Një nga mënyrat e ndryshimit të së keqes

May 28, 2022

Një nga mënyrat e ndryshimit të së keqes.

Nuk bën që njeriu të thotë: Unë e kritikoj të keqen dhe nuk më intereson se çfarë ndodh më pas! Kjo fjalë nuk ka asnjë lidhje me njohjen e objektivave të sheriatit. Përkundrazi, njeriu duhet patjetër të shikojë se çfarë pasojash kanë veprimet e tij. Një beduin hyri në xhami ndërsa Profeti (paqja qoftë mbi të) po qëndronte me shokët e tij në xhami. Beduini u mënjanua në një cep të xhamisë, dhe çfarë bëri? Ai urinoi në xhami. Kjo gjë është një e keqe e madhe. Ku urinoi? Në xhaminë e Profetit të Allahut (paqja qoftë mbi të), para syve të Profetit dhe shokëve të tij! Çfarë bënë Sahabët? Ata u çuan drejt tij që ta qortonin sepse kjo që ai po bënte ishte diçka e keqe. Por çfarë bëri i dashuri ynë (paqja qoftë mbi të)? Ai tha: Lëreni dhe mos e pengoni.

Pasi kishte mbaruar së urinuari, Profeti (paqja qoftë mbi të) kërkoi një kovë me ujë dhe atë e derdhën mbi vendin ku ai kishte urinuar. Më pas e mësoi atë se xhamitë nuk janë vende ku bëhen gjëra të tilla të ndyra. Shikoni vëllezër sesi i shikonte Profeti (paqja qoftë mbi të) pasojat e veprimeve. Nëse sahabët do të reagonin ndaj beduinit në kohën që ai po urinonte, çfarë dëmesh do të shkaktoheshin? Do të ndërpriste urinimin gjë e cila do të ishte shumë e dëmshme për shëndetin e tij.

Ai mund të endej nëpër xhami dhe për rrjedhojë urina do të shpërndahej në shumë vende të xhamisë. Mund të ndynte veten dhe rrobat e tij nëse do të çohej duke ikur. Këto janë dëme të mëdha që shkaktohen nga kjo formë e të qortuarit. Kështu që Profeti (paqja qoftë mbi të) i ndaloi ata nga kjo mënyrë e të qortuarit dhe u tha ta linin e të mos e pengonin. Kur beduini mbaroi së urinuari Profeti (paqja qoftë mbi të) e largoi dëmin e urinës nëpërmjet derdhjes së kovës së ujit mbi të, pastaj i mësoi atij normat e xhamisë. Kështu pra, ai që urdhëron për mirë dhe ndalon nga e keqja duhet të njohë mirë pasojat e veprimeve. Nëse ndalimi nga e keqja shkakton një të keqe tjetër më të madhe, atëherë atij nuk i lejohet që të ndalojë nga ajo.

Shejh Sulejman Ruhajli

Përktheu: Rexhep Milaqi

Loading...