Përkujdesja hyjnore për të që kur ishte foshnje, dhe gratë që e ushqyen me gji.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Umu Habibe bint Ebi Sufjani (radijAllahu anha) i është drejtuar Profetit (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) duke i thënë: “O i Dërguar i Allahut, martohu me motrën time të bijën e Ebu Sufjanit. Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) i ka thënë: Ti do që unë të martohem me të?! Ajo i thotë: Po, edhe pse tani unë nuk jam bashkëshortja jote e vetme, dua që ajo me të cilën të ndaj mirësinë të jetë motra ime. Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) i tha: Por një gjë e tillë nuk është e lejuar.[1] Ajo tha: Kemi dëgjuar se dëshiron të martohesh me të bijën e Ebu Selemes. Ai tha: Do të thuash me të bijën e Umu Selemes? Tha: Po. Ai i tha: Edhe sikur ajo të mos ishte thjeshtra ime (bija e sjellë nga gruaja ime), prapëseprapë ajo nuk do të ishte e lejuar për mua për t’u martuar me të, pasi ajo është bija e vëllait tim nga qumështi. Mua dhe Ebu Selemes na ka dhënë qumësht Thuejba. Kështu pra, mos m’i paraqisni për martesë bijat tuaja dhe as motrat tuaja.”

Buhariu shton fjalën e Urues i cili ka thënë se Thuejba ishte një robëreshë e Ebu Lehebit të cilës ai më vonë i ka falur lirinë. Kjo robëreshë e ka ushqyer me gji Profetin (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) kur ai ishte foshnjë i porsalindur.”[2]

Transmeton Ibën Is’haku se disa nga sahabët e pyetën të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem): “O i Dërguari i Allahut! Na trego për veten tënde! Tha: Po, do t’ju tregoj. Unë jam fryti i lutjes që bënte babai im (i hershëm) Ibrahimi[3], dhe jam ai për të cilin jepte sihariq Isai, dhe jam ai që para se të lindja nëna ime pa (në ëndërr) se prej saj doli një dritë e cila ndriçoi kështjellat e Shamit.

U përkujdes për mua dhe më dha gji një grua nga familja e Benu Sead ibën Bekrit. Një ditë kur isha bashkë me vëllain tim (nga gjiri) duke kullotur bagëtitë tona, u afruan pranë meje dy burra të veshur me rroba të bardha. Në duar mbanin një enë të florinjtë të mbushur me dëborë. Ata më shtrinë dhe ma hapën kraharorin. Ma nxorën zemrën dhe e çanë atë, e prej saj nxorën një si gjak të mpiksur me ngjyrë të zezë të cilën e flakën tutje. Pastaj zemrën dhe kraharorin tim e lanë me dëborën (që ishte në enën e florinjtë) derisa e pastruan mirë. Pastaj, njëri nga ata të dy i tha shokut të vet: Peshoje atë me dhjetë njerëz nga populli i tij! Më peshoi me ata dhe unë rëndoja më shumë. Pastaj tha: Peshoje atë me njëqind njerëz nga populli i tij! Më peshoi me ata por unë rëndoja më shumë. Pastaj tha: Peshoje atë me njëmijë nga populli i tij! Më peshoi dhe unë rëndoja më shumë sesa ata. Pastaj tha: Mjafton me aq, se pasha Allahun, edhe sikur t’a peshonim atë me të gjithë popullin e tij, ai përsëri do rëndonte më shumë se të gjitha ata.”

Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është i mirë dhe i fortë. [4]

Transmeton imam Ahmedi dhe Ebu Nuajmi në librin Ed Delail nga Utbe ibën Abd, se një burrë e pyeti Profetin (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) dhe i tha: “Si ishte fëmijëria jote o i Dërguar i Allahut? Ai u përgjigj: Më ka ushqyer me gji një grua nga familja e Benu Sead ibën Bekrit. Një ditë, unë me djalin e saj dolëm të kullosnim bagëtitë. Nuk kishim marrë me vete ushqim kështu që i thashë vëllait tim (nga gjiri): A po shkon të marrësh tek nëna jonë diçka për të ngrënë? Ai shkoi, ndërsa unë qëndrova tek bagëtitë. Nuk vonoi kur mu afruan dy si shpendë të bardhë, si të ishin dy skifterë. Njëri prej tyre i tha tjetrit: Ky është ai?  Tha: Po.

Pastaj më morën nxitimthi e më shtrinë me shpinë përtokë. Më hapën kraharorin dhe më nxorrën zemrën. E prenë atë dhe nxorrën prej saj dy copa të zeza gjaku. Njëri prej tyre i tha shokut të vet: Më sill ujë dhe dëborë, – e me to lanë brendësinë time. Pastaj tha: Më sill ujë dhe akull, – e me to lanë zemrën time. Pastaj tha: Më sill një thikë. E mori atë dhe preu diça në zemrën time, pastaj i tha shokut të vet: Qepja atë. Ai e qepi atë dhe e vulosi me vulën e profetësisë.  Pastaj i tha shokut të vet: Vendose atë në njërën anë të peshores dhe vendos në anën tjetër një mijë nga umeti i tij. – Unë pashë sesi krahu i peshores ku ndodheshin ata të një mijë u ngrit lart, aq sa kisha frikën se disa prej tyre do të binin mbi mua. Pastaj njëri prej tyre tha: Edhe po të peshohej me të i gjithë populli, përsëri do të rëndonte më shumë sesa ata. Më pas u larguan dhe më lanë, ndërsa unë renda i frikësuar për tek nëna imë (gjidhënësja) dhe i tregova gjithçka më kishte ngjarë. Ajo u bë merak se mos më kishte prekur ndonjë magji, prandaj tha: Allahun e lus që të të mbrojë. Ajo përgatiti kafshën për udhëtim, më hipi mbi të ndërsa vet hipi pas meje dhe më çoi tek nëna ime, të cilës i tha: “Unë e plotësova detyrën time dhe e çova në vend amanetin. Pastaj i tregoi asaj çfarë më kishte ngjarë, mirëpo kjo nuk e tronditi aspak nënën time, e cila i tha: Unë kam parë (gjatë shtatzanisë me të) se doli prej meje një dritë e cila ndriçoi kështjellat e Shamit.”[5]

Është transmetuar në Sahihun e Muslimit nga sahabiu i nderuar Enes bin Malik, se Xhibrili (aljhi selam) i erdhi të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) kur ky ishte i vogël dhe po luante me moshatarët e tij. Xhibrili e mori atë dhe ia hapi kraharorin, e preu dhe nxori zemrën e tij, e prej saj hoqi një copë gjaku me ngjyrë të zezë dhe tha: Kjo ështe prej shejtanit. Pastaj e lau zemrën e tij në një enë të florinjtë me ujë zemzemi, më pas e qepi dhe e ktheu atë ne kraharor. Fëmijët rendën të njoftonin nënën e tij (nga qumështi). Ata thanë: E vranë Muhamedin! Të gjithë  vrapuan drejt tij dhe e gjetën atë të zbehtë në fytyrë.”

Enesi (radijAllahu anhu) thoshte: E kam parë me sytë e mi shenjën e qepjes në kraharorin e tij.

Në dy Sahihët (vëllimet me hadithe të sakta) gjejmë se Enesi (radijAllahu anhu) dhe Malik ibën Sasaeti transmetojnë nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) hadithin e Israsë, ku tregohet se Profetit (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) para se të ngjitej në qiejt e lartë, i është hapur kraharori dhe i është larë me ujë zemzemi.

Natyrisht që nuk përjashtohet mundësia që ngjarja të ketë ndodhur dy herë; Një herë kur ai ishte i vogël, dhe herën e dytë natën e Israsë dhe Miraxhit, në mënyrë që atij t’i jepej mundësia të bashkohej me parinë e lartë (engjëjt dhe profetët e nderuar), të bisedonte më Zotin e Madhërishëm dhe të qëndronte përpara Tij.

 

Profeti (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ishte i bereqetshëm që në vogëli, e këtë e vërejti familja e gjidhënëses së tij por edhe fisi Benu Sead të cilëve u vërshonin të mirat nga çdo anë kur mes tyre kishte ardhur ai vogëlush i bekur nga Meka.

Mirësia dhe zemërgjerësia e Profetit (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) i përfshiu ata qartazi në ditën e Hauazin-it kur u zunë rob pas një beteje të ashpër që u zhvillua midis tyre dhe muslimanëve. Kjo ndodhi një muaj pas çlirimit të Mekës. Ata iu lutën e iu përgjëruan Profetit (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) t’i falte për armiqësinë e deriatëhershme dhe t’u kthente lirinë të zënëve rob, duke i premtuar se që nga ajo ditë ata do të ishin njerëzit më të afërt e më besnikë.

Profeti (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) u tregua zemërgjerë me ta, i fali për çfarë kishte kaluar dhe ua ktheu familjet dhe pasuritë atyre që ishin zënë si plaçkë lufte.

Në lidhje me ngjarjen e Hauezin-it, Muhamed ibën Is’haku transmeton nga Amër ibën Shuajbi e ky nga babai i tij, i cili tregon se gjyshi i tij kishte thënë: Kemi qenë së bashku me të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) në betejën e Hunejnit. Pasi i mundëm idhujtarët dhe e shtimë në dorë plaçkën e luftës, u ndalëm në një vend të quajtur Xhiarane. Aty na erdhi një grup prej tyre, por që tashmë ishin bërë musliman. Ata thanë: “O i Dërguar i Allahut! Ne nuk jemi të huaj por jemi të afërmit e tu, jemi të një familjeje. Ne pësuam një disfatë të madhe ashtu siç po e sheh. Tregohu zemërgjerë e bëj mirësi ndaj nesh, Allahu të dhëntë mirësi!

Më pas e mori fjalën Zuhejr ibën Sardi i cili ishte më oratori ndër ta. Ai tha: “O i Dërguar i Allahut! Ato gra që i keni marrë për robëresha në të vërtetë janë tezet e tua (nga gjidhënia). Janë ato gra që të kanë mbajtur në prehër kur ishe i vogël. Sikur Ibën Ebi Shemri apo Numan ibën el Mundhiri[6] të ishin rritur mes nesh (ashtu si u rrite ti), e pastaj të na ndodhte prej tyre kjo që na ndodhi (pra të na kishin zënë rob), ne do shpresonim se ata do tregoheshin zemërgjerë me ne. Ndërsa prej teje ne shpresojmë shumë më tepër, pasi ti je më bujari ndër njerëz o profet i Zotit. Pastaj nisi të recitonte vargjet e mëposhtme:

 

Tregohu bamirës ndaj nesh o i Dërguar i Allahut!

Tregohu bamirës, se prej teje veç mirësi shpresohet!

Tregohu i dhembshur me këta njerëz që disfatë kanë pësuar,

Në një ditë të kobshme fati i ka rënduar.

Ky popull s’mund të rimëkëmbet nëse sot t’i nuk e ndihmon,

O më fisniku i njerëzve, o më i urti kur gjykon!

 

Tregohu bamirës ndaj atyre grave që në prehër të mbanin,

Kur ishe foshnje të sollën tek ne, e nga vetja s’të ndanim.

Tregohu bamirës ndaj asaj gruaje të urtë e të mirë,

Që të ushqeu me qumështin e saj të pastër e të dëlirë.

 

Mos lejo të zhdukemi pa nam e pa nishan,

Ne jemi fisi Ez Zuher që miqësinë e mbajmë.

Të mirën e shpërblejmë, borxhin dimë ta lajmë,

E kurrë nuk e harrojmë nderin që na bëjnë.

 

I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) tha: “Çfarë më takon mua dhe fëmijëve të Abdul-Mutalibit po ua japim juve për hir të Allahut.”

Ensarët (medinasit) thanë: Çfarë na takon neve, e japim për Allahun dhe të Dërguarin e Tij (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem).[7]

Profeti (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) me atë rast liroi të gjithë pasardhësit e tyre, e ata ishin rreth 6000 vetë përfshirë gra e fëmijë, dhe u dha bagëti e pasuri. E gjithë kjo ishte prej begatisë së tij që u shpalos që në dynja, e si do të jetë begatia dhe mirësia e tij për ata që e pasuan dhe do të jenë pranë tij në botën tjetër?!

 

Shkëputur nga libri: Historia Profetike e Saktësuar

Përktheu: E. AJDINI

 

[1] Pasi nuk jejohet bashkimi në të njëjtën martesë i dy motrave.

[2] Them (El Albani): Hadithi i plotë gjendet në kopjen origjinale të librit. Aty citohet: “Kur vdiq Ebu Lehebi, dikush nga të afërmit e tij e pa në ëndërr në gjendje të mjeruar. E pyeti: Si është gjendja jote (në atë botë)? Tha: S’kam gjetur rehati që nga dita që u ndava prej jush, me përjashtim të ujit që më jepet nga gishtat e Thuvejbas, robëreshës që lirova nga skllavëria, – dhe bëri me shenjë gishtin tregues dhe gishtin tjetër ngjitur me të.”

Kështu e shënon këtë ngjarje Ibën Kethiri duke marrë për bazë shtojcën e imam Buhariut, por aty nuk gjendet pjesëza “…dhe bëri me shenjë gishtin tregues dhe gishtin tjetër ngjitur me të”. Kjo pjesë është marrë nga transmetimi i Ismailit, ashtu siç e ka përmendur El Hafidh Ibën Haxheri. Kjo shtojcë nuk qëndron, pasi nuk i plotëson kushtet për t’u vlerësuar si e saktë. E para: Sepse është mursele (transmetimi që përfundon tek sahabi) nga Urve, dhe e dyta: Edhe sikur të supozojmë se kjo thënie është autentike (e transmetuar saktësisht deri tek ai që e ka parë ëndrrën) përsëri nuk vlen për argument, pasi ai që e ka parë ëndrrën nuk dihet se kush është. Pra ai është i panjohur për ne dhe fjala e dikujt që nuk dihet se kush është nuk vlen të merret për bazë. E treta: Ajo nuk është gjë tjetër përveçse një ëndërr, e çfarë vlere mund të ketë një ëndërr sidomos kur tregon për njërin nga idhujtarët më famëkeq siç është Ebu Lehebi, të cilin Allahu i madhëruar e ka mallkuar: “Iu thafshin duart Ebu Lehebit, e ai është i shkatërruar!”. Mesed: 1.

Nisur nga kjo, El Hafidh (Ibën Haxher) ka thënë: “Ky transmetim të lë të kuptosh se jobesimtarëve mund t’ju vlejë bamirësia që kanë bërë në dynja, mirëpo kjo bie ndesh me fjalën e Allahut të Madhëruar: “Dhe Ne do t’u qasemi veprave që kanë bërë ata dhe do t’i shndërrojmë në pluhur e hi.” Furkan: 23. Pra transmetimi është mursel që përfundon tek Urve, dhe nuk dihet se nga kush mund ta ketë dëgjuar ai. Por si e kemi përmendur më sipër; edhe sikur të supozojmë se është transmetuar saktësisht deri tek ai që e ka parë ëndrrën, përsëri nuk vlen për argument, pasi ndoshta ai që e ka parë mund të ketë qenë prej idhujtarëve që ende nuk e kishte pranuar islamin, ndaj fjala e tij nuk ka asnjë vlerë. Edhe sikur të ishte ndryshe, përsëri themi se ajo është vetëm një ëndërr, pra nuk ia vlen të argumentohemi me të.

Gjithsesi, nëse supozojmë se do ta pranonim si të mirëqënë atë ëndërr, atëhërë do të thoshim se kjo është nga veçoritë që kanë të bëjnë me Profetin (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) duke marrë për argument lehtësimin e dënimit të xhaxhait të tij Ebu Talibit, për shkak se ai u përkujdes për të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) duke e marrë në mbrojtje prej dëmit të idhujtarëve mekas.

Ndërsa në lidhje me atë çfarë shkruan autori Ebu Zehra në villimin 1, faqja 121, ku tregon se robëresha e Ebu Lehebit, Thuvejba, ishte e para që e njoftoi për lindjen e djalit të vëllait të tij Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem), dhe se për këtë sihariq ai e liroi nga skllavëria. Kjo nuk mbështetet në asnjë transmetim, por e ka sjellë autori nga vetja si mënyrë ilustruese të asaj çfarë mund të ketë ndodhur.

[3] Ibrahimi (alejhi selam) lutej duke thënë: “O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!” El Bekare: 129

[4] Them (El Albani): Vlerësimi që i ka bërë hadithit është i saktë.

[5] Them (El Albani): Transmetuesit e këtij hadithi janë të besueshëm, por ka vërejtje për Bakije ibën el Velid i cili është mudelis (fshehës i emrave të transmetuesve), e në këtë rast ka transmetuar me an-aneh. Situata qartësohet në transmetimin e El Hakimit vëllimi 2, faqja 616-617, ku thotë: Hadith i saktë që plotëson kushtet e Muslimit. Këtë vlerësim të tij e mbështet edhe imam Dhehebiu, por e drejtë është të thuhet që ky është hadith i saktë, vetëm kaq. Kjo sepse mes transmetuesve të këtij hadithi gjendet edhe Behir ibën Sead nga i cili imam Muslimi nuk ka transmetuar asnjëherë. Shiko për më tepër Es Sahihah me nr 373.

[6] Dy mbretër arab të asaj periudhe.

[7] E shënon Taberani në El Meaxhim eth thelathe, me zinxhir transmetimi ku ka transmetues të panjohur. El Hafidh e ka vlerësuar si hasen. E transmeton Ed Dajau al Makdisi në El Muhterah, dhe transmetimi i tyre është i fortë. Nisur nga kjo, këtë transmetim e kam shënuar në librin tim Es Sahihah, ashtu siç e kemi cekur edhe më herët.