Përgjegjësitë e besimtarit në jetë – Hytbe –

March 9, 2017

Falënderimet i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve, i Cili e nderoi birin e Ademit duke e mbartur në tokë dhe në det. E furnizoi nga të mirat e Tij duke e vlerësuar ndërmjet shumë krijesave me mirësi të shumta. Veç të tjerash, atyre që e falënderojnë u premtoi shpërblime të panumërta, ndërsa atyre që mohuan mirësitë e Tij u përgatiti dënim të pandërprerë. Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet askush veç Allahut, Ai është i Vetëm e i Pashoq; në rububije, uluhije dhe esma ue sifat. Gjithashtu, dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, më i zgjedhuri në mesin e krijesave, paqja, bekimet dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të, familjen e tij, shokët të cilët i besuan dhe e ndihmuan duke u kapur fort pas sunetit të tij në kohën që ishte gjallë dhe pasi ndërroi jetë.

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj që ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut me emrin e të Cilit kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Vërtet, Allahu është përherë Mbikqyrës mbi ju.” |Suretu Nisa: 1|

O bir i Ademit! Allahu të krijoi në formën më të mirë dhe në pamjen më të bukur, dhe të dha nga të mirat e Tij. Por cila është përgjegjësia jote në këtë jetë? Realisht ajo është një përgjegjësi e madhe, barra e amanetit të cilën e mbarte e refuzuan dhe u frikësuan prej saj qiejt, toka dhe malet.

Atë e mbarte ti prandaj do të kesh shpërblimet më të mëdha nëse ia jep hakun dhe kujdesesh për të, nga ana tjetër do të shijosh dënimin më të madh nëse e humbet dhe shkujdesesh nga ajo. Për ty u nënshtruan të gjitha qëniet dhe dobitë e tyre, me qëllim qe të të ndihmojnë në mbartjen e këtij amaneti. A e di se cili është ky amanet dhe shpërblimi i atij që e ruan atë, apo dënimi për atë që e humbet? Ky amanet është: ajo që të urdhëroi Allahu për të drejtën e Tij dhe të drejtat e robërve të Tij.

Nëse kujdesesh dhe i ruan ato do të jesh nga ata që i mbajnë amanetet dhe premtimet e tyre, të cilët do të trashëgojnë Firdeusin ku do të jenë përjetë. E nëse shkujdesesh dhe e humbet atë, atëherë do të mbetesh në gradët më të ulëta. Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë Ne e krijuam njeriun në trajtën më të përkryer, pastaj e çuam atë (kur nuk beson) në gjendjen më të ulët përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Ata do të kenë shpërblime të pandërprera.” |Suretu Tin: 4-6|

O ti njeri! Të pastrohesh nga papastërtitë është amanet, namazi është amanet, praktikimi i detyrimeve është amanet, braktisja e të ndaluarave është amanet, t’i kthesh të drejtat atyre që u takojnë është amanet. Por dijeni se e drejta më e madhe për të cilën Allahu ka porositur në librin e Tij të qartë është: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë ndaj prindërve, të afërmve, jetimëve, të varfërve, fqinjëve të afërt dhe të largët, atij që keni pranë, udhëtarit (që ka mbetur ngushtë) dhe atyre që janë robër nën pushtetin tuaj. Në të vërtetë, Allahu nuk i do njerëzit arrogantë e mburravecë.” |Suretu Nisa: 36|

Ky ajet ndryshe quhet si ajeti i dhjetë të drejtave sepse përmbledh dhjetë të drejta; të drejtën e Allahut, të prindërve, jetimëve, të varfërve, fqinjit të afërt, fqinjit të largët, gruas, udhëtarit dhe atyre që janë nën pushtetin tuaj.

Përsa i përket të drejtës që i takon Allahut duhet ta dini se ajo është e drejta më e madhe dhe detyra më parësore e cila personifikohet në adhurimin e Allahut, pa i bërë Atij shok askënd në adhurim. Kjo është edhe arsyeja për të cilën u krijove, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Xhindët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë.” |Suretu Dharijat: 56|

Adhurimi nuk i bën dobi njeriut pa pasur sinqeritet, që do të thotë të mos përzihet me atë adhurim shirk i madh apo i vogël, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Andaj adhuro vetëm Allahun me përkushtim të çiltër për Të! Vetëm Allahut i takon adhurimi i vërtetë.” |Suretu Zumer: 2-3|

Në një ajet tjetër thotë: “Thuaj: Unë jam njeri që vdes si ju, që më është shpallur se Zoti juaj është një Zot i Vetëm. Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” |Suretu Kehf: 110|

Ai që nuk e adhuron Allahun padyshim që do të bëhet rob i dikujt tjetër; prej shejtanëve, pasioneve, dëshirave, epsheve, apo idhujve dhe statujave. Pra, njeriu patjetër që do të jetë rob ose i Zotit të tij ose i të tjerëve. Adhurimet që ai ia kushton Zotit të tij janë nder, krenari dhe ngritje, ndërsa adhurimi që u bën të tjerëve është poshtërim, dobësi dhe humbje.

Pas të drejtës që i takon Allahut vjen e drejta e prindërve, që do të thotë: t’i respektosh dhe t’u sjellësh atyre vetëm të mira, t’u largosh të këqijat dhe të mos u bësh asnjëherë keq me fjalë apo me vepra. Këtë duhet ta bësh në këmbim të gjërave të mira që kanë bërë për ty, në një kohë kur nuk mund të bëje për veten tënde asgjë të mirë dhe nuk mund t’i largoje vetes asgjë të keqe. Madje nuk mund të dalloje as mes të dobishmes dhe të dëmshmes. Ata të edukuan dhe vazhdimisht qëndruan me ty në ato kohë, prandaj të mirën që të bënë kthejua ashtu siç ka urdhëruar Allahu i Madhëruar në fjalën e Tij duke u lutur për ta: “O Zoti im, mëshiroji ata ashtu siç më kanë rritur kur isha i vogël!” |Suretu Isra: 24|

Dijetarët kanë thënë: Ata që gëzojnë të drejtat menjëherë pas Krijuesit për falënderime, bamirësi, respekt, bindje dhe përulje, janë prindërit ata me të cilët Allahu ka bashkuar mes bindjes, adhurimit dhe bamirësisë ndaj Tij, duke thënë: “Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij, dhe të silleni mirë me prindërit.” |Suretu Isra: 23| Ai bashkoi mes falënderimet që duhet t’i bëjmë Atij dhe falënderimit të prindërve, duke thënë: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do ktheheni të gjithë.” |Suretu Lukman: 14|

Pas së drejtës që u takon prindërve vjen e drejta e të afërmve që janë farefisi me të cilët ke afërsi nga ana e babait apo nënës, siç janë: gjyshërit, gjyshet, xhaxhallarët, hallat, dajallarët, tezet, vëllezërit dhe motrat. Të drejtat që gëzojnë ata tek ti mund t’i përmbledhim në këtë mënyrë: t’i ruash lidhjet me ta, t’u bësh mirë me pasurinë tënde, t’i vizitosh dhe t’u japësh selam, pra t’iu bësh të gjitha mënyrat e bamirësisë që shprehen me fjalë apo vepra. Pas kësaj vjen e drejta e jetimëve që janë në moshë të vogël dhe që kanë humbur baballarët e tyre, duke treguar bamirësi ndaj tyre në dhënien e lëmoshës, kujdestarinë e tyre, ruajtjen e pasurisë që kanë si dhe edukimin e tyre, vepra të cilat mbartin shpërblime të mëdha.

I Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Unë bashkë me kujdestarin e jetimit do jemi në Xhenet si këta dy gishta (dhe bashkoi gishtin tregues me gishtin e mesit).” E përcjell Muslimi.

Më pas përmendet e drejta e të varfërve të cilët i ka munduar nevoja dhe i ka poshtëruar ata. Kjo realizohet duke i marrë me të mirë, duke u dhënë lëmoshë dhe duke u interesuar për gjendjen e tyre. Muslimi shënon nga Ebu Hurejra se Profeti, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai që kujdeset për të shkretët dhe të varfërit është si ai që lufton në rrugë të Allahut.” Transmetuesi thotë: Mendoj se ai (Profeti) tha: “Është i ngjashëm me atë që falet pandërprerë si dhe me atë që agjëron pandërprerë.”

Pas kësaj përmendet e drejta e fqinjit, bamirësia ndaj tij dhe largimi i lëndimeve. Për këtë janë përcjellë shumë gjëra inkurajuese për të treguar bamirësi ndaj fqinjëve, dhe nga ana tjetër janë përcjellë kërcënime për ata që lëndojnë fqinjët e tyre.

Ebu Shurejhi përcjell se Profeti, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Betohem në Allahun se nuk ka besuar, betohem në Allahun se nuk ka besuar, betohem në Allahun se nuk ka besuar! I thanë: Kush është ai o i Dërguar i Allahut? – Tha: Është ai prej të cilit fqinji i tij nuk është i sigurt nga të këqijat e tij.” E përcjell Buhariu dhe Muslimi.

O ti tregtar! Ti je sipërmarrës për pasurinë tënde, prandaj vepro në mënyrën më të mirë dhe më të lejuar. Gjithashtu mbart mbi vete amanetin gjatë shitblerjes tënde, kështu që tregohu i drejtë dhe mos mashtro, e as mos ec me dredhi me ata që punojnë me ty. Mos pesho mangut, sepse kështu bëhesh nga ata që masin mangut të cilët i pret një luginë në zjarrin e xhehenemit.

O ti punonjës! Ty të është besuar puna që bën, prandaj vepro dhe puno në mënyrën më të mirë dhe mos ua vështirëso punët njerëzve. Mos u jep pas të pasurve dhe t’i lësh pas dore të dobëtit. Mos prano ryshfetin sepse është diçka e ndyrë dhe e prishur që sjell mallkimin dhe zemërimin e Allahut, kjo për atë që e merr, atë që e jep dhe atë që përpiqet për ta marrë.

Baba i nderuar! Ti je kujdestar për fëmijët e tu, prandaj edukoji sa më mirë dhe mësoi e rriti me të mira. Largoi prej tyre mjetet e këqija të cilat ua prishin moralet. Mos prano që në shtëpinë tënde të ketë gjëra që prishin të mirën, siç janë: filmat e ndyrë, muzika apo revista që mbajnë foto provokuese apo tema shkatërruese. Mos mbaj libra që përmbajnë kufër, mohim dhe besime të prishura.

O ju muslimanë! Kini kujdes për përgjegjësitë që keni, tërhiqini pas vetes njerëzit e këqinj dhe kujtoni gjithmonë amanetin të cilin e mbartët. Ruajeni atë në mënyrë që të fitoni shpërblime dhe të shpëtoni nga dënimi. Kërko mbrojtje tek Allahu nga shejtani i mallkuar: “Ne ua ofruam përgjegjësinë qiejve, tokës dhe maleve, por ato nuk pranuan ta marrin përsipër dhe u frikësuan ta pranojnë atë, kurse njeriu e pranoi. Me të vërtetë, njeriu u tregua i padrejtë me veten dhe i paditur. Si pasojë, Allahu do t’i dënojë hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët dhe idhujtaret, ndërsa do t’ua pranojë pendimin besimtarëve dhe besimtareve. Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” |Suretu Ahzab: 72-73|

Allahu më dhëntë mua dhe juve bereqet në Kuranin Famëlartë, dhe më dhëntë dobi mua dhe juve në ajetet përkujtuese dhe të urta që gjenden në të! Ua them këto fjalë duke kërkuar falje për gabimet nga Allahu i Madhëruar, për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët! Kërkoni falje dhe pendohuni tek Ai. Vërtet Ai është që fal shumë, është Mëkatfalës i madh.

 Hytbja e dytë:

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun, Zotin e botëve! Atë e falënderoj dhe dëshmoj se nuk meriton askush të adhurohet në vend të Tij. Ai është i Vetëm dhe i Pashoq, Ndihmësi i njerëzve të mirë. Gjithashtu dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, prijësi i njerëzve të devotshëm. Paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij!

O ju besimtarë! Vërtet që amaneti ishte virtyt të cilin e kishin profetët, duke filluar me; Nuhun, Hudin, Salihun, Lutin dhe Shuajbin. Për të gjithë këta Allahu na tregon në librin e Tij se ata u thonin popujve të tyre: “Në të vërtetë unë jam një i Dërguar i besuar për ju.” |Suretu Shuara: 107|

Ndërsa i Dërguari ynë, salAllahu alejhi ue selem, ishte bërë i njohur ndërmjet popullit të tij që para se t’i vinte shpallja me emërtimin “i besuari”. Këtë emërtim ai e mbajti edhe pas shpalljes, sepse njerëzit linin tek ai gjërat e tyre më të shtrenjta që t’ua ruante. Amaneti, o robër të Allahut, është prej besimit të plotë dhe Islamit të mirë. Me të ngrihet qielli dhe toka, me amanetin ruhen nderet, shpirtrat dhe pasuritë. I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Musliman është ai prej të cilit muslimanët e tjerë janë të qetë nga gjuha dhe dora e tij. Ndërsa besimtar është ai prej të cilit njerëzit janë të qetë për gjakrat dhe pasuritë e tyre.” E përcjell Buhariu.

Prandaj ki kujdes o musliman të mos shkujdesesh ndaj përgjegjësisë që ke dhe amanetit përballë të cilit je vënë. Fillimisht shih në veten tënde a je i denjë ta përballosh diçka të tillë apo jo? Ebu Dherri thotë: “I thashë të Dërguarit të Allahut: O i Dërguar i Allahut, përse nuk më punëson? Ai më goditi në sup dhe më tha: O Ebu Dherr, ti je i dobët dhe ajo është amanet, ndërsa në ditën e gjykimit do të jetë fatkeqësi dhe pendim. Përpos atyre që e marrin me të drejtë dhe e praktikojnë sipas formës së duhur.” E përcjell Muslimi.

I Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue selem, i veçonte disa prej shokëve të tij që njiheshin ndërmjet të tjerëve si njerëz që mbanin amanetin, dhe u jepte punë të ndryshme. Hudhejfe bin Jemani përcjell se i dërguari i Allahut u tha banorëve të Nexhranit: “Do të dërgoj tek ju një njeri të besueshëm.” Shokët e Profetit salAllahu alejhi ue selem pritën se kush do ishte ai dhe panë se ai ishte Ebu Ubejde.

E përcjell Buhariu dhe Muslimi.

Dije vëllai im i nderuar, se ai që të beson dhe të zgjedh në mesin e njerëzve dhe kërkon t’i japësh mendim tashmë të është besuar ai send, prandaj jepe këshillën tënde dhe thuaji çfarë di pa shtuar dhe pa pakësuar asgjë. I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që të pyet kërkon besnikëri.” E përcjell Ebu Daudi dhe e saktësoi Albani.

Për rëndësinë e madhe që ka amaneti, i Dërguari i Allahut kur përcillte ndonjë prej shokëve të tij i thoshte: “Nën mbrojtjen e Allahut qofshin; feja jote, besa jote dhe përfundimi i punëve të tua.” E përcjell Ibën Maxhe dhe e saktësoi Albani.

Në këtë mënyrë ai bashkonte mes fesë dhe përfundimit të veprave të mira me amanetin. Pas kësaj mendohuni pak mbi këtë hadith madhështor i cili trondit shpirtrat. Lum për atë që praktikon të drejtat që ai kërkon, dhe mjerë për atë që shkujdeset ndaj porosisë së të Dërguarit të Allahut i cili na thotë: “Të gjithë ju jeni barinj dhe secili do të përgjigjet për tufën e tij. Imami (udhëheqësi dhe sunduesi) janë barinj të popullit të vet dhe ata do të jenë përgjegjës për tufën e tyre. Burri është bari në familjen e tij dhe do të përgjigjet për tufën e tij. Gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe ajo do të jetë përgjegjëse për tufën e saj. Shërbëtori është bari dhe rojtar i pasurisë së zotërisë së vet dhe do të jetë përgjegjës për tufën e tij. Pra, të gjithë ju jeni barinj dhe secili do të përgjigjet për tufën e tij.”

E përcjell Buhariu dhe Muslimi.

Loading...