Përgëzimi për besimtarin

January 3, 2016

Nga Ebu Dherri përcillet se ka thënë: “I thanë: O i Dërguar i Allahut, çfarë mendon për një njeri që bën vepra të mira dhe njerëzit e lavdërojnë apo e duan atë? – Tha: Ajo është përgëzim i shpejtuar për besimtarin.” Transmeton Muslimi.[1]

Në këtë hadith Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka njoftuar se gjurmët e veprave të lavdërueshme të përshpejtuara që në këtë botë janë prej përgëzimit. Allahu u ka premtuar të dashurve të Tij (eulijave) që janë besimtarët dhe të devotshmit përgëzim në këtë botë dhe në botën tjetër. Përgëzimi është lajmi apo diçka e gëzueshme nëpërmjet të cilës robi mëson se do ketë përfundim të mirë dhe se puna e tij është pranuar.

Ndërsa në ahiret ajo është përgëzimi me kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin e Tij, dhe shpëtimin nga zemërimi i Tij në çastet e vdekjes, në varrin e tij, si dhe kur të ringjallet e të dalë nga varri, Allahu i dërgon robit të Tij besimtar në këto raste (sh.p. vendimtare dhe shumë të vështira për njeriun) përgëzime nëpërmjet melaikeve, ashtu siç kanë ardhur për këtë argumente të shumta nga Kurani dhe Suneti, dhe ato janë të njohura.

Ndërsa përgëzimi që u jep Allahu besimtarëve në dynja është një shembull dhe përshpejtim që tregon pozitat e tyre, të cilat Ai ua tregon në mënyrë që t’i bëjë edhe më aktivë në vepra të mira. Më i madhi prej këtyre përgëzimeve është suksesi që Ai u jep atyre për vepra të mira dhe ruajtja nga veprat e këqija. Siç thotë Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Përsa u përket të lumturve atyre do t’iu lehtësohen veprat e të lumturve.”[2]

Prandaj nëse robi i ka të lehta veprat e mira i kryen ato me lehtësi, dhe e shikon se është i ruajtuar me ruajtje prej Allahut nga veprat që e dëmtojnë atë. Kjo është prej përgëzimeve nëpërmjet të cilave besimtari argumentohet për përfundimin e mirë të tij, sepse Allahu është më fisniku i fisnikëve, më Bujari i bujarëve, dhe kur Ai ia nis robit të tij një mirësi ia plotëson atë.

Mirësia më e madhe të cilën ia jep atij është mirësia në fe, prandaj besimtari gëzohet me të, e sa gëzim i madh është ai! Gëzim me veprat e mira për të cilat Allahu i jep sukses dhe ia lehtëson. Sepse prej shenjave më të mëdha të besimit është dashuria për të mirën, përpjekja për të dhe gëzimi me të, dhe një gëzim tjetër që është ambicia e tij që Allahu t’ia plotësojë mirësinë, dhe dëshira që mirësia e Allahut ndaj tij të jetë e vazhdueshme.

Prej këtyre përgëzimeve është edhe ai që përmendi Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në këtë hadith: Kur robi vepron diçka prej veprave të mira, sidomos veprat e bamirësisë dhe projektet me dobi të përgjithshme për njerëzit, dhe si pasojë e këtyre vjen dashuria e njerëzve për të, lavdërimi dhe lutja e tyre, kjo është prej përgëzimit dhe tregon se kjo është prej veprave të pranuara tek të cilat Allahu ka vendosur mirësi dhe bereqet.

Prej përgëzimeve të kësaj bote është dashuria e besimtarëve për njeriun, për shkak të fjalës së të Lartësuarit: “Me të vërtetë ata që besuan dhe vepruan vepra të mira, i Mëshirshmi do t’i bëjë të dashur.” | Merjem: 96. Allahu do t’i dojë ata dhe do t’i bëjë të dashur për zemrat e njerëzve.

Prej tyre është edhe lavdërimi i njerëzve sepse lavdërimi i shumtë i besimtarëve për njeriun është dëshmi për ta, dhe besimtarët janë dëshmitarët e Allahut në tokën e Tij.

Prej tyre është edhe ëndrra e mirë që e shikon besimtari apo e shikojnë të tjerët për të, sepse ëndrra e mirë është prej përgëzimeve.

Prej përgëzimeve është edhe që Allahu t’i caktojë robit një caktim që ai e do apo e urren, dhe këtë caktim e bën sebep për rregullimin e fesë së tij dhe shpëtimin prej të këqijave. Llojet e butësisë së Krijuesit të Lartmadhëruar nuk numërohen, nuk mund të llogariten dhe nuk mund të përfytyrohen dot plotësisht.

Allahu është më i dijshmi!

 

Marrë nga libri: “Behxhetu kulubil ebrar”.

Autor: Abdurrahman bin Nasir es Seadi.

Përktheu: Emin Bilali

————————————————————-

[1] Muslimi me nr. 2642. Kapitulli i devotshmërisë dhe mbajtjes së lidhjeve farefisnore. Tema: “Nëse lavdërohet njeriu i devotshëm ajo është përgëzim për të dhe nuk e dëmton.”

[2] Pjesë nga një hadith që e përcjell Ali ibn ebi Talibi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij. E transmeton Buhariu me nr. 1362, kapitulli i xhenazeve. Tema: “Këshilla tek varri dhe ulja e shokëve përreth tij”. Dhe Muslimi me nr. 2647, kapitulli i kaderit. Tema: “Mënyra e krijimit të njerëzve.”

Dosje:

Loading...