PENGESAT NË RRUGËN E KËRKIMIT TË DIJES
Pengesa e parë : Nijeti[1] i prishur
Nijeti është shtyllë e punës dhe themel i saj, prandaj nëse ndërhyn në të diçka që e prish atëherë edhe puna prishet në masën e prishjes së nijetit.
Profeti (Paqia dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Çdo punë vlerësohet sipas qëllimit, dhe secili do të shpërblehet sipas nijetit të tij”[2].
E, nëse nijeti përlyet me çfarëdolloj pisllëku siç është: dëshira për tu njohur, pasjoni për tu mbledhur rreth teje njerëz të shumtë, ambicja për tu dalluar në mes të të tjerëve, atëherë medoemos kjo do të jetë pengesë e fortë në rrugën e poseduesit të këtij nijeti.
Dihet se nijetin e turbullojnë shumë gjëra, por: “Ata të cilët luftuan (u përpoqën) në rrugën Tonë do ti udhëzojmë në rrugët Tona, e s’ka dyshim se Allahu është më të vyrtytshmit”[3].
Sufjan Eth-Theurij – Allahu e mëshiroftë – edhe pse ishte i njohur për devotshmëri dhe ruajtje të vetes thoshte: “Nuk kam kuruar gjë më të vështirë në veten time sesa nijetin“[4].
E, nëse gjendja e Imam Theurit ka qenë e tillë, si vallë është gjendja jonë?! Prandaj duhet që secili prej nesh të jetë i pastër në kërkimin e dijes, të mos e kërkojë atë veçse për hir të Allahut, sepse nijetin e shoqërojnë shumë prej papastërtive djallëzore – dhe kjo nuk është e habitshme – por habia më e madhe është kur njeriu vazhdon ti mbarti këto papastërti në nijetin e tij, prandaj duhet të përpiqet në veten e tij për largimin e tyre dhe t’i luftojë ato me të gjitha mundësitë e tij. Të mos ndalet në këtë dhe të mos bëhet pesimist, të lexojë për dijetarët dhe për ç’kanë përmendur për vetet e tyre; Thotë Ed-Darekutnij – i quajtur Prijesi i besimtarëve në Hadith – Allahu e mëshiroftë: “E kërkuam dijen jo për hir të Allahut por refuzoi (dija) dhe nuk pranoi të ishte veçse për Të“[5].
Disa e shpjegojnë këtë thënie: Se ndoshta në fillim kërkuesi i dijes mund të ketë dëshirë të shfaqet dhe të bëhet i njohur, por kur zhytet në dije dhe lexon argumente e histori duke i kuptuar ato, dhe është nga ata që Allahu i do të mirën, atëherë të gjitha këto e bëjnë atë të kthehet në udhëzimin e Tij, e, sa më shumë thellohet në kuptim aq më shumë kthehet në rrugën e drejtë e në mirësi. Por nëse është nga ata që e kanë mbuluar epshet dhe i pason ato, atëherë të mos qortojë veçse veten e tij!
Pengesa e dytë : Dëshira për tu shfaqur dhe për tu bërë i njohur
Edhe pse kjo pikë është pjesë e pikës së mëparëshme po e shqyrtojmë në veçanti për shkak të rëndësisë së saj. Dëshira për tu shfaqur dhe njohur është një sëmundje e fshehtë dhe e rrezikshme, nuk shpëton prej saj veçse ai që e ruan Allahu, siç ka thënë Shatibij: “Gjëja e fundit që largohet prej zemrave të njerëzve të mirë e të devotshëm është dëshira për post dhe shfaqje“[6].
Nëse qëllimi i kërkuesit të dijes është të njihet emri i tij, të përmendet në mesin e njerëzve, të nderohet kudo që gjendet, atëherë le ta dijë se e ka futur veten në shtigje të vështira. Mjafton të përmendim për këtë vetëm një hadith, fjalën e Profetit (Paqia dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të): “Të parët njerëz që gjykohen Ditën e gjykimit janë tre persona, – vazhdon deri sa thotë –: dhe një person i cili mësoi dijen për vete dhe ua mësoi atë edhe të tjerëve dhe lexoi Kur’anin; sillet dhe i bëhen të njohura mirësitë që ju dhanë dhe ai i njohu ato. E pyet Allahu: -Si veprove me këto mirësi? Tha: -Mësova dijen dhe ua mësova atë të tjerëve, dhe lexova për hirin Tënd Kur’anin! Atëherë Allahu i thotë: -Gënjeve, ti e mësove dijen me qëllim që njerëzit të të quanin dijetar dhe e lexove Kur’anin për tu quajtur lexues (i mirë), dhe njerëzit e thanë këtë! Pastaj urdhëron që të tërhiqet zvarrë me fytyrën përtokë dhe të hidhet në zjarr….“[7].
Dhe hadithi tjetër: “O mjerë për arabët, ajo gjë që i frikësohem më shumë për ju është : shirku dhe epshi i fshehtë“[8]
Ka thënë Ibnu Ethiri: “Epshi i fshehtë është dëshira që njerëzit të shikojnë punën tënde“[9]
Transmetohet se Faruku[10]-Allahu qoftë i kënaqur me të– ka kritikuar Ubejin kur pa njerëzit që shkonin mbas tij, e kritikoi ashpër duke i thënë: “Ndalo nga ky veprim, sepse kjo është sprovë për atë që pasohet dhe nënçmim për pasuesin“[11]
Është përmendur në librat e tezkijes[12] se: kur robi dëshiron apo ndjen kënaqësi të madhërohet kur hyn diku, dhe nëse nijeti i tij është vetëm që njerëzit ta mburrin dhe ta lavdërojnë atëherë e ka futur veten në një derë të madhe prej dyerve të syfaqësisë, prandaj do të shpërblehet nga Allahu sipas punës së tij. Për këtë shkak ky epsh apo kjo dëshirë është një fatkeqësi e madhe.
Selefët –të parët tanë të mirë, Allahu i mëshiroftë– kanë qenë njerëzit që ruheshin më shumë prej këtij epshi. Le të përmendim disa shembuj prej tyre:
Është përmendur në biografinë e Ejub Es-Suhtjanit –Allahu e mëshiroftë– nga Shu’be, fjala e tij: “Më kanë përmendur, dhe unë nuk dua të përmendem“[13]
Tregon Shu’be përsëri: “Dilja me Ejubin për ndonjë nevojë dhe nuk më lejonte të ecja me të, shpesh ndërronte rrugë për të mos rënë në sy të njerëzve“[14]
Tregon Hamadi: “Ecja me të, -pra Ejubin– dhe futej nëpër rrugica që nuk di se si orientohej në to, për tu shpëtuar shikimeve të njerëzve të cilët mund të thoshin:- Ky është Ejubi!“[15]
Ka thënë Bishr ibnul Harith: “Nuk i frikësohet Allahut ai që dëshiron të bëhet i njohur“[16].
Ka thënë Imam Ahmedi –Allahu e mëshiroftë-: “Dëshiroja të isha në luginat e Mekes që të mos më njihnin, por jam sprovuar me këtë (me njohjen)“[17] Dhe kur i thanë se njerëzit bëjnë dua për të tha: “Eh, shpresoj të mos jetë shkallëzim për në humbje“.
E, mbasi dëgjoi lavdërimet e njerëzve për të, i tha njërit prej nxënësve të tij duke e këshilluar: “O Eba Bekër, kur njeriu e njeh veten e vet nuk i bëjnë dobi fjalët e njerëzve” .
Dhe i ka thënë njëherë dikujt që i tregoi se njerëzit bëjnë dua për të: “E lus Allahun të na ruaj nga syfaqësia“[18].
Pengesa e tretë : Mos dhënia rëndësi mexhliseve të dijes
Selefët -të parët tanë të mirë – thoshin : “Dijes i shkohet, nuk vjen vetë“[19].
Dhe në këtë kohë kemi të drejtë nëse themi se sot dija vjen dhe nuk ka kush ta marë, të paktë janë ata që e marin! Nëse nuk i shfrytëzojmë mexhliset e dijes dhe mësimet që mbahen, do të kafshojmë gishtat prej pendimit atëherë kur nuk do të jetë koha e pendimit.
Sikur të mos ketë në këto mexhlise veç: qetësisë që zbretë mbi ata që marin pjesë, mëshirës që i përfshinë ata, engjëjt që i rrethojnë, dhe mbi të gjitha përmendjes së tyre prej Allahut tek engjëjt që ka afër, do të mjaftonte si shkak për ti prezantuar ato, e si, kur ai që mer pjesë arrin dy fitore të mëdha: shtimin e dijes dhe shpërblimin e Ahiretit?!
Do të flasim – në dashtë Allahu – për edukatën e mexhliseve në një temë të veçantë.
Pengesa e katërt : Preokupimi me punë të shumta
Shejtani e ka bërë këtë justifikim pengesë për marjen e dijes, derisa edhe atyre që i këshillojmë dhe nxisim për dije ua ka zbukuruar këtë, e ata, për të munguar nga mexhliset e dijes fajësojnë preokupimet e tyre të shumta, dhe duke vepruar kështu mendojnë se kanë justifikim të lejushëm dhe argument për lënien e kërkimit të dijes. Pra siç shikojmë këto preokupime janë shkaku kryesor në ndalimin e nxënësit prej mexhliseve dhe prej thellimit në dije. Por, atij që Allahu ia ka kthjelluar shikimin, që e programon kohën e vet, e shfrytëzon atë sa më mirë, ai arrin shumë! Gjuha e gjendjes së tij thotë: “Ai që se ka provuar atë, nuk ja di vlerën, provoje që të gjesh saktësinë e ç’ka përmendëm“[20].
Pengesa e pestë : Mos kërkimi i dijes në moshë të vogël
Ndodh që njeriu të ketë zili njerëz të tjerë më të vegjël në moshë por me ambicje më të mëdha, i shikon se si garojnë për në mexhliset e dijes, eh, janë për tu patur zili! Pastaj qorton veten për kohët që i kanë kaluar nga jeta e vetë pa i shfrytëzuar në kërkim dhe mësim përmendësh të dijes. Kur rritesh, shtohen preokupimet, shtohen trokitësit gjatë ditës dhe natës, dobësohet durimi dhe nuk mundesh të arrish prej dijes aq sa do të arrije po të ishe në moshë të vogël dhe pa preokupime! Për këtë shkak Haseni ka thënë: “Kërkimi i hadithit në vegjeli është si gdhendja në gur“[21].
Allahu qoftë i kënaqur prej Umerit i cili ka thënë: “Merni dije para se të ngarkoheni me pozita“[22].
Ka thënë Ebu Abdullahi –i cili ka qenë shejh i Buharit–: “Edhe mbasi të ngarkoheni me pozita, sepse shokët e Profetit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të) mësuan edhe pse ishin në moshë të madhe“
Prandaj nxito vëlla para se sprovohesh me preokupimet dhe me njerëzit, para se të pendohesh siç janë penduar të tjerët, shfrytëzoje kohën e rinisë tënde në kërkim të dijes!
Por, njeriu nuk duhet të bëhet pesimist nëse nuk e ka bërë këtë në rini, jeta e gjithë është kohë për marjen e dijes për shkak se dija është adhurim, dhe Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe adhuroje Zotin tënd deri sa të të vijë vdekja”[23].
Vazhdon . . .
Shkëputur nga libri “Mealim fi tarik talibil Ilm”: 19-24
Autor Abdulaziz ibn Muhamed es-Sed’han
Përktheu Mirandi Shehaj
[1] ) {sh.p} Qëllimi
[2] ) Mut-tefekun alejhi (i trans nga Buhariu dhe Muslimi)
[3] ) El-Ankebut : 69
[4] ) Libri : Tedhkiretu es-sami’ uel mutekelim. Ibnu Xhemaah : f – 68
[5] ) Libri i mëparshëm : f 47
[6]) Libri : El-I’tisam – Esh-Shatibij
[7] ) Transmeton Muslimi
[8] ) [Sahih] Silsiletul Ehadithis Sahihah – Albani : 2/20. Nr : 508
[9] ) Libri : En-Nihaje fi garibil hadijth – Ibnu Ethijr : 2/516
[10] ) {sh.p} : Prijësi i besimtarëve Umer ibnul Hatabi – Allahu qoftë i kënaqur me të –
[11] ) Libri : El-I’tisam – Esh-Shatibij
[12] ) Librat që flasin për moralin dhe pastrimin shpirtëror.
[13] ) Libri : Sijeru A’lamin Nubela’ : 6/22
[14] ) Libri i mëparshëm : 6/22
[15] ) Libri i mëparshëm : 10/476
[16] ) Libri i mëparshëm : 11/216
[17] ) Libri i mëparshëm : 11/210
[18] ) Libri i mëparshëm : 11/211
[19] ) {sh.p} : pra kërkuesi i dijes duhet të lodhet duke e kërkuar atë dhe të mos presë që ajo vetë ti vijë atij.
[20] ) Libri : Mendhumetus San’ani fil haxh : f – 83 {sh.p : kjo fjalë është thënë për haxhin}
Libri :Xhamiu bejanil ilmi ue fadlihi : f – 99 ( [21]
[22] ) Sahihul Buhari 1/991
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve