—Pjesa e tretë—
A janë këto grupe jashtë islamit?
Në hadith profeti alejhi selam thotë: “Të gjitha janë në zjarr përveç njërit”. Kjo pjesë e hadithit mund të japë të kuptosh se këto grupe janë jashtë islamit dhe prandaj bëhet me të drejtë kjo pyetje.
Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- kur flet për ndarjen e njerëzve që shfaqin besimin në besimtarë të vërtetë dhe munafikë, dhe se nuk bëhet qafir çdokush që ka rënë në ndonjë gjynah apo bidat edhe nëse i fton njerëzit në bidatin e tij, veçse ai që është munafik. Ai thotë:
“Hauarixhët ishin njerëzit që e kanë shfaqur më shumë bidatin e tyre, e kanë luftuar më shumë ymetin dhe i kanë bërë më shumë tekfir atij se çdokush tjetër, por nuk ka pasur prej sahabëve njeri që gjykonte për kufrin e tyre, as Ali bin Ebi Talibi dhe as ndonjë tjetër. Madje ata kanë gjykuar për ta se janë myslimanë zullumqarë, siç ka ardhur në shumë citate të tyre.”
Pastaj sqaron dhe thotë: “Kështu është dhe pjesa tjetër e shtatëdhjetë e dy grupeve; ai i cili është munafik ai është qafir në anën e brendshme të tij. Ndërsa ai i cili nuk është munafik dhe ka besim në Allahun dhe në profetin e Tij, nuk është qafir në anën e brendshme edhe nëse gabon në komentim të çfarëdolloj gabimi të ketë qenë. Ndoshta prej tyre ka që mund të kenë një degë prej degëve të nifakut, dhe nuk është munafik nga ai lloj i munafikëve që janë në shtresën më të ulët të zjarrit.”
Pastaj shton dhe thotë: “Kush thotë se shtatëdhjetë e dy grupet secili prej tyre ka bërë kufër dhe kanë dalë nga feja, ka kundërshtuar kuranin, synetin, ixhmanë e sahabëve -Allahu qoftë i kënaqur me ta- dhe ixhmanë e katër imamllarëve dhe të tjerëve. Sepse nuk ka pasur prej tyre të ketë bërë qafir secilin prej shtatëdhjetë e dy grupeve.” Shih fjalët e sheihul islamit në librin “Mexhmua El-Fetaua” 7/217-218.
Pra, dijetarët e islamit nuk kanë bërë qafirë secilin prej këtyre grupeve në përgjithësi, por ai i cili është munafik prej tyre ai është qafir kurse të tjerët janë besimtarë të rënë në gabime.
Bidatçijtë munafik më së shumti janë te rafiditë dhe xhehmitë sepse të parët e tyre kanë qenë munafikë dhe zenadik, sikurse pohon sheihu islam ibn Tejmije në një thënie tjetër.
Në rast se këto grupe nuk janë qafirë në përgjithësi sikurse u tha atëherë, si mund të kuptohet hadithi i përçarjes i cili njofton se janë në zjarrin e xhehenemit?
Dijetari i njohur imam Esh-Shatibiu (dijetar i madh i Andaluzisë i vdekur në vitin 790 H), në librin e tij “El-Itisam” ka përmendur dy përgjigje në lidhje me kuptimin e hadithit:
1- Profeti alejhi selam thotë: “Do të përçahet ymeti im në shtatëdhjetë e tre grupe.” Hadithi nga ana e jashtme tregon se këto grupe janë nga ymeti, sepse sikur të kishin dalë nga ymeti nuk do të ishin numëruar prej tij.
2- Fjala e Profetit alejhi selam: “Të gjitha janë në zjarr përveç njërit” është kërcënim me zjarr, dhe kërcënimi me zjarr mund të jetë edhe për besimtarët me gabime sikurse është edhe për qafirët. Ajo që i dallon ata është përjetësimi në zjarr.
Kur bëhet njeriu prej grupeve të përçarjes?
Është me rëndësi të dimë se jo çdo njeri që ka kundërshtuar Kuranin dhe synetin në ndonjë çështje bëhet prej grupeve të humbura, përderisa nuk e ka marrë bidatin e tij bazë për t’u veçuar me të prej pjesës tjetër të myslimanëve, dhe nuk e ka lidhur dashurinë dhe urrejtjen për të tjerët me pajtimin dhe kundërshtimin e atij bidati.
Sheihu islam Ibn Tejmije në lidhje me këtë çështje thotë:
“Ajo që duhet të dimë gjithashtu është se; grupet që ndjekin të tjerë në bazat e fesë dhe të akides janë disa gradë. Prej tyre ka që e kanë kundërshtuar synetin në baza të mëdha, prej tyre ka që e kanë kundërshtuar synetin në çështje të imtësishme. Gjithashtu, ata të cilët i janë kundërvënë grupeve që janë më larg nga syneti, dhe ata lavdërohen për atë të kotë që kanë kundërshtuar dhe për atë të vërtetë që kanë mbrojtur. Por ama kanë kapërcyer të drejtën duke kundërshtuar pak nga e vërteta dhe duke mbrojtur pak nga e kota, kështu ata kanë kundërshtuar bidatin e madh me një bidat më të vogël dhe kanë kundërshtuar të kotën me një të kotë më të lehtë. Kjo është gjendja e shumicës së atyre që janë marrë me çështjet e akides prej grupeve që i dedikohen synetit dhe xhematit.
Këta nuk e kanë bërë bidatin e tyre thënie që të ndahen me të prej bashkësisë së myslimanëve duke dashur dhe urryer për hir të saj, dhe kjo konsiderohet gabim (jo bidat) dhe Allahu i madhëruar ua falë besimtarëve gabimet e tyre. Kjo u ka ndodhur edhe shumë prej selefëve të këtij ymeti dhe imamëve të tij, të cilët kanë thënie që i kanë thënë me ixhtihad (studime) që kundërshtojnë atë që është cekur në Kuran dhe në synet. Ndryshe nga ata të cilët duan ata që bien dakort me ta, urrejnë ata që i kundërshtojnë, përçajnë bashkësinë e myslimanëve, bëjnë qafir apo fasik (të prishur) atë që i kundërshton ata në çështje të ndryshme, ku ka mendime dhe ixhtihade dhe lejon vrasjen e kundërshtarëve. Këta janë përçarësit dhe shkaktuesit e kundërshtimeve.”
Imam Esh-Shatibiu në librin e tij “El-Itisam” pohon të njëjtën gjë që thotë sheihu islam Ibën Tejmije në lidhje me bidatet, që patjetër duhet të jenë në baza, dhe thotë: “Këto bëhen grupe ndryshe nga grupi i shpëtuar kur kundërshtojnë në një bazë të përgjithshme prej bazave të fesë, dhe jo në një njësi të vogël prej njësive sepse njësia apo ndarja e vogël nuk rezulton prej saj përçarje në grupe. Përçarja ndodh kur kundërshtohen bazat e përgjithshme sepse bazat përfshijnë jo pak njësi, dhe ato në përgjithësi nuk janë të veçanta për ndonjë çështje apo për ndonjë kapitull.”
Imam Shatibiu në lidhje me këtë çështje shton dhe një rast tjetër dhe thotë:
“Gjykimin e bazës apo rregullit të përgjithshëm e marrin edhe njësitë apo ndarjet e vogla kur janë shumë, sepse bidatçiu kur ka njësi apo degë të shumta të shpikura atëherë këto e kundërshtojnë shumë sheriatin siç bën baza e përgjithshme.”
Kam dëgjuar gojarisht nga shejhu im i nderuar Meshhur Hasen Selman -Allahu e ruajt- në lidhje me këtë citat të imam Shatibiut, duke thënë: “Njeriu kur ka njësi apo degë të shumta të shpikura kjo tregon se ka një bazë jo të rregullt.”
Pra, përsëri çështja kthehet te bazat sepse me ato ndodh përçarja e bashkësisë së myslimanëve dhe formimi i grupeve jashtë grupit të shpëtuar.
Vijon…
Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Këshilla të vyera në kohë sprovash dhe trazirash Shehul-Islam Ibn Tejmie