Hadithi me nr. 12 nga libri “Bulugul Meram”.
12 – Transmetohet nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: Një beduin erdhi dhe urinoi në një pjesë të xhamisë dhe menjëherë njerëzit nisën ta qortonin, por Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i ndaloi ata. Kur mbaroi së urinuari, Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, urdhëroi të sillej një kovë me ujë dhe të hidhej mbi të.
Buhariu 221, dhe Muslimi 284.
Biografia e Enesit
Enesi ishte nga banorët e Medines prej fisit Hazrexh. Ai i shërbeu Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, që nga koha që ai u vendos në Medine e deri kur u nda nga kjo botë. Në kohën kur Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, u vendos në Medine, Enesi ishte përafërsisht dhjetë vjeç. Në kohën e Umerit ai u vendos në Basra, ku u angazhua me edukimin dhe mësimin e njerëzve mbi dispozitat e fesë. Ishte sahabiu i fundit që ndërroi jetë në Basra. Vdiq në vitin 91 ose 93 sipas hixhretit, në moshën 99 ose 103 vjeçare.
Dobitë e përfituara nga ky hadith:
1 – Urina e njeriut është e pistë, gjë për të cilën nuk ka asnjë dilemë midis shkollave juridike Islame.
2 – Ajo pjesë e tokës e cila është bërë pis nga ndonjë ndytësi, pastrohet nëpërmjet hedhjes së ujit të bollshëm apo nëpërmjet rënies së shirave të bollshme mbi të.
3 – Mirëmbajtja e xhamive dhe pastrimi i tyre është detyrë mbi muslimanët.
4 – Butësia në ndalimin e të paditurit nga kryerja e diçkaje të keqe është prej etikës Islame.
5 – Morali i lartë i Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe mirësjellja e tij me njerëzit.
6 – Shmangia e dëmit të madh ka përparësi ndaj dëmit të vogël. Nëse sahabët do kishin tentuar ta ndalonin atë njeri nga kryerja e urinës duke qenë se ai kishte filluar të urinonte, atëherë do ndotej sipërfaqe më e madhe e xhamisë. Po ashtu, gjatë ikjes do ndoteshin rrobat e tij apo të dikujt tjetër.
Burimet: “Bulugul Meram”, “Subulu es-Selam”, dhe “El meusuah el fikhijjeh el Kuvejtijjeh”.
Përktheu dhe përshtati: Rexhep Milaqi
Dosje: Besimi
Të Ngjashme
- Sinqeriteti në Tregti Dr. Behar Hyseni
- Namazi i Personit të Vetëm pas Safit Dr. Fatmir Strumi
- Paralajmërimi nga ndjekja e të metave të njerëzve dhe cënimi i privatësisë së tyre Dr. Behar Hyseni
- Drejtësia – Themeli i qëndrueshmërisë së shoqërisë Shehul-Islam Ibn Tejmije
- Zullumi – rrënuesi i popujve dhe shoqërive Dr. Fatmir Strumi