61/76. (Sahih) Na ka treguar Ali bin Muhamed nga Uekiu, nga Muhamed bin Fudajl dhe Ebu Muauijeh, nga Ali bin Mejmun er-Rakiju, nga Ebu Muauijeh dhe Muhamed bin Ubejd, nga El Eamashi, nga Zejd bin Uehbi, nga Abdullah bin Mesudi radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ai që fliste gjithmonë të vërtetën e që është i besueshëm ka thënë: “Çdo njeri formohet në mitrën e nënës së tij duke qëndruar dyzet ditë si pikë e lëngshme (nutfetun), pastaj, po për aq ditë bëhet copëz gjaku (alekatun), e më pas po për aq kohë bëhet copë mishi. Pas kësaj i dërgohet një engjëll dhe urdhërohet të shkruajë katër gjëra; veprën e tij, exhelin (sa do të jetojë), rrizkun e fëmijës, dhe a do jetë i trishtuar apo i lumtur. Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, se disa nga ju do të bëjnë vepra të banorëve të Xhenetit derisa ndërmjet tyre dhe Xhenetit t’i ndajë një parakrah, dhe aty do të ngadhënjejë ajo që është shkruar e kështu do fillojnë të praktikojnë vepra të njerëzve të zjarrit, derisa të hyjnë në të. Gjithashtu disa nga ju do të kryejnë punë të banorëve të zjarrit derisa ndërmjet tyre dhe zjarrit të ketë vetëm një parakrah hapësirë, e aty do të ngadhënjejë ajo që është shkruar, e si rrjedhojë do punojë vepra të njerëzve të Xhenetit dhe do të hyjë në të.”[1]
62/77. (Sahih) Na ka treguar Ali bin Muhamed nga Is’hak bin Sulejman, nga Ebu Sinan, nga Uehb bin Halid el Himsij, nga Ibën ed-Delejmij se ka thënë: Në veten time zuri vend diçka jo e mirë në lidhje me kaderin dhe u frikësova se kjo mos po ma prish fenë dhe çështjen time. Prandaj shkova te Ubej bin Kab dhe i thashë: O Ebu el-Mundhir! Në veten (shpirtin) time zuri vend diçka jo e mirë në lidhje me kaderin dhe u frikësova se kjo mos po ma prish fenë dhe çështjen time. Me trego diçka në lidhje me këtë se ndoshta Allahu më bën dobi. Tha: “Sikur Allahu t’i dënonte të gjithë banorët e qiejve dhe tokës – dhe Ai mund t’i dënojë ata -, ky dënim për ta nuk do ishte padrejtësi ndaj tyre. E sikur Ai t’i mëshironte të gjithë ata, atëherë mëshira e Tij do ishte më e mirë sesa veprat e tyre. Nëse do kishe ar sa mali i Uhudit ose sa mali i Uhudit ta shpenzoje në rrugë të Allahut, e gjitha kjo nuk do të pranohej nga ty derisa të besosh në kaderin. Dhe dije se ajo që të ka goditur nuk mund të të shmangej dhe ajo që nuk të ka goditur nuk mund të të godiste. Nëse vdes në diçka tjetër nga ky besim atëherë do të hysh në zjarr.”
“Shko tek vëllai Abdullah bin Mesudi dhe pyete në lidhje me këtë gjë.” Shkova tek Abdullahu dhe e pyeta, dhe ai përmendi të njëjtën gjë që më tha dhe Ubeji, pastaj më tha: Shko te Hudhejfja. Shkova te Hudhejfja dhe e pyeta në lidhje me këtë gjë, dhe ai më tha të njëjtën gjë siç më tha Ubeji dhe Abdullah bin Mesudi. Pastaj më tha: Shko te Zejd bin Thabit dhe pyete atë. Shkova te Zejd bin Thabit dhe e pyeta, ndërsa ai më tha: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të thotë: “Sikur Allahu t’i dënonte të gjithë banorët e qiejve dhe tokës – dhe Ai mund t’i dënojë ata -, ky dënim nuk do ishte padrejtësi ndaj tyre. E sikur Ai t’i mëshironte të gjithë ata, atëherë mëshira e Tij do ishte më e mirë sesa veprat e tyre. Nëse do kishe ar sa mali i Uhudit ose sa mali i Uhudit të shpenzoje në rrugë të Allahut, e gjitha kjo nuk do të pranohej nga ty derisa të besosh në kaderin. Dhe dije se ajo që të ka goditur nuk mund të të shmangej dhe ajo që nuk të ka goditur nuk mund të të godiste. Nëse vdes në diçka tjetër nga ky besim, atëherë do të hysh në zjarr.”[2]
63/78 (Sahih) Na ka treguar Uthman bin Ebi Shejbeh nga Uekiu, nga Ali bin Muhamed, nga Ebu Muauijeh dhe Uekiu, nga El Eamashi, nga Sad bin Ubejdeh, nga Ebu Abdurrahman es-Sulemij, nga Aliu radijAllahu anhu se ka thënë: “Ishim ulur te Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe në dorën e tij kishte një shkop dhe dogiste tokën. Pastaj e ngriti kokën dhe tha: Nuk ka ndonjë nga ju veçse i është shkruar vendi i tij në Xhenet dhe vendi i tij në zjarr. I thanë: O i Dërguar i Allahut! A ta lëmë punën dhe të mbështetemi te kjo? Tha: Jo! Punoni dhe mos u mbështesni te kjo, sepse secilit do i lehtësohet ajo për të cilën është krijuar. Pastaj lexoi: “Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai) dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës (besimit), Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit. Kurse atij që është koprrac, ndihet i vetëmjaftueshëm, dhe e quan gënjeshtër më të bukurën (besimin), Ne do t’ia lehtësojmë rrugën drejt dënimit.” | El Lejl: 5-10. [3]
64/79 (Hasen) Na ka treguar Ebu Bekr bin Ebi Shejbeh dhe Ali bin Muhamed et-Tanefisij, nga Abdullah bin Idris, nga Rabiah bin Uthman, nga Muhamed bin Jahja bin Habani, nga El Earaxhi, nga Ebu Hurejra, nga i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ka thënë: “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu se besimtari i dobët, por tek të dy ata ka mirësi. Prandaj trego kujdes në atë që të bën dobi dhe kërko ndihmën e Allahut e assesi mos u bëj i pafuqishëm (dembel). E nëse të godet diçka mos thuaj; Sikur të kisha bërë kështu dhe ashtu!” Por thuaj: KaderAllahu ue ma shae feal. (Caktimi i Allahut dhe Ai bën çfarë të dojë.) Ngase shprehja ‘sikur’ ia hap punën shejtanit.”[4]
65/80 (Sahih) Na ka treguar Hisham bin Amar dhe Jakub bin Humejd bin Kasib, nga Sufjan bin Ujejneh, nga Amër bin Dinar, nga Tausi, nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu, nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ka thënë: “Debatoi Ademi dhe Musa alejhimas-selam. Musa i tha atij: O Adem! Ti je babai ynë, na humbe dhe na nxorre nga Xheneti për mëkatin që bëre. Ademi i tha atij: O Musa! Allahu të zgjodhi me fjalën e Tij duke të folur drejt për së drejti dhe e ka shkruar për ty Teuratin me dorën e Tij. A po më bën mua fajtor për një çështje të cilën Allahu ma kishte përcaktuar dyzet vjet para se të më krijonte? Dhe Ademi e fitoi debatin me Musën, Ademi e fitoi debatin me Musën.” E tha këtë tri herë.[5]
66/81 (Sahih ligajrihi)[6] Na ka treguar Abdullah bin Amir bin Zurarah nga Sheriku, nga Mensuri, nga Ribiji, nga Aliu radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Njeriu nuk ka besuar derisa të besojë në katër gjëra: Të besojë në Allahun një të vetëm e të pashoq, (të besojë) se unë jam i Dërguari i Allahut, në ringjalljen pas vdekjes dhe në kaderin.”[7]
67/82 (Sahih) Na ka treguar Ebu Bekr bin Ebi Shejbeh dhe Ali bin Muhamed nga Uekiu, nga Talha bin Jahja bin Talha bin Ubdejdullah, nga halla e tij Aisha bintu Talha, nga Aisha nëna e besimtarëve radijAllahu anha se ka thënë: “Të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e thirrën për të falur namazin e xhenazes së një fëmije nga ensarët. Thashë: O i Dërguar i Allahut! Tuba[8] qoftë për këtë (fëmijë) që është zog prej zogjve të xhenetit. Ai nuk ka punuar asnjë vepër të keqe dhe as nuk e arriti moshën e pjekurisë. Tha: Ose ndoshta tjetër gjë nga kjo (që the) o Aishe. Me të vërtetë Allahu ka krijuar për xhenetin banorët e tij në kohën që ata gjendeshin akoma në shpinën e baballarëve të tyre. Dhe krijoi për zjarrin banorët e tij në kohën që ata gjendeshin në shpinën e baballarëve të tyre.”[9]
68/83 (Sahih) Na ka treguar Ebu Bekr bin Ebi Shejbe dhe Ali bin Muhamed nga Uekiu, nga Sufjan eth-Theuri, nga Zijad bin Ismail el Mahzumij, nga Muhamed bin Abad bin Xhaferr, nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se ka thënë: “Mushrikët kurejsh erdhën të debatonin me Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në lidhje me kaderin, dhe u shpall ky ajet: “Ditën e gjykimit ata do të tërhiqen me fytyrat e tyre në zjarr (e do t’u thuhet): Shijoni zjarrin e xhehenemit! Vërtet, Ne çdo gjë e kemi krijuar me masë të paracaktuar.” | El Kamer: 48-49. [10]
69/85 (Sahih ligajrihi) [11] Na ka treguar Ali bin Muhamed nga Ebu Muauijeh, nga Daud bin Ebi Hindi, nga Amër bin Shuajb, nga babai i tij, nga gjyshi i tij se ka thënë: “Një ditë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem doli tek shokët e tij ndërsa ata po debatonin në lidhje me kaderin, ndërsa fytyra e tij ishte skuqur nga zemërimi sikur të kishin shpërthyer kokrrat e shegës në të, dhe tha: A mos jeni urdhëruar për këtë gjë, apo jeni krijuar për këtë? Që të përplasni një pjesë të Librit të Allahut me një pjesë tjetër të tij? Me këtë (për shkak të saj) janë shkatërruar popujt para jush.”
Abdullah bin Amri radijAllahu anhu tha: Asnjëherë nuk jam gëzuar më shumë për veten time që nuk kam qenë prezent në ndonjë nga mexhliset e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem sesa mungesa në këtë mexhlis (ku u debatua për kaderin).[12]
70/86 (Sahih ligajrihi pa fjalën; “ky është kaderi”.)[13] Na ka treguar Ebu Bekr bin Ebi Shejbe dhe Ali bin Muhamed nga Uekiu, nga Jahja bin Ebi Hajeh Ebu Xhenab el Kelbij, nga babai i tij, nga Ibën Umeri radijAllahu anhuma, nga i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ka thënë: “Nuk ka epidemi, as bestytni dhe as supersticione. U ngrit një beduin dhe tha: O i Dërguari i Allahut! Cfarë mendon për atë deve të sëmurë me zgjebe dhe këtë sëmundje ua ngjit edhe deveve të tjera? Tha: Ky është kaderi. Kush e sëmuri devenë e parë?” [14]
71/88 (Sahih ligajrihi) [15] Na ka treguar Muhamed bin Abdullah bin Numejr nga Esbat bin Muhamed, nga El Eamashi, nga Jezid er-Rakashij, nga Gunejm bin Kajs, nga Ebu Musa el Eshari radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Shembulli i zemrës është si shembulli i pendës (puplës së zogut), të cilën era në shkretëtirë e kthen (shpie) nga të dojë.”[16]
72/89 (Sahih) Na ka treguar Ali bin Muhamed nga daja i tij Ja’la, nga El Eamashi, nga Salim bin Ebi el Xhadi, nga Xhabiri radijAllahu anhu se ka thënë: “Një burrë nga ensarët erdhi te Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe tha: O i Dërguar i Allahut! Unë kam një robëreshë, a më lejohet kur kryej marrëdhënie me të që ta derdh spermën jashtë vaginës? Tha: Ajo që është shkruar për të patjetër që do të ndodhë. I njëjti person erdhi pas disa kohësh dhe tha: Robëresha ime ka mbetur shtatzëne. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Nuk është përcaktuar nga Allahu diçka për njeriun vetëm se ajo do të ndodhë patjetër.”[17]
73/90 (Hasen ligajrihi pa fjalën e tij “dhe se burri…”)[18] Na ka treguar Ali bin Muhamed nga Uekiu, nga Sufjani, nga Abdullah bin Isa, nga Abdullah bin Ebi el Xhadi, nga Theubani radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk e shton jetën veçse bamirësia dhe nuk e kthen lutjen veçse kaderi. Me të vërtetë, personi privohet nga furnizimi për shkak të mëkateve që vepron.” [19]
74/91 (Sahih) Na ka treguar Hisham bin Amar, nga Ata bin Muslim el Hafaf, nga El Eamashi, nga Muxhahidi, nga Suraka bin Xhushum radijAllahu anhu se ka thënë: “Thashë: O i Dërguar i Allahut! A janë veprat sipas asaj që boja është tharë (ka shkruar lapsi) dhe çfarë ka kaluar (është paracaktuar) nga kaderi, apo është diçka në të ardhmen? Tha: Janë në varësi të bojës që është tharë (që ka shkruar lapsi) dhe çfarë ka kaluar (është paracaktuar) nga kaderi. Secilit njeri do i lehtësohet ajo për të cilën ai është krijuar.” [20]
75/92 (Hasen ligajrihi, pa fjalinë e dhënies së selamit.)[21] Na ka treguar Muhamed bin el Musafa el Himsij nga Bekijetu bin el Uelid, nga El Euzai, nga Ibën Xhurejxh, nga Ebi ez-Zubejr, nga Xhabir bin Abdullah radijAllahu anhu si i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Me të vërtetë mexhusët e këtij populli (umeti) janë përgënjeshtruesit (mohuesit) e kaderit të Allahut. Nëse sëmuren mos i vizitoni, nëse vdesin mos merrni pjesë në xhenazet e tyre, dhe nëse i takoni mos i përshëndetni me selam.” [22]
Përktheu: Unejs Sheme
—————————————————————-
[1] Buhariu 3208, Muslimi 26643, Ebu Daudi 4708, Tirmidhiu 2137, “Dhilalul-Xhenneh” 175-176, “El Irvau” 2143 dhe “Tuhfeh” 9228. Shejh Abdulmuhsin el Abadi ka thënë: Fjala e Ibën Mesudit: “Ai që fliste gjithmonë të vërtetën e që është i besueshëm”, do të thotë i sinqerti, i vërteti kur fliste dhe i besueshmi në atë që i kumtohej prej shpalljes. Ibën Mesudi i tha këto fjalë sepse çështjet që trajton ky hadith kanë të bëjnë me gjëra të gajbit (të fshehta), të cilat njihen vetëm nëpërmjet shpalljes. Fjalët e hadithit: “Çdo njeri formohet në mitrën e nënës së tij”, disa i kanë komentuar me fjalët: “Lëngu i burrit bashkohet me atë të gruas në mitrën e saj dhe prej tyre krijohet njeriu”, ashtu siç thotë Allahu i Madhëruar në librin e Tij: “Është krijuar prej një lëngu që hidhet.” | Et Tarik: 6. Gjithashtu thotë: “A nuk ju kemi krijuar nga një pikë lëngu e shpërfillur të cilën e vumë në një vend të sigurt (mitër).” | El Murselat: 20-21. Kuptimi i fjalës krijim është lënda prej së cilës është krijuar njeriu, sepse në Sahihun e Muslimit transmetohet se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Fëmija nuk krijohet nga i gjithë lëngu.”
[2] Ebu Daudi 4699, “Dhilalul-Xhenneh” 145, “El mishkah” 115, “Tahrixhu et-Tahauijeh” 447 dhe “Tuhfeh” 52, 9348 dhe 3726.
[3] Buhariu 1326, Muslimi 2647, Ebu Daudi 4694, “Dhilalul-Xhenneh” 171, “Er-Rauda en-Nedir” 701, Tirmidhiu 2136 dhe “Tuhfeh” 10167.
[4] Muslimi 2664, “Dhilalul-Xhenneh” 356 dhe “Tuhfeh” 13965.
[5] Buhariu 3409, Muslimi 2652, Ebu Daudi 4701, “Dhilalul-Xhenneh” 145 dhe “Tuhfeh” 13529.
[6] Te botimi i shejh Mesh’hur Al Selman është sahih.
[7] “Dhilalul-Xhenneh” 130, Tirmidhiu 2145, “El mishkah” 104, “Tahrixhul-muhtarah” 416-420 dhe “Tuhfeh” 10089.
[8] Thuhet se është emri i xhenetit ose emri i pemës në të.
[9] Muslimi 2662, Ebu Daudi 4713, Nesaiu 1947, “Es-Sahihah” 4/448, “Dhilalul-Xhenneh” 251, “El ahkam” 81 dhe “Tuhfeh” 17873.
[10] Muslimi 2656, Tirmidhiu 2157, “Dhilalul-Xhenneh” 349 dhe “Tuhfeh” 14589.
[11] Te botimi i shejh Mesh’hur Al Selman është hasen sahih.
[12] “El mishkah” 98-99 dhe 237, “Dhilalul-Xhenneh” 406, “Et-tealik er-ragib” 1/81-82 dhe “Tuhfeh” 8704.
[13] Te botimi i shejh Mesh’hur Al Selman është sahih, pa fjalën “ky është kaderi”.
[14] “Dhilalul-Xhenneh” 266-286, “Es-Sahihah” 782, “Ed-daifeh” 4808 dhe “Tuhfeh” 8580.
[15] Te botimi i shejh Mesh’hur Al Selman është sahih. Shejh Isam bin Musa Hadij thotë: Transmetohet merfuan (i adresuar te Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe meukuf.
[16] “Sahihul-shami 5833, “Dhilalul-Xhenneh” 227-228, “El mishkah” 103 dhe “Tuhfeh” 9024.
[17] Ebu Daudi 2173, “Dhilalul-Xhenneh” 362, “Es-Sahihah” 3/322 dhe “Tuhfeh” 2249.
[18] Te botimi i shejh Mesh’hur Al Selman është hasen (përveç fjalisë që gjendet mes kllapave; “Me të vërtetë personi privohet nga furnizimi për shkak të mëkateve që vepron”, e cila është daif).
[19] “Sahihul-muvarid” 911, “Es-Sahihah” 154 dhe “Tuhfeh” 2093. Hasen ligajrihi (i mirë me të tjerë) është ai hadith i dobët i cili ka disa rrugë transmetimi të cilat e forcojnë njëra-tjetrën, duke mos pasur në mesin e transmetuesve të tij gënjeshtarë dhe as të akuzuar për mashtrim. Është quajtur hasen ligajrihi sepse sikur të vërehej secila rrugë e trasmetimit të tij më vete, nuk do ta arrinte gradën e hadithit hasen, dhe kur bashkohen rrugët e tij ai forcohet dhe e arrin atë gradë. “Mustelahul-hadith” i shejh Ibën Uthejminit, Allahu e mëshiroftë. Sh.p.
[20] “Dhilalul-Xhenneh” 110 dhe 167 dhe “Tuhfeh” 3819.
[21] Te botimi i shejh Mesh’hur Al Selman është hasen, pa fjalinë e dhënies së selamit.
[22] “El mishkah” 107, “Dhilalul-Xhenneh” 328, “Er-Rauda en-Nedir” 197 dhe “Tuhfeh” 2879.
Dosje: sahabet