📜 Nuk është domosdoshmëri
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Nuk është e domosdoshme të kesh mendim për çdo çështje, problem apo situatë të re.
Edhe nëse ke mendim për njërën prej këtyre gjërave, nuk është e domosdoshme ta shprehësh atë, dhe nëse dëshiron ta shprehësh, nuk është e domosdoshme ta ndash atë me të gjithë, apo në çdo rast.
Nëse e shpreh mendimin tënd, nuk është e domosdoshme të ngulmosh në të, të tregohesh i ashpër apo të mendosh se është absolutisht i drejtë dhe i pamohueshëm.
Nëse dikush të kundërshton në mendim, nuk është domosdoshmërisht që ai të jetë armik, kundërshtar apo smirëzi.
Nuk është e domosdoshme që kur kritikon dikë, të përpiqesh ta diskreditosh, ta poshtërosh, apo ta zhveshësh nga çdo cilësi e mirë.
Nuk është domosdoshmëri që kur ke mosmarrëveshje me dikë, të bëhesh armik i tij, të nxisësh armiqësi apo të përhapësh të gjitha detajet e mosmarrëveshjes sa më shumë të jetë e mundur.
Nuk është domosdoshmëri që kur ke një konflikt me dikë, ta përhapësh atë tek çdo person i lidhur me të, duke përdorur parimin: “O je me mua, o kundër meje.” Mjafton që konflikti të mbetet sa më i kufizuar mes palëve përkatëse.
Nuk është e domosdoshme që kur shkruan një artikull apo poezi, të jetë i gjatë me fjalë, faqe apo vargje. Mjafton që ideja të përcillet, dhe nëse kjo arrihet me më pak fjalë dhe më thjesht, është më e mirë.
Nuk është domosdoshmëri që kur flet, diskuton apo shpreh një mendim, të zgjatesh pa arsye, duke rënduar dëgjuesit apo të pranishmit, përderisa qëllimi është arritur. Më mirë të thuhet nga njerëzit: “Do të ishte mirë të vazhdonte,” sesa: “Do të ishte më mirë të ndalonte.” Nëse kjo qasje do të përqafohej nga shumica, do të shpëtonim nga tepria e fjalëve, monotonia dhe rëndesa.
Nuk është e domosdoshme të jesh gjithmonë në krye të çdo mbledhjeje apo të nisësh çdo bisedë, pavarësisht sa i ditur apo i kulturuar je. Nuk është çdo vend i përshtatshëm për ty dhe as çdo ditë dita jote.
Nuk është domosdoshmëri që kur dështoke në një ditë apo në të drejtën e dikujt, ta përdorësh atë si justifikim për të vazhduar dështimin dhe për të lënë anash të mirën.
Nuk është e domosdoshme që kur e urren dikë, t’ia tregosh këtë me arsyetimin se je i sinqertë dhe i thua gjërat në sy. Urtësia e kërkon ta mbash këtë për veten tënde, pasi: “Ndoshta Allahu sjell miqësi mes jush dhe atyre që keni pasur armiqësi.”
✍ Dr. Muhamed bin Ibrahim el-Hamed
Universiteti i Kasimit
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: domosdoshmëri