Frikësojuni Zotit tuaj

March 19, 2022

Allahu i Lartësuar thotë: “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili u krijoi prej një njeriu ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut me emrin e të Cilit kërkoni të drejtat e ndërsjellta dhe ruani lidhjet farefisnore. Vërtet, Allahu është përherë Mbikqyrës mbi ju. Jepuni pasurinë jetimëve, mos ua ndërroni sendet e tyre të mira me sendet tuaja të këqija. Mos e harxhoni pasurinë e tyre duke e përzier me pasurinë tuaj. Se kjo, me të vërtetë, është gjynah i madh.” En-Nisa: 1-2.

Dobitë e ajeteve:

1. Allahu i Madhëruar i urdhëron robërit e Tij që ta adhurojnë Atë, Një të vetëm e të Pashoq.

2. Allahu, Një i vetëm është Ai që meriton të adhurohet me të drejtë, sepse Ai na ka krijuar neve dhe ata para nesh.

3. Origjina e gjithë njerëzimit është një: Allahu e krijoi Ademin (alejhi selam) nga toka dhe prej tij krijoi bashkëshorten e tij (të Ademit) Havanë, ndërsa pjesën tjetër të njerëzve e ka krijuar (e krijon) nëpërmjet riprodhimit nga mashkulli dhe femra. Përveç Isait (alejhi selam) të cilin Ai e krijoi nga gruaja pa burrë.

4. Allahu i Lartësuar ka urdhëruar për mbajtjen e lidhjeve farefisnore dhe ua ka ndaluar robërve të Tij shkëputjen e tyre.

5. Allahu i Lartësuar i ka ndaluar kujdestarët nga ngrënia e pasurisë së jetimit në mënyrë të padrejtë.

 

“El-Meanij El-Hasan fi Tefsir El-Kuran”

Përktheu: Unejs Sheme

Loading...