Shkruante, jepte mësim ose lexonte

Ose shkruante, ose jepte mësim, ose lexonte.

Ibn Asakiri thotë në “Tebjinu kedhibil mufteri”[1], kur flet për jetën e Sulejm ibn Ejjub er Razit: “Më kanë treguar se ai e llogariste veten e tij deri tek frymëmarrjet. Nuk linte asnjë kohë bosh pa dobi. Ose do të ishte duke shkruar, ose duke dhënë mësim, ose lexonte… Mësuesi im Ebul Feraxh el Isfrajinij më tregon për të se një ditë i kishte shkuar për vizitë në shtëpi. Tha: Lexova një xhuz[2] gjatë rrugës!”
Dhe tha: Ai lëvizte buzët[3] kur mprehte majën e lapsit.

Nuk kishte kënaqësi më të madhe për të se mbledhja e librave

Ka ardhur në “Sijerun nubela”[4] tek jetëshkrimi i El Musntensir Bil-lah Ebul As el Hakemij ibn Abdurrahman el Emeuij, prijësi i Andaluzisë, se: “Ai ishte njeri i veçantë, plot vlera … i apasionuar pas grumbullimit të librave të shtrenjtë, qofshin ata të saktë e të dobishëm apo të kotë, aq sa biblioteka e tij arriti të numëronte 200 mijë libra!

Shpenzonte flori për mbledhjen e tyre, i jepte shitësit të librave aq sa i kërkonte derisa biblioteka e tij nuk kishte më vend për libra. Nuk kishte kënaqësi tjetër për të veç kësaj (kështu u shtua shumë dituria e tij).[5]

Ky njeri ishte besnik në citimet e tij, rrallë mund të gjesh ndonjë libër të tij pa thellësi mendimi dhe pa dobi. Shkruante emrin e autorit të librit (kur citonte prej tij), prejardhjen dhe vendlindjen e tij, dhe sillte gjëra të rralla dhe të bukura.”

Edhe nafilet i la sa të plotësonte leximin e librit

Tek jetëshkrimi i imam Tekijjuddin ibn Dekik el Iid (v. 702 h) siç citohet në librin “Et Talius seiid”[6] i Udfuuij, ka ardhur se atij (Ibn Dekik el Iidit) kur i mbërriti libri “Esh sherhul kebir”[7] i imam er Rafiiut – që e kishte blerë me 1000 dirhem – u mor me leximin e tij dhe u kufizua vetëm me faljen e namazeve të detyrueshme.

Zhytja në lexim edhe gjatë takimeve me njerëzit

Ibnul Kadij el Miknasi thotë në “Durratul hixhal”[8] tek jetëshkrimi i Muhammed ibn Alij ibn Sulejman (v. 749 h): “Ishte i dhënë mbas gjërave që i interesonin, zhytej në lexim dhe studim. Nuk e shikoje veçse në këtë gjendje, derisa edhe gjatë qëndrimit në mbledhje me sulltanin….”

E njëjta gjë përcillet edhe për Ebul Abas gjuhëtarin i njohur me emrin Eth Tha’leb (v. 291 h). Ka ardhur tek libri “El hath-thu ala talebil ilmi ue xhem’ih” i Ebu Hilal el Akserij ku ai thotë: “Thuhet se Tha’lebi nuk e ndante nga vetja një libër nga i cili mësonte. Kur e thërriste dikush për ndonjë sebep (gosti, gëzim) i vendoste si kusht që t’i përgatiste një jastëk të vogël (apo një mbështetëse) ku të hapte librin e tij e të lexonte.”

“Nxitësi për kërkimin e dijes”

Përktheu: Emin Bilali

———————————————————————-

[1] Fq. 263. Dhe tek “Sijerun nubela” 646/17.
Fekihu Sulejm er Razij është prej atyre që e kanë kërkuar diturinë në moshë të madhe. Ka nisur ta kërkojë diturinë pas moshës 40 vjeçare, siç përmend Ibn Asakiri në librin e tij të mëparshëm fq. 262. Një gjë e tillë transmetohet për një numër dijetarësh. Prej tyre përmendim: Salih ibn Kejsan, shiko “Tehdhibut tehdhib” (fq. 400/4), El Izz ibn Abdusselam siç ka ardhur tek “Tabekatush shafiijeh” (212/8) dhe në “Tabekatul mufessirin” (321/1), Alij ibn Hamzeh el Kisaij gramaticieni siç ka ardhur tek “Tarikhu baghdad” (404/11). Po ashtu një numër poetësh si dy Nabighat, El Xha’dij dhe Edh Dhubjanij (sh.p. Nabighatul Xha’dij dhe Nabighatu edh Dhubjanij), shiko “Esh shi’ru uesh shuara” (fq. 61, 131).

[2] Sh.p.: 1 xhuz = 20 faqe nga Kurani.

[3] Sh.p.: Përsëriste Kuranin, apo bënte dhikr, apo përsëriste diçka prej diturisë.

[4] 230/16. Thotë për të Dhehebiu: “Prej cilësive të mira që përmenden për të është edhe se; ishte dijetar, njeri që mblidhte rrëfimet dhe historitë dhe i shkruante ato (kronist), njeri me dinjitet, i matur, të impononte respekt dhe nderim. S’kishte të ngjashëm.” Po ashtu thotë Dhehebiu: “Prej veprave të mira të tij përmendet fakti se ai u tregua i ashpër kundër alkoolit në mbretërinë e tij dhe e asgjësoi atë krejtësisht, e zhduku. Sillej me edukatë me dijetarët dhe adhuruesit”.

[5] Sh.p.: Siç thotë Dhehebiu në “Sijer”.

[6] Fq. 580. Shiko gjithashtu “Xheuahirul ikdejn fi fadlish sherafejn” (119/1).

[7] I titulluar “Fet’hul aziz ala kitabil uexhiz” i imam Ebul Kasim Abdulkerim Muhammed el Kazuini er Rafiij (v. 623 h) në fikhun shafi. Është botuar i plotë kohët e fundit.

[8] 135/2. Ka thënë për të: “Konsiderohej biblioteka e medh’hebit të imam Malikut, pa harruar pjesëmarrjen e tij të gjerë në shkencat e hadithit të dy bazave (usulud din dhe usulul fikh) dhe të gjuhës.”