Pastërtia e ujit

Transmetohet nga Ebi Seid el-Hudrij (radijAllahu anhu) se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Me të vërtetë, uji është i pastër (pastrues) dhe asgjë nuk e ndot atë.” Hadith autentik me rrugët dhe dëshmuesit e tij. Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi (66), Tirmidhiu (66) dhe En-Nesai (1/174).[1]

Transmetohet nga Ebi Umameh el-Bahilij (radijAllahu anhu) se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Me të vërtetë ujin nuk e ndot asgjë përveç asa që ia ndërron aromën, shijen ose ngjyrën e tij.” E ka nxjerr Ibën Maxhe dhe e ka konsideruar të dobët Ebu Hatim.

Transmetohet nga Abdullah bin Umeri (radijAllahu anhuma) se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nëse uji arrin sasinë e dy shtambave ai nuk mbart papastërti.”

Në një transmetim thuhet: “Nuk bëhet i papastër.” Ebu Daudi (64), Tirmidhiu (67), En-Nesai (1/175), Ibën Maxhe (517) etj. Hadithin e ka konsideruar të saktë Ibën Huzejme, El-Hakimi dhe Ibën Hibani.

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajtë) ka thënë: Prej këtyre haditheve përfitohen disa çështje:

E para: Nëse uji ndryshon me anë të papastërtisë ai bëhet i ndotur (papastër), qoftë ai i paktë apo i shumtë. Kjo është ajo për të cilin tregon hadithi i Ebi Seid el-Hudrij dhe Ebi Umame-s.

E dyta: Nëse ai nuk ndryshon me përzierjen e papastërtisë ai nuk konsiderohet i ndotur, qoftë ai i paktë apo i shumtë. Kjo është fjala e Malikut, Ahmedit – në një transmetim – dhe fjala e një grupi të dijetarëve.

Shkëputur me disa shkurtime nga libri: “Tes’hilul ilmam bifik’hil ehadith min bulug el-meram”.

 

Përktheu: Unejs Sheme

——————————————

[1] “El-Irua” (14) dhe “El-Mishkah” (288).