A janë të gjallë Pejgamberët apo të vdekur?

February 20, 2021

A janë të gjallë Pejgamberët apo të vdekur?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut!

Pejgamberët (bekimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi ta) janë të vdekur përsa u përket banorëve të kësaj bote. Duke iu drejtuar Pejgamberit të fundit dhe më të zgjedhurit mes tyre, Allahu thotë: “Me të vërtetë, ti (O Muhamed) do të vdesësh dhe ata do të vdesin.” [Zumer 39:30]

Por tek Allahu ata janë të gjallë, sepse përderisa dëshmorët janë të gjallë  atëherë Profetët padyshim janë më të lartë në status para Tij. Shih Fet’h el-Bari, 6/444.

Është transmetuar në një hadith autentik se Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Profetët janë të gjallë në varret e tyre dhe aty falen.” Transmeton Bezari dhe është saktësuar nga shejh Albani në Sahih el-Xhami, me nr. 2790.

Lutja (namazi) që ata bëjnë është mirësi me të cilën ata kënaqen ashtu si njerëzit e Xhenetit që gjejnë kënaqësinë tek tesbihu (duke madhëruar Allahun).

Pejgamberët (bekimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi ta) që të gjithë janë në varret e tyre, përveç Isait (Jezusit) (paqja qoftë mbi të) të cilin Allahu e ngriti në qiell, siç thotë i Madhëruari: “Ata as e vranë as e kryqëzuan, por ashtu u është dukur. Ata që nuk u pajtuan për çështjen e tij me siguri që gjenden në dyshim për të. Ata nuk kanë ditur kurrgjë për të, por vetëm kanë hamendësuar. Ata në të vërtetë, nuk e kanë vrarë, por Allahu e ka ngritur pranë Vetes. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.”  [En-Nisa 4: 157-158]

Në lidhje me Pejgamberët që u falën pas Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) në natën e Israsë (udhëtimit të natës), ata u falën pas tij me shpirtrat e tyre ndërsa trupat e tyre ishin në varre. E njëjta gjë vlen edhe për shikimin e tij (Muhamedit) të Profetëve gjatë Miraxhit (ngjitjes në qiell) kur ai pa Ademin në qiellin më të ulët, Isain dhe Jahjan në qiellin e dytë,  Jusufin në të tretin, Idrisin në të katërtin, Harunin në të pestin, Musain në të gjashtin dhe Ibrahimin në të shtatin ose anasjelltas. Ai pa shpirtrat e tyre të shfaqur në formën e trupave të tyre.

Disa njerëz thonë se ai ka parë të njëjtët trupa që janë varrosur në varre, por ky mendim nuk ka asnjë bazë.

Ndërsa Isai (Jezusi) është ngjitur në qiell me trup dhe me shpirt, dhe e njëjta gjë thuhet edhe për Idrisin. Në lidhje me Ibrahimin, Musain dhe të tjerët, ata janë varrosur në tokë.

Mesihu (Jezusi) (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe të gjithë profetët e tjerë) do të zbresë në mënyrë të pashmangshme në tokë, në minaren e bardhë në lindje të Damaskut. Ai do të vrasë Dexhalin, do të thyejë kryqin dhe do të vrasë derrin, siç është saktësuar në hadithet autentike.

Prandaj ai është në qiellin e dytë dhe pse është më superior se Jusufi, Idrisi dhe Haruni. Kjo për faktin se ai do të zbresë në tokë para Ditës së Ringjalljes, ndryshe nga Profetët e tjerë.

Edhe Ademi është në qiellin më të ulët, sepse shpirtrat e pasardhësve të tij të cilët janë të bekuar (që janë të destinuar për në xhenet) do t’i shfaqen atij. Sa për shpirtrat e të dënuarve (ata që janë të destinuar për në xhehenem) dyert e xhenetit nuk do t’u hapen dhe ata nuk do të hyjnë në xhenet derisa deveja të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës. Pra nëse do t’i shfaqen, ai (Ademi) duhet të jetë pranë tyre.

Nuk ka asnjë kontradiktë për faktin se ata (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) u falën pas Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) dhe më pas ai takoi disa prej tyre pasi u ngrit në qiell. Shpirtrat janë si lënda e engjëjve dhe nuk janë si trupat, ata mund të ngjiten e të zbresin në një çast.

Marrë me disa shkurtime nga Mexhmu el Fetaua e Shejhul-Islam Ibn Tejmijeh (Allahu e mëshiroftë), 4/328-329.

https://islamqa.info/

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...