PENGESAT NË RRUGËN E KËRKIMIT TË DIJES -pjesa e dytë-

October 23, 2007

Vazhdimi . . .

Pengesa e gjashtë : Qëndrimi larg kërkimit të dijes

Prej shkaqeve: Qëndrimi larg me pretekstin se preokupohesh me aktualitetin. Njerëzit në këtë çështje ndahen në tre grupe:

1-      Ata të cilët preokupohen tërësisht me të,

2-      Ata të cilët qëndrojnë larg tij,

3-      Ata që janë të mesëm në këtë pikë.

S’ka dyshim se dy të parët janë në gabim për shkak se kërkimi i dijes të nxit për njohjen e aktualitetit, dhe nuk mund të kurosh një problematikë aktuale veçse duke vendosur atë  në peshoren e sheriatit.

Ndërsa ai i cili qëndron larg dijes për shkak të gazetave dhe revistave duke e shpërdoruar gjithë kohën dhe mundin e vet në leximin e tyre, pastaj duke i kuruar çështjet problematike në bazë të shikimit të tij të shkurtër pa u kthyer tek dijetarët, padyshim që ka humbur dhe është shkatërruar, dhe nuk do e kuptojë masën e humbjes dhe shkatërrimit të vetë veçse më vonë, siç ka thënë dikush: “Nëse ti nuk ke mbjellë dhe pastaj shikon dikë duke korrë, do të pendohesh për shpërkujdesjen në kohën e mbjelljes“.

Nga gjërat që kritikohen dhe nuk pëlqehen është të shikosh një të ri prej të rinjve muslimanë i cili bëhet xheloz për fenë e Allahut, i rrjedhin lot dhe gjak për nderet që shkelen, është turp për të që të tregohet i pavëmendshëm kundrejt disa gjynaheve si përgojimi, thashethemet etj, dhe po ashtu të jetë injorant ndaj adhurimeve me të thjeshta, të mos e falë namazin sipas udhëzimit Profetik për të cilin Profeti (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Faluni ashtu siç më shikoni mua që falem”[1] dhe të mos marë abdes siç është urdhëruar nga Profeti (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të) i cili ka thënë: “I falen gjynahet e kaluara atij që merr abdes ashtu siç është urdhëruar dhe falet ashtu siç është urdhëruar”[2].

Madje ai është i padijshëm për duatë e mëngjesit dhe të mbrëmjes, i padijshëm kundrejt shumë çështjeve që me lehtësi i njohin nxënësit e vegjël të dijes para të mëdhenjve! Pra kjo është rrugë nëpër të cilën hyn shejtani!

Dijetari i madh i Islamit Ibnu Tejmije[3] – Allahu e mëshiroftë – ka qenë prej njerëzve më të informuar për aktualitetin e kohës së vetë dhe më mirë se kushdo e dinte se ç’ndodhte përreth. Ka pasur në kohën e tij shumë fitne, probleme, fatkeqësi etj, por ai kërkoi dije dhe arriti shumë prej saj, prandaj me lehtësi e gjente zgjidhjen e problemeve që kishin rënë në shoqërinë ku jetonte në Kuran dhe Sunet apo në bazat e dijes dhe rregullat e saj. Prandaj sado te ndryshojnë kohët dhe njerëzit, nuk ka zbritur Allahu sëmundje veçse  ka zbritur bashkë me të ilaçin, dhe nuk i godet njerëzit ndonjë fatkeqësi apo problem veçse ka në Kuran dhe Sunet zgjidhje për to, dhe kjo është një çështje për të cilën askush nuk dyshon.

Pengesa e shtatë : Lavdërimi i vetes

Lavdërimi i vetes është kur njeriu kërkon të mburrë veten e tij, apo t’i ngjisë vetes emra lavdërues dhe të gëzohet kur njerëzit flasin mirë për të. S’ka dyshim se lavdërimi që të bëjnë njerëzit është prej përgëzimit të përshpejtuar, siç Ebu Hurejra – Allahu qoftë i kënaqur me të- ka pyetur të Dërguarin e Allahut të Madhëruar (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të)  për atë person që punon një punë të mirë dhe njerëzit e lavdërojnë për shkak të saj, dhe Profeti (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të) i është përgjigjur: “Ky është përgëzim i shpejtuar për besimtarin”[4].

Por kujdes dhe shume kujdes se ndoshta lavdërohesh për diçka që nuk e meriton dhe gëzohesh për këtë, prandaj kujdes dhe kujdes që të mos jetë kjo prej cilësive tona. Kujto fjalën e Allahut të Madhëruar me të cilën nënçmon njerëzit të cilët: “..duan të lavdërohen për gjëra që nuk i veprojnë”[5].

Pastaj kujto se lavdërimi i vetes në shumicën e rasteve është i nënçmuar, veçse në ato raste që është lejuar në bazë të rregullave të sheriatit; thotë Allahu i Lartësuar: “Prandaj mos i lavdëroni veten tuaja, Ai e di më së miri se kush është i devotshëm (ruajtur)”[6].

Allahu i Madhëruar i nënçmon idhtarët e librave të mëparshëm duke thënë: “A nuk i shikon ata të cilët lavdërojnë vetet e tyre? Allahu është Ai që lavdëron kë të dojë pa u bërë padrejtësi atyre aspak”[7].

Profeti (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë : “Mos i lavdëroni vetet tuaja sepse Allahu i njeh më së miri njerëzit me virtyte të larta prej jush”[8].

Siç përmendëm edhe më lartë ka të drejtë personi që në disa raste të lavdërojë veten e vetë, ashtu siç bëri Jusufi (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të) kur tha: “Më cakto mua përgjegjës të depove të vendit, unë jam besnik i dijshëm”[9].

Por në të shumtën e rasteve dëshira për tu lavdëruar dhe mburrur është prej rrugëve që ndjek shejtani për tu futur tek robërit, prandaj kujdes të mos jesh prej atyre që gëzohen dhe kënaqen kur lavdërohen, e as prej atyre që i kushtojnë vëmendjen këtyre lavdërimeve.

Nëse do të dish rrezikshmërinë e dëshirës për tu lavdëruar shiko mangësitë e tua në adhurime, pastaj shiko tek ai që të lavdëron a mendon se do të të lavdëronte nëse do ti shfaqeshin atij ato gjëra që ia fsheh dhe ato veprime që nuk e kënaqin Allahun e Madhëruar të cilat ti i vepron?!

Pra qëllimi i këtyre fjalëve është që njeriu duhet të ketë kujdes dhe të ruhet nga lavdërimi i vetes, të mos i ngjisë vetes grada lavdëruese sepse ai i cili nxiton diçka para kohës së saj dënohet me mosarritjen e saj.

Pengesa e tetë: Mospunimi me dijen

Mospunimi me dijen është shkak për largimin e begatisë së dijes dhe një argument i keq kundër atij që e posedon këtë dije. Allahu i Lartësuar i ka nënçmuar të tillët duke thënë : “sa e urrejtur është tek Allahu të thoni atë që nuk e veproni”[10].

Prandaj të parët tanë të mirë i kushtonin shumë rëndësi punës me dijen që kishin; Sahabi i nderuar Ibnu Mes’udi  – Allahu qoftë i kënaqur me të – ka thënë: “Ka qenë çdonjëri prej nesh që kur mësonte dhjetë ajete nuk i tejkalonte ato deri sa të njihte kuptimin e tyre dhe të punonte me to[11].

Ndërsa Aliu – Allahu qoftë i kënaqur me të – ka thënë: “Lidhet dija me punën, nëse puna i përgjigjet atëherë dija qëndron, në të kundërt largohet[12].

Kjo sepse dija dhe puna janë dy të pandashëm, ose bashkohen tek robi ose largohen të dyja, e mbas kësaj nëse gjendet tek dikush dije pa punë atëherë ajo do të jetë argument kundër poseduesit të saj.

Thotë Bishru El-Hafij – Allahu e mëshiroftë -: “Jepeni zekatin e hadithit, zbatoni në çdo dyqind hadithe pesë prej tyre[13].

Puna me dijen ndihmon në ruajtjen e saj, e nëse do një argument për këtë shiko duatë që bëhen gjatë ditës dhe natës, duatë e mëngjesit, të mbrëmjes, të gjumit, të hyrjes dhe daljes nga banja, të hyrjes dhe daljes nga shtëpia……. etj. Nëse dikush dëshiron ti mësojë ato i mëson lehtë dhe pa kaluar shumë kohë do ti harrojë, por nëse punon me to njëfarë kohe ato do të nguliten në mendjen e tij, madje sa më shumë ti zbatojë aq më shumë nguliten dhe nuk harrohen!

Thotë Dhehebiu – Allahu e mëshiroftë – për kohën në të cilën ka jetuar : “Ndërsa sot nuk ka mbetur prej dijeve të pakta veçse pak, në njerëz të paktë, dhe sa pak janë ata që punojnë me atë pakë dije, prandaj…. na mjafton që kemi Allahun, Ai është mbrojtësi më i mirë[14]. Pra nëse këto janë fjalët e Dhehebiut i cili ka jetuar në shekullin e tetë hixhrij atëherë ç’mund të themi ne sot?! Prandaj le të ketë mendimin e mirë çdokush prej nesh për Allahun e Madhëruar dhe të fillojë të përpiqet sepse Allahu i Lartësuar është shumë bamirës ndaj robërve të Tij, furnizon kë të dojë, e Ai është i Fuqishmi, Ngadhënjyesi.

Vëlla lexues, kjo dije që na ka dhënë Allahu i Lartësuar ka nevojë për zekat. Zekati i pasurisë është 2.5 % e saj, ndërsa zekati i dijes është të punosh me të dhe tua mësosh atë të tjerëve, siç ka thënë dijetari Muhamed ibnu Abdul Uehab – Allahu e mëshiroftë -: Dije Allahu të mëshiroftë se është detyrë për çdo musliman dhe muslimane mësimi i katër çështjeve: Dija, Puna me të, Thërritja e njerëzve në të, Durimi ndaj problemeve me të cilat përballesh në këtë rrugë[15].

Në bazë të zekatit që i bën kësaj dije të jep Allahu mirësi që as nuk i ke menduar se mund të të jepen, siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Atij që i frikësohet Allahut Ai i lehtëson atij çështjet, dhe e furnizon andej nga nuk e pret[16].

Pengesa e nëntë : Pesimizmi dhe nënçmimi i vetes

O kërkues i dijes, dije se unë dhe ti, shejhul Islam Ibnu Tejmije dhe El-Buhari, Ibnu Haxheri dhe dijetarët e tjerë, të gjithë ne përfshihemi në fjalën e Allahut të Madhëruar: “Allahu ju nxorri nga barqet e nënave tuaja të paditur dhe ju krijoi dëgjim, shikim dhe zemra në mënyrë që të falënderoni[17].

Të gjithë ne jemi ky njeri, ky ajet është përfshirës i të gjithë njerëzve, të Dërguarit dhe Profetët i zgjodhi Allahu i Madhëruar, sahabët kanë mirësi ndaj nesh në paraprirjen e tyre në vepra të mira, e ky ajet ndahet mes nesh! Prandaj mos nënçmo prej punëve të mira asgjë dhe mos e nënçmo veten tënde, e në të njëjtën kohë – siç e thamë më lartë –  mos e lavdëro veten me lavdërime për të cilat je koshient se nuk i meriton, e mos vish rrobë më të madhe se vetja jote.

S’ka dyshim se pesimizmi dhe mos pasja siguri në vetvete janë shkak prej shkaqeve të mos arritjes së dijes, dhe njeriu kur shikon mirësitë që i ka dhënë Allahu qofshin ato në shëndetin e tij apo në mundësimin e mjeteve dhe mënyrave për të cilat ka nevojë kërkuesi i dijes, kupton se do të merret në llogari për këto mirësi.

Mos e nënçmo veten nëse je i dobët në mësimin përmendësh, apo ke vështirësi në kuptim, apo je i ngadaltë në lexim, apo harron shpejt….të gjitha këto sëmundje dhe probleme largohen nëse pastron nijetin dhe shfrytëzon mundësitë. Thotë imam El-Askeri për veten e vet: “Mësimi përmendësh ka qenë i vështirë për mua në fillim, prandaj u përpoqa shumë derisa arrita të mësoja një vjershë me dyqind vargje brenda një nate[18] E s’ka dyshim se këtë e ka arritur mbas përpjekjeve të shumta.

Prandaj – Allahu të ruajt – mos e nënvlerëso veten por pastro nijetin vetëm për Allahun, shfrytëzo mundësitë dhe kohën, e do të shikosh se do të arrish mirësi të mëdha të cilat do të bëjnë të pendohesh për kohët e shkuara pa u shfrytëzuar në kërkim të dijes. Lexo se çfarë thotë Ebu Hilal El-Askerij për një nga shejhat e tij i cili i kishte treguar se kishte kaluar dikur përgjatë disa fshatrave dhe kishte takuar një djalosh orator që fliste gjuhë të pastër letrare. E kishte pyetur atë se si kishte arritur në këtë gradë duke qenë se jetonte mes njerëzve që flisnin gjuhë joletrare, dhe ai ju përgjigj se i kishte vënë detyrë vetes të lexonte ç’do ditë pesëdhjetë fletë nga librat e Xhahidhit duke ngritur zërin gjatë leximit, e pa kaluar shumë kohë arrita këtu ku jam[19].

Allahu e mëshiroftë imam Buharin i cili kur u pyet se cili është ilaçi për kurimin e harresës u përgjigj: – “Shikimi i vazhdueshëm në libra

E s’ka dyshim se largimi nga gjynahet është prej shkaqeve më të forta që ndihmon në mësimin përmendësh, e  imam Shafiiu ka thënë fjalë të bukura lidhur me këtë temë :

Iu ankova Uekijit për mos mësimin përmendësh e më këshilloi që t’i lë gjynahet, tha se kjo dije është dritë dhe drita e Allahut nuk i jepet gjynahqarit[20].

Pengesa e dhjetë : Zvarritja

Zvarritja – siç thonë disa prej të parëve tanë të mirë – është prej ushtarëve të Iblisit, e i ka cilësuar Ibnul Kajimi –Allahu e mëshiroftë– zvarritjen dhe shpresën e gjatë me fjalën “Kapitali i të falimentuarve”[21].

Zvarritje d.m.th të shpresojë robi se një çështje të caktuar do ta kryej në një kohë të ardhme gjatë jetës së tij. Por nuk e di ky i mjerë se Exheli (vdekja) papritur mund ta befasojë! Prandaj sa e bukur është fjala që ka thënë ky poet: “Mos e lër punën e sotme për nesër se ndoshta e nesërmja do të vijë dhe ti nuk do të jesh”.

Tregon Ebu Is’haku se se një burri prej fisit Abdul Kajs i është thënë: – Na këshillo, tha: – Ruajuni prej zvarritjes (negliyhencës)[22].

Transmetohet nga Haseni se ka thënë: “Kujdes nga zvarritja (neglizhenca), sepse sot po jeton dhe nesër nuk i dihet, e nëse do të kesh të nesërme ji në të siç ishe sot, e nëse nuk do të kesh atëherë nuk do të pendohesh për neglizhimin e sotëm”.

Tregon Jusuf bin Esbat: -më shkroi Muhamed bin Sumrete Es-Saih këtë letër “Ej vëlla, kujdes se ndoshta i jep mundësi zvarritjes në veten tënde dhe e bën atë zotëruese të zemrës, sepse ajo është vetë paaftësia dhe streha e rraskapitjes, me të ndahen dhe në të ndërpriten caktimet! E nëse ti e bën këtë atëherë i ke treguar asaj vendodhjen e ambicieve dhe pasioneve të tua, të cilat do të lindin në trupin tënd prej pesimizmit dhe lodhjes aq sa nuk e ke menduar, e nëse të ndodh kjo atëherë trupi yt nuk do të bëjë asnjë dobi dhe nuk do të vlejë aspak! Prandaj merr iniciativa sepse për ty janë marrë, dhe nxito vëlla se ti po nxitohesh nga tjetërkush, përkushtohu sepse çështja është serioze!

Shkëputur nga libriMealim fi tarik talibil Ilm: 30-40

Autor Abdulaziz ibn Muhamed es-Sed’han

Përktheu Mirandi  Shehaj


[1] ) Trans. Buhari

[2] ) Trans. Ahmedi, Nesaiu, Ibnu Maxheh. Shiko Sahihul Xhami’.

[3] ) Sh.a: “E kam përmendur atë sepse ai është prej dijetarëve më të shquar që u kanë bërë ballë grupeve të humbura dhe mendimeve të shtrembra, edhe pse dijetarët përveç tij janë të shumtë, Allahu i mëshiroftë të gjithë”

[4] ) Trans. Muslimi

[5] ) Ali Imran: 188

[6] ) En-Nexhm: 32

[7] ) En-Nisa: 49

[8] ) Trans. Muslimi

Jusuf : 55 ( [9]

[10] ) Es-Saf: 3

[11] ) Tefsiri Ibnu Kethirit: 1/2

[12] ) Libri: Xhamiu bejanil ilmi ue fadlihi: 2/11

[13] ) Libri: Edebul imla’ uel istimla: 110

[14] ) Libri: Tedhkiretul hufadh – Dhehebiu: 2/1031

[15] ) Libri: Tre parimet – Muhamed ibnu Abdul Uehab

[16] ) Sure Et-Talak: 2

[17] (Sure En-Nahl: 78

[18] ) Libri: El-Hathu ala Talebil Ilmi – Ebu Hilal El-Askeri

[19] ) Libri i mëparshëm : f – 72

[20] ) Disa njerëz dyshojnë në qenien e këtyre fjalëve të Shafiut duke argumentuar se ai s’ka qenë prej nxënësve të Uekijit, por u përgjigjemi atyre duke thënë se Shafiu ka transmetuar nga Uekiji, siç është në kapitullin e Sadakave në librin “El-Um” dhe këto vargje janë të njohura nga Shafiu.

[21] ) Libri: Medarixhus Salikijn: Ibnul Kajim – 1/456-457

[22] ) Libri: Iktidaul Ilm El-Amel: Hatijb El-Bagdadi – 114

Loading...