulesha në tubimet e pjesëmarrëve të Bedrit, por u duk sikur disave kjo nuk u pëlqeu dhe thanë: Pse e lejon këtë fëmijë të ulet në tubimet tona ndërkohë që edhe ne kemi fëmijë në moshë të tij? Umeri u përgjigj: Ai është aty për arsyen që ju e dini.
Një ditë tjetër Umeri e ftoi Ibën Abasin në tubim dhe ky i fundit tha: Unë e dija se më kishte ftuar që t’ua vërtetonte atyre diturinë time! Umeri pyeti: Çfarë thoni për fjalën e Allahut: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës)”? Disa prej tyre thanë: Ne u urdhëruam që ta lavdërojmë Allahun dhe të kërkojmë falje sa herë që Ai na ndihmon dhe na jep fitore. Ndërsa të tjerët heshtën pa thënë asnjë fjalë.
Umeri më pyeti: A kështu mendon edhe ti o Ibën Abas? Jo, – u përgjigja unë. Umeri tha: Çfarë mendon rreth këtij ajeti? Unë u përgjigja: Ky është një tregues për vdekjen e të Dërguarit të Allahut me të cilin Allahu e informoi, prandaj dhe tha: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës).” Ky është treguesi për vdekjen tënde. “Prandaj madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai, se Ai vërtet është Pranues i madh i pendimeve.” |En Nasr: 3|
Umeri tha: Unë nuk di ndonjë kuptim tjetër përveç atij që përmende.[1]
Shembulli i dytë:
Është ai që përmend Ibën Kethiri të përcjellë nga Shafiu, në lidhje me fjalën e Allahut të Lartësuar që thotë: “Askush nuk do t’i mbartë gjynahet e tjetrit dhe njeriu do ketë vetëm atë për të cilën ka punuar.” |En Nexhm: 38-39|
Pra, sikurse njeriu nuk do t’i mbart mëkatet e një personi tjetër, ashtu nuk do të marrë shpërblim përveç asaj që ka punuar për veten e tij. Përmes këtij ajeti fisnik imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, doli në konkluzionin se shpërblimi i leximit të Kuranit nuk mund t’i arrijë apo t’i dhurohet të vdekurit, sepse ky lexim nuk është nga ajo që ka fituar apo vepruar. Për këtë arsye i Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ve sel-lem, nuk e udhëzoi umetin e tij në këtë vepër, as nuk i inkurajoi dhe nuk i drejtoi në të me anë të ndonjë teksti apo ndonjë treguesi tjetër. Kjo nuk është transmetuar qoftë dhe vetëm nga njëri prej sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë, sepse po të ishte vepër e mirë ata do na kishin paraprirë.
Tema e kërkimit të afrimit me Allahun përmes një akti adhurimi është e kufizuar në tekstet (Kuran ose Sunet) që e vërtetojnë atë, dhe nuk mund të vendosen duke përdorur analogjitë dhe opinionet e njerëzve.
Sa i përket lutjes dhe dhënies së lëmoshës, për këtë ka dakortësi se u mbërrijnë të vdekurve dhe kjo është vërtetuar nga burime autentike nga Ligjvënësi, Allahu. Sa i përket hadithit që imam Muslimi transmeton nga Ebu Hurejra se Pejgamberi, salAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Kur njeriu vdes i ndërpriten veprat përveçse në tri gjëra; nga fëmija i devotshëm që bën lutje për të, nga sadakaja rrjedhëse që vazhdon të përfitojë prej saj pasi të ketë vdekur, dhe nga dituria që ka lënë pas dhe nga e cila përfitojnë të tjerët.”
Këto tri gjëra në realitet janë fryt i përpjekjes, mundimit dhe veprave të tij, siç është vërtetuar në një hadith ku thuhet: “Vërtet, gjëja më e mirë nga e cila mund të ushqehet njeriu është prej punës dhe fitimit të tij, dhe me të vërtetë që fëmija është prej punës dhe fitimit të tij.”[2]
Sa i përket lëmoshës që vazhdon pas tij siç është vakëfi për hir të Allahut dhe gjëra të tjera të ngjashme, ato përsëri konsiderohen fryt i veprave të tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Sigurisht që Ne i ringjallim të vdekurit, shënojmë veprat që kanë bërë dhe gjurmët e (punëve të) tyre. Ne e kemi llogaritur çdo gjë në një Libër të qartë.” |Ja-sin: 12|
Gjithashtu edhe njohuritë që përcolli tek njerëzit dhe ata e ndjekin edhe pas vdekjes duke përfituar nga dija e tij, konsiderohen punë dhe veprim i tij. Në një hadith autentik thuhet: “Ai që fton në udhëzim do të ketë shpërblim të ngjashëm me shpërblimin e atij që e ndjek atë, pa ia zvogëluar këtij të fundit shpërblimin e tij.”[3]
Marrë nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin?”
Shkroi: Shejh Muhamed Xhemil Zejno
Përktheu: Fatjon Isufi
——————————————–
[1] E përcjell Buhariu 6/94.
[2] E përcjell Tirmidhiu dhe Ebu Daudi, dhe e ka konsideruar të saktë autori i librit “Xhami el Usul”.
[3] Për më tepër shih “Tefsirin” e Ibën Kehtirit 4/258.
Të Ngjashme
- Rreziku i lidhjes mbas dynjasë dhe harresa e botës tjetër Emin Bilali
- “Njerëzve thuajuni fjalë të mira!” Emin Bilali
- Kuptimi i fjalës “Amin” Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Kush janë emrat e sures El Fatiha? Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Llojet e njerëzve në ditën e gjykimit Shejh Abdurrahman ibn Nasr es-Sadi