Të nderuar besimtarë! Vëllezër dhe motra për hir të Allahut!
Falimentimi, apo humbja në këndvështrimin fetar është: që njeriu të humbasë në raportin e tij me Zotin e Lartmadhëruar. Sepse nëse njeriu humbet në raportin e tij me Zotin e tij të Lartmadhëruar, ai me të vërtetë ka humbur totalisht. Prandaj Allahu i Lartmadhëruar është betuar – edhe pse Ai është më i vërteti në fjalë dhe nuk ka nevojë të betohet – përsëri Ai është betuar për të treguar rëndësinë e asaj për të cilën betohet, në një sure (kapitull) fisnik prej kapitujve të Librit të Tij – dhe të gjithë kapitujt e tij janë fisnikë – i cili është: “Suretul asr” ‘Kapitulli i kohës”– është betuar se nga humbja nuk shpëton askush prej njerëzve, kushdo qoftë ai, përveç me disa punë të caktuara, të sqaruara.
Dhe kjo ka ardhur në fjalën e Tij: “Pasha kohën!” Disa dijetarë kanë thënë se këtu është për qëllim koha e namazit të ikindisë (mbasditja) kohë të cilën Allahu e ka madhëruar dhe e ka shenjtëruar tek të gjitha legjislacionet e mëparshme. Dhe për këtë ka ardhur një hadith i saktë tek Bukhari ku Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – thotë: “Tre njerëz Allahu nuk i shikon, nuk i pastron dhe ata kanë dënim të dhembshëm… dhe përmendi në mesin e tyre… dhe një njeri që betohet rrejshëm pas ikindisë”
Prandaj kanë thënë dijetarët: betimi rrejshëm në këtë kohë ka gjynah më të madh se në çdo kohë tjetër. Dhe po kështu thuhet edhe për të gjitha adhurimet dhe të gjitha gjynahet që kryhen pas ikindisë. Allahu i do më shumë adhurimet që kryhen në këtë kohë dhe i urren më shumë gjynahet që bëhen në këtë kohë.
Sidoqoftë këtu koha është e përgjithshme dhe është për qëllim e gjithë koha, orët dhe çastet, dita dhe nata, muajt dhe vitet. Sepse në këtë kohë ndodhin çështje të mëdha, dikush drejtohet për te Zoti i tij dhe pajiset me furnizim për në botën tjetër dhe fiton të dyja botët, e dikush tjetër i shton zullumet dhe padrejtësitë, mohimin dhe rebelimin ndaj Allahut dhe kështu humbet të dy botët.
“Me të vërtetë njeriu është në një humbje të sigurtë” Do të thotë: Çdo njeri kushdo qoftë ai, apo të gjithë njerëzit pa përjashtim, me profesionet e tyre të ndryshme, me gjuhët dhe ngjyrat e tyre të ndryshme, në çdo kohë dhe në çdo vend qofshin, të gjithë janë në humbje “Përveç atyre që besuan dhe, punuan vepra të mira dhe, e këshilluan njëri-tjetrin për të vërtetën dhe e këshilluan njëri-tjetrin për durim” (Asr: 1-3)
Nga kjo humbje nuk të shpëton asgjë, – ashtu siç u betua Zoti i qiejve dhe tokës – asgjë përveç besimit, veprat e mira, këshillimi për të vërtetën dhe këshillimi për durim. Këto të shpëtojnë nga humbja. Dhe le të meditojmë mirë te kjo sure, sepse Allahu i Madhëruar thotë: Përveç atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, dhe këshilluan njëri-tjetrin për të vërtetën… dhe nuk tha: Përveç atyre që besuan apo vepruan vepra të mira, apo këshilluan njëri-tjetrin… për të treguar se këto çështje duhet të mblidhen të katërta që njeriu të sigurohet nga humbja. Kjo është rruga e shpëtimit tek Allahu: besimi i saktë, punët e drejta, këshillimi për të vërtetën, ftesa e njerëzve në këtë fe, me fjalë dhe me shembull të mirë dhe porositja e vetes dhe e njerëzve për durim në këtë rrugë, në këtë fe deri në vdekje.
Dijetarët për këtë humbje kanë sjellë dy shembuj:
I pari: se çdo njeri kushdo qoftë ai, Allahu i ka dhënë në këtë jetë një kapital (një pasuri), dhe kapitali i njeriut janë xhevahire të shtrenjta dhe gjëra shumë të çmuara që nuk krahasohen me asgjë në këtë botë. Ato janë më me vlerë se çdo gur i çmuar dhe se çdo gjë tjetër e shtrenjtë, nuk krahasohen me asgjë tjetër në këtë botë.
Këta gurë të çmuar që janë kapitali i tij, janë çastet e jetës së tij, ditët dhe netët e jetës së tij, muajt dhe vitet e tij, këto janë pasuria e njeriut. Prandaj dije o njeri se jeta jote është kapitali yt.
Nëse pronari i kësaj pasurie është njeri i zgjuar, përparimtar, i dijshëm dhe i mençur, ai bën tregti me Zotin e tij me këtë kapital. Kështu ai shikon çastet e jetës së tij, në çdo moment prej tyre atij i drejtohet një urdhër nga Krijuesi i qiejve dhe tokës, siç janë kohët e namazeve, kohët e agjërimit, dhe adhurimet që janë në kohë të përcaktuara, dhe prandaj shpejton të fitojë kënaqësinë e Krijuesit të tij, dhe bën tregti me Krijuesin e tij – të Lartmadhëruar – dhe e vë në punë këtë pasuri me më të mirin që mund të bëhet tregti, i Cili është, Zoti i qiejve dhe tokës – i Madhëruari – dhe i shton bindjet ndaj Zotit të tij dhe veprat që Ai i do.
Dhe shikon çdo gjë që e ka ndaluar Krijuesi i tij dhe largohet prej saj. Kështu ai e vë në punë kapitalin e tij dhe bën tregti me Zotin e botëve. Prandaj, këtë vepër të mirë, shpenzimin e jetës në gjëra që e kënaqin Allahun, Ai e ka quajtur në një ajet: ‘tregti’, në një ajet tjetër e ka quajtur: ‘shitblerje’, dhe në një ajet tjetër: ‘borxh’. Dhe të gjitha këto janë me kuptim të përafërt.
Thotë i Lartësuari: “Kush është ai që i jep Allahut një borxh të mirë” (Bekarah: 245) kështu veprën e mirë e quajti borxh.
Dhe tha gjithashtu: “A tju tregoj për një tregti që ju shpëton nga një dënim i dhembshëm? (Ajo tregti është: ) Të besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij…” pastaj më poshtë tregoi çmimin që paguan ky tregtar duke thënë: “Ai ju fal gjynahet tuaja dhe ju fut në Xhennete nën të cilat rrjedhin lumenj” e deri në fund të ajeteve në suren Saff.
Dhe e ka quajtur gjithashtu: Shitje dhe blerje në fjalën e Tij: “Allahu bleu prej besimtarëve shpirtrat e tyre dhe pasuritë e tyre, me Xhennet (Teubeh: 111) dhe tha: “Gëzohuni me tregtinë që bëtë, kjo është fitorja madhështore” (Teubeh: 111).
Prandaj njeriu i zgjuar dhe i mençur nuk i humbet këto xhevahire të çmuara dhe këto sende të shtrenjta, që janë orët e jetës së tij, dhe minutat e sekondat e tij, përkundrazi ai e vë në punë këtë kapital, këtë pasuri dhe bën tregti me më të mirin që mund të bëhet tregti, që është: Krijuesi i qiejve dhe tokës. Nëse ti vjen me një të mirë Ai të vjen me dhjetë shpërblime, deri në 700, deri në aq sa nuk e di askush veç Allahut. Nëse robi i Tij i vjen duke ecur Ai i vjen duke nxituar, nëse robi i afrohet një pëllëmbë Ai i afrohet një krah. I Patëmeta është Allahu! Sa Bujar i madh është Ai!
Prandaj njeriu duhet ta shfrytëzojë jetën e tij në gjëra që i sjellin mirësi, ose duke u larguar nga të këqijat, nëse e bën këtë do të jetë në khajr të madh. Dhe nga kjo tregti do të fitojë: hyritë (gratë e Xhennetit) dhe djelmoshat shërbëtorë, pallatet e Xhennetit, dhe afërsinë e Zotit i Cili është i kënaqur me të, dhe pasuri që nuk shteron. “E nëse hedh sytë atje do të shohësh të mira të shumta dhe mbretëri të madhe” (Insan: 20)
E nëse pronari i kësaj pasurie është i pavëmendshëm, pa mend, që kupton pak prej Allahut, që nuk e di realitetin e gjërave, që nuk bën dallim mes përparimit dhe prapambetjes, e as mes dritës dhe errësirës së vërtetë, do ta shohësh atë se si luan me këto xhevahire të çmueshme që i ka dhënë Allahu, të cilat janë ditët e jetës së tij, dhe nuk ua di vlerën atyre. I kalon ato duke u marrë me thashetheme, dhe ndoshta shumicën e tyre i kalon në gjëra që e zemërojnë Allahun, që janë rënia në harame, rebelim ndaj ligjeve të Tij, dhe pason çdo shejtan që e thërret, qoftë ai prej xhinëve apo prej njerëzve, të cilët e thërrasin për në Zjarr dhe në zemërimin e Allahut të Lartmadhëruar.
Derisa i mbaron koha e caktuar prej ditëve të jetës së tij dhe i merret shpirti nga trupi, e ai vdes dhe i humbet kapitali i tij, dhe tërhiqet në varr duke qenë i falimentuar, i varfër.
Dhe Bota Tjetër o vëllezër është një vend që nuk bën për të varfrit, të falimentuarit, sepse atje nuk ka paradhënie, e as shitje, e as prapadhënie. Atje gjendet vetëm ajo që ka paraprirë njeriu prej veprave që ka bërë në këtë jetë.
“Nuk ka shtëpi njeriu pas vdekjes përveç asaj që e ndërtoi para se të banonte në të
Nëse e ndërton me mirësi ajo do të jetë banesë e këndshme
E nëse e ndërton me të liga, ndërtuesi i saj ka falimentuar”
Në Botën Tjetër nuk ka banesë tjetër përveç pallateve të Xhennetit apo burgjeve të Zjarrit – Allahu na ruajtë!
Ky ishte njëri shembull që kanë sjellë dijetarët për falimentimin, humbjen. Ndërsa shembulli i dytë është: ai që ka ardhur në një hadith prej Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – [1] se çdo njeri – kushdo qoftë ai – ka një vend në Xhennet dhe një vend në Zjarr. Kështu Allahu ka bërë një vend në Xhennet me emrin e çdo njeriu, dhe një vend në Zjarr me emrin e çdo njeriu. Kur Allahu t’i fusë në Xhennet banorët e Xhennetit, dhe banorët e Zjarrit në Zjarr, i bën banorët e Xhennetit të shikojnë vendin e tyre në Zjarr sikur ta kishin mohuar Allahun dhe ta kishin kundërshtuar Atë, në mënyrë që tua shtojë lumturinë për atë në të cilën gjenden. E atëherë ata thonë: “Falënderimi i takon Allahut i Cili na udhëzoi në këtë, dhe ne nuk do të ishim udhëzuar nëse nuk do të na udhëzonte Allahu” (A’raf: 43)
Pastaj Allahu ua tregon banorëve të Zjarrit vendet e tyre në Xhennet po t’i ishin bindur Allahut, të kishin besuar dhe të ishin të devotshëm, që tu shtohet keqardhja dhe dëshpërimi. Pastaj vendet me emrat e banorëve të Zjarrit në Xhennet Allahu ua jep banorëve të Xhennetit, dhe vendet e banorëve të Xhennetit në Zjarr ua jep banorëve të Zjarrit. Prandaj kush ia dha falas vendin e tij në Xhennet dikujt tjetër dhe morri vendin e tij në Zjarr, tregtia e tij është e falimentuar dhe ai është prej të humburve pa dyshim. Dhe ky është kuptimi i fjalës së Allahut të Lartësuar: “Të tillët janë ata që i humbën vetet e tyre për shkak se ishin të padrejtë ndaj argumenteve tona” (A’raf: 9).
Në këtë sure përmendet gjithashtu këshillimi për të vërtetën dhe për durim. Prandaj kanë thënë dijetarët, sado që njeriu të ngrihet dhe të përparojë dhe të ecë në rrugën e dijes, ai ka nevojë për shokë të cilët e këshillojnë dhe e përkujtojnë dhe e përqëndrojnë në këtë rrugë, dhe e nxisin të bëjë durim gjatë saj.
Për shkak të këtyre kuptimeve madhështore dhe kaq të rëndësishme shokët e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – sa herë që bashkoheshin pastaj ndaheshin, secili prej tyre e këndonte suren Asr para se të ndaheshin, sepse kjo është metodologjia e jetës, kjo është rruga ime në këtë jetë, kjo është rruga e atij që kërkon shpëtimin Prandaj ja përkujtonin njëri-tjetrit këtë sure sa herë që ndaheshin, secili prej tyre, kështu sillnin nëpër mend kuptimet e kësaj sureje kaq të shkurtër dhe kaq madhështore.
Dhe ky është një sunet i humbur, apo i zbehur në kohën tonë, që duhet ta ringjallim. Prandaj kalojnë vite të tëra dhe nuk del dikush të na përkujtojë me këtë sure. Allahu na përmirësoftë gjendjen dhe na bëftë ta kuptojmë fenë dhe, e lusim Allahun në lartësi ta udhëzojë atë që është i humbur prej nesh, ta shërojë atë që është i sëmurë, ta falë atë që ka gabuar, ta furnizojë atë që është i privuar dhe të na mbulojë të gjithëve me mëshirën e Tij të gjerë, dhe të na japë të mira në këtë botë dhe në Tjetrën dhe të na ruajë nga dënimi i Zjarrit dhe i varrit.
[1] Ka thënë imam Hejthemiu: Dhe në një transmetim ka ardhur: “Nuk hyn asnjëri në Zjarr veçse do të shikojë vendin e tij në Xhennet po të kishte vepruar mirë, që t’i shtohet dëshpërimi dhe keqardhja; dhe nuk do të hyjë askush në Xhennet veçse do të shikojë vendin e tij në Zjarr po të kishte vepruar keq, që t’i shtohet mirënjohja dhe falënderimi (ndaj Allahut)”. Transmeton Ahmedi dhe transmetuesit e rivajetit të parë janë të gjithë të saktë”
Dosje: Koha
Të Ngjashme
- Mirësitë e Allahut kërkojnë falënderim Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Dhjetë mënyra për tu mbrojtur nga shejtani Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Ramazani – testi dhe dhurata e radhës Emin Bilali
- Mësime dhe dobi të përfituara nga surja El Ihlas Udha e Besimtarëve
- Mbështetja tek Allahu Udha e Besimtarëve