Nuk ka bindje veçse në gjëra të lejuara

December 25, 2015

Nuk ka bindje veçse në gjëra të lejuara

Nga Aliu – Allahu qoftë i kënaqur me të – përcillet se ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -: “Nuk ka bindje në gjynahe, bindja është në gjëra të lejuara” Muttefekun alejhi.[1]

Ky hadith përcakton kufijtë e bindjes ndaj drejtuesve, prindërve, burrit dhe të tjerëve veç tyre (prej atyre që drejtojnë). Ligjvënësi (Allahu i Lartësuar) urdhëron për bindje ndaj tyre. Çdonjërit prej tyre i takon bindja sipas gjendjes së tij, por të gjitha këto duhet të jenë brenda të lejuarës. Sepse Ligjvënësi i ka kthyer njerëzit – në shumë prej gjërave që Ai urdhëron – tek zakoni dhe adetet, siç është: devotshmëria, ruajtja e lidhjeve farefisnore, drejtësia, bamirësia e përgjithshme, e po ashtu edhe bindja ndaj atyre që është detyrë tu bindesh.

Të gjitha ato përkufizohen me këtë kusht (të mos jenë gjynah ndaj Allahut). Dhe kush urdhëron prej tyre për diçka që është gjynah ndaj Allahut, siç është veprimi i harameve, apo mos-zbatimi i detyrimeve, në atë rast nuk ka bindje ndaj krijesës në kundërshtim të Allahut. Nëse ndonjëri prej tyre urdhëron vrasjen e dikujt që është i ndaluar të vritet, apo rrahjen e tij, apo marrjen e pasurisë së tij, apo që të lihet haxhi i detyrueshëm, apo një adhurim i detyrueshëm, apo urdhëron që të ndërpriten lidhjet me dikë që e kemi detyrë t’i ruajmë lidhjet, atëherë nuk u bindemi atyre, dhe bindja ndaj Allahut ka përparësi ndaj bindjes ndaj krijesave.

Nga ky hadith kuptojmë se: kur përballet bindja ndaj atyre që u përmendën me një adhurim vullnetar, atëherë bindja ndaj tyre është më përparësore, sepse lënia e adhurimit vullnetar nuk është gjynah. Kështu për shembull: nëse burri e ndalon gruan e tij prej agjërimit nafile, apo haxhi nafile, apo nëse udhëheqësi urdhëron për një gjë që çon në lënien e diçkaje që është e pëlqyeshme, atëherë është detyrë dhënia përparësi asaj që është detyrë (bindja ndaj drejtuesve).

Dhe fjala e tij – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -: “bindja është vetëm në vepra të mira” ashtu siç përfshin ato që përmendëm, ajo përfshin edhe kushtëzimin e saj (bindjes) me mundësinë dhe aftësinë, njësoj siç kushtëzohet kjo edhe për detyrimet e tjera fetare. Dhe në hadith tjetër ka ardhur: “E keni detyrë të dëgjoni dhe të bindeni në ato që keni mundësi”[2] Dhe Allahu e di më së miri.

Behxhetu Kulubil Ebrar

Autor Abdurrahman bin Nasir es Seadi

Përktheu Emin Bilali

[1] Bukhari në kapitullin: Dëgjimi dhe bindja ndaj udhëheqësit për sa kohë që nuk urdhëron për gjynah. (7145). Muslimi (1840).

[2] Transmeton Muslimi ((1836).

Loading...