Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë!

O njerëz! Adhuroni vetëm Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë!

Allahu i Madhëruar thotë: “Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehimi i tij do të jetë zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës.” El-Maide, 72.

Allahu i Madhëruar në këtë ajet na tregon për rrezikun e shirkut, bërjen shok, dhe se çdokush që bën shirk dhe vdes në këtë gjendje vendi i tij do të jetë zjarri i Xhehenemit ku do të qëndrojë përgjithmonë.

Dobitë që përfitohen nga ajeti:

E para: Rreziku i shirkut dhe se ai është mëkati më i madh. I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “A doni t’ju tregoj për mëkatet më të mëdha? Sahabët thanë: Po, o i Dërguari i Allahut. Ai tha: Shirku (bërja shok).” Shënon Buhariu me nr. (2654) dhe Muslimi me nr. (88).

E dyta: Shirku është padrejtësia më e madhe. Allahu i Madhëruar thotë: “(Kujtoje) kur Lukmani i tha të birit, duke e këshilluar: “O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe”. Lukman: 13.

E treta: Allahu i Lartësuar i’a ka ndaluar mushrikut hyrjen në Xhenet dhe vendi i tij do të jetë zjarri. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dërgoi një person të thërrasë tek njerëzit: “Në Xhenet do të hyjë vetëm muslimani.” Shënon Buhariu dhe Muslimi.

Në një tekst tjetër transmetohet “besimtari”. Sahih.

E katërta: Disa dijetarë kanë thënë se Allahu i Lartësuar nuk e fal shirkun e vogël, sepse ai është brenda në fjalën e Allahut: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij.” En-Nisa: 48. Këtë mendim ka zgjedhur edhe dijetari i Islamit Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë).

E pesta: Besimi se Xheneti dhe Zjarri janë të vërtetë. Xheneti është vendi që Allahu ka përgatitur për robërit e Tij besimtarë, ndërsa Zjarri është vendi i jobesimtarëve.

Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme