Përkujdesja në mbledhjen e librave

September 15, 2024

Në biografitë e njerëzve të dijes përmenden shumë prej atyre që janë përkujdesur për mbledhjen e librave. Njëri prej tyre është vëllai i Kadi el Fadil i cili ka mbledhur aq shumë libra sa ka mbushur shtëpi të tëra, aq sa kishte në posedim 16 kopje të plota të librit të “Sihah” të autorit El Xheuheri. Ministri El Kifti i cili vdiq në vitin 646, u bë i njohur për dashurinë e tij të madhe për librat dhe pasionin e tij për t’i mbledhur ato, dhe u përshkrua si një grumbullues i përkushtuar i librave siç e përshkruan bashkëkohësi i tij Jakut el Hamevi. Disa nga bibliotekat më të famshme të hershme përfshijnë atë të Sahib Ibën Abad dhe të El Kadi el Fadil, të cilat tejkaluan numrin prej 100.000 vëllimesh secila. Imagjino këtë sasi të madhe! Duhet të kuptojmë se të gjithë këta libra ishin të shkruar me dorë, ishin dorëshkrime, dhe ky ishte vetëm një person që posedonte 100.000 libra. Por a mund të ndodhë sot që një individ të zotërojë një sasi të tillë? Po, sot ka njerëz që posedojnë një numër të ngjashëm por që janë botime të shtypura.

Është e vërtetë se ata mund të blejnë një libër prej dhjetë apo njëzet vëllimesh menjëherë. Po për librat e asaj kohe sa kohë duhej që të shkruheshin? Kur do kontrolloheshin dhe krahasoheshin? Si do të mblidheshin?
Shumë prej këtyre librave janë të njohur për autorët e tyre, vendin ku ndodhen dhe kush i ka kopjuar ato. Nëse dikush dëshiron të ketë një kopje duhet të shkojë dhe ta kopjojë me dorë, ndërsa të marrësh hua libra ishte një çështje shumë delikate për dijetarët e hershëm. Ata ishin shumë të kujdesshëm në lidhje me huadhënien e librave. Thuhet: “O ti që merr hua librat, më lër rehat sepse huadhënia e librave është një turp.” Shumë libra kanë humbur dhe enciklopedi të tëra janë shpërbërë në këtë mënyrë.
Në mënyrë të ngjashme me bibliotekat e famshme të Sahib Ibën Abad dhe El Kadi el Fadil ekziston ajo e Ebu Mutarrif el Kadi në Kordoba. Ai mblodhi libra në fusha të ndryshme të dijes në një mënyrë që askush tjetër nga bashkëkohësit e tij në Andaluzinë e asaj kohe nuk e bëri. Ai kishte gjashtë shkrues të cilët i kopjonin librat vazhdimisht për të. Këta ishin si shtypshkronjat e tij personale, me gjashtë njerëz që i kopjonin librat vetëm për bibliotekën e tij. Jo për shpërndarje por për t’i mbajtur në bibliotekën e tij. Ndonjëherë kishte disa kopje të një libri të vetëm në të njëjtën bibliotekë. Ai mund të gjente një libër tek dikush tjetër ose në një bibliotekë tjetër dhe ta sillte te shkruesit e tij për ta kopjuar.

Sidoqoftë, asnjë dijetar ose student i dijes nuk mund të bëjë pa një bibliotekë, sepse librat janë të domosdoshëm për kërkimin shkencor. Ky interes për librat u bë aq i përhapur saqë u kthye në një simbol prestigji dhe mburrjeje.
Në librin “Nefhu tib” të Al Mekkarij, thuhet se Kordoba kishte më shumë libra se çdo vend tjetër në Andaluzi dhe njerëzit e saj ishin më të përkushtuarit për mbledhjen e tyre. Librat u kthyen në një shenjë statusi dhe pushteti, aq sa edhe ata që nuk kishin njohuri për librat dëshironin të kishin një bibliotekë të madhe për t’u shfaqur para të tjerëve. Edhe pse nuk dinin të lexonin apo të shkruanin ata blinin libra vetëm për të thënë se kishin një bibliotekë të pasur dhe libra që nuk gjendeshin askund tjetër.

Ky mentalitet i të mburrurit me libra gjendet edhe në kohët moderne. Shumë prej aristokratëve në disa vende islame janë të njohur për interesimin e tyre për të pasur biblioteka të rralla vetëm për të treguar pasurinë dhe statusin e tyre, pa marrë parasysh përmbajtjen e librave. Disa madje kanë përdorur objekte të krijuara në formën e librave duke i vendosur në rafte vetëm për të dhënë iluzionin e bibliotekës, edhe pse në fakt nuk janë libra të vërtetë. Ky lloj grumbullimi i librave kur bëhet për mburrje dhe jo për përfitim intelektual, i përket asaj që Zoti e përmendi në Kuran: “Ju ka mashtruar dëshira për të shtuar.”

Në librin “Nefhu tib”, El Hadrami tregon se qëndroi në Kordoba dhe vizitoi tregun e librave për një kohë të gjatë duke kërkuar një libër të caktuar. Më në fund ai e gjeti librin me një dorëshkrim të qartë dhe një koment të shkëlqyer, dhe u gëzua shumë për këtë. Ai vazhdoi ta rriste çmimin e tij por gjithmonë kishte dikë që ofronte më shumë. Më në fund ai pyeti se kush po e ngrinte çmimin dhe i treguan një njeri me veshje të shtrenjtë. Kur El Hadrami iu afrua dhe i tha se do t’ia linte librin atij nëse e donte, njeriu iu përgjigj se nuk ishte dijetar dhe nuk e dinte përmbajtjen e librit, por po krijonte një bibliotekë për tu bërë përshtypje njerëzve dhe kishte nevojë për një libër që të plotësonte një vend bosh në bibliotekën e tij. Ai tha se i pëlqeu bukuria e dorëshkrimit dhe kapaku i librit dhe nuk i interesonte çmimi.

El Hadrami i zhgënjyer nga kjo situatë, tha: “Njerëzit që nuk kanë njohuri u jepet gjithçka, ndërsa unë që e njoh përmbajtjen dhe dua të përfitoj nga ai libër jam i penguar për shkak të varfërisë.” Megjithatë, ai pranoi se kundërshtimi i fatit është i gabuar dhe se çdokush ka fatin e tij, qoftë i mirë apo i keq.
Më ka ardhur në vesh se disa libra printohen në vetëm katër ose pesë kopje, dhe ruhen në banka nga frika se mos vidhen! SubhanAllah! A mund të jetë kjo një mënyrë për të arritur kënaqësinë e Zotit të Plotfuqishëm?

Po, mund të themi se dija fetare e kërkuar është lehtësuar falë Zotit, dhe kjo duke filluar nga Kurani: “Dhe me të vërtetë Ne e kemi bërë Kuranin të lehtë për përkujtim”.
Shikon se libri më i lirë në librari është pikërisht Kurani, Mus’hafi. Çmimi i tij… është e vërtetë që vlera monetare e tij është e ulët, por nuk ka asnjë libër tjetër që është objekt adhurimi përmes recitimit përveç Kuranit. Por vlera e tij monetare është e tillë që njerëzit më në nevojë e gjejnë si librin më të lirë që shitet, dhe kjo është nga urtësitë hyjnore. Gjërat për të cilat njerëzit kanë më shumë nevojë janë ato që janë më të lira. Ashtu si me ushqimin bazë që mban trupin edhe ai është më i lirë në tregje. Më pas artikujt luksozë dhe shtesat janë më të shtrenjtë, dhe kështu është edhe me librat.

Në lidhje me vlerën monetare; “Kurani”, “Sahih al Buhari”, “Sahih Muslim”, “Rijad es salihin” dhe libri “El edhkar” janë librat që u nevojiten shumicës së muslimanëve dhe janë të lirë. Por kur vjen puna te libra që njerëzit nuk kanë domosdoshmëri t’i kenë, siç dëgjojmë për disa që arrijnë në 50.000 apo 60.000 dinarë, ose libra si “Kanuni” i Ibn Sinës që shitet për 90.000 ose 60.000 dinarë! Arsyeja është se janë botime të rralla evropiane. Megjithatë, për “Kanunin” i Ibn Sinës e dini se Imam en-Nevevi e futi atë në bibliotekën e tij, dhe zemra e tij u errësua dhe iu bë e vështirë të memorizonte derisa e largoi atë nga biblioteka e tij.

Libra të tjerë të shtrenjtë janë kujtimet dhe librat e udhëtimeve. A ka nevojë muslimani për këto? Po, nga aspekti i marrjes së mësimeve, argëtimit dhe relaksimit njeriu mund të ketë nevojë për to. Por deri në këtë masë? Kjo është e tepruar. Futet në sferën e shpenzimit të tepruar (israf). Por nëse dikush ka nevojë për “Sahih al Buhari” dhe nuk gjen një kopje tjetër përveçse me një çmim të lartë, ne themi: Nuk ka shpenzim të tepërt në punët e mira.

Në çdo rast, nëse mbledhja dhe etja për libra arrin në një pikë ku bëhet pengesë për arritjen e dijes, atëherë ky është një problem. Librat mund ta mbingarkojnë njeriun dhe ata që e kanë provuar këtë e dinë. Mund të kesh dhjetë kopje të të njëjtit libër por të mos jesh në gjendje të gjesh asnjë kur të duhet, siç thotë Ibn Halduni: “Shumica e shkrimeve e pengon arritjen e dijes.” Njeriu duhet të jetë i balancuar në të gjitha çështjet e tij, duke përfshirë atë që i nevojitet nga librat dhe atë që nuk i nevojitet.

 

Autor: Abdul Kerim el Hudajr

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...