Përkujtime dhe predikime

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

mjafton Allahu, Ai është mbrojtës i mrekullueshëm!

I Lavdishëm dhe i Lartësuar qoftë Allahu sa herë ndryshojnë ditët dhe netët! Falënderimet vetëm Atij i takojnë sa numri i muajve dhe viteve! Nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Tij, madhështinë e të Cilit nuk mund t’a përfshijnë iluzionet.

Ai është më i Madhi, plot madhëri dhe nderim, plot krenari që kurrë nuk shuhet. Ai është Drejtuesi i çështjeve, Vlerësuesi i kohës, ditës, natës dhe vitit. Ai qëndron lart mbi çdo gjë me Pushtetin, Ngadhënjimin dhe Madhështinë e Tij.

Çdo send që adhurohet pos Allahut është i kotë. Ai  dhe askush tjetër veç Tij, Ai është Zoti i të parëve dhe të mbramëve (atyre që do vijnë më pas).

Si mundet që dikush tjetër veç Allahut të adhurohet ndërkohë që çdo gjë poshtë Arshit tek Ai shpreson dhe vetëm Atij i frikësohet?!

Dielli, hëna, yjet, a nuk janë të nënshtruara? Qiejt, toka dhe çdo gjë brenda tyre me urtësinë e Tij a nuk janë të drejtuara? Hëna me rrezatimet e caktuara të saj, a nuk lëviz e nënshtruar ndaj Zotit të Lartësuar? A nuk janë mendjet të përhumbura në njohjen reale të Madhështisë së Tij?

I Lavdishëm dhe i Lartësuar qoftë Allahu, sa madhështore është pozita e Tij!

I Lavdishëm dhe i Lartësuar qoftë Allahu, sa i përhershëm është sundimi i Tij!

Një rob që vet Zoti e mori nën kujdesin e Tij.

Nga gotë e mbushur me dashuri i dha të pijë.

Ai që tregohet i çiltër me Allahun meriton çiltërsinë. Ai që strehohet tek Allahu ka për të gjetur rehatinë. Ai që çështjen e dorëzon tek Allahu, Ai do t’i mjaftojë atij. Ai që shpirtin i’a shet Allahut, Ai do t’ia blejë duke e vlerësuar me xhenetin e amshueshëm dhe kënaqësinë e Tij.

Ky është premtim i vërtetë dhe zotim i hershëm: E kush i përmbahet besëlidhjes më fort se Allahu?[1]

Njeriu mbetet i frikësuar me veten deri në momentin kur Allahu t’a strehojë nën kujdesin e Tij, e nëse është i interesuar të dijë nëse u përket të dashurve të Allahut atëherë le të rishohë lidhjet me ata që e duan Allahun dhe urrejtjen ndaj atyre që nuk e duan Atë.

Kush ndjek rrugën e njerëzve të ruajtur ka për të shpëtuar, ndërsa kush nuk i pranon këshillat e këshilluesve do të pendohet.

Nuk ka fatkeqësi më të madhe se të privohesh nga ndjekja e legjislacionit Islam, dhe nuk ka sprovë më të madhe se të vdesësh duke këmbëngulur në kundërshtimin e Zotit të botëve.

Jeta e vërtetë fshihet në vazhdimësinë e përmendjes së Allahut. Mirëqenia e vërtetë qëndron në praktikimin e urdhërave, qëndresa arrihet duke hipur në varkën shpëtuese të Kuranit dhe sunetit, ndërsa fitorja e vërtetë është kur njeriu hyn në Xhenet dhe shpëton nga zjarri i Xhehenemit.

I vdekur nuk është ai që jep shpirt, i vdekur në të vërtetë është ai që nuk arrin të kuptojë detyrimet që ka karshi Allahut, Zotit të vet.

Fisnikëria e vërtetë është devotshmëria, krenaria e vërtetë është krenaria e adhurimit, shoqëruesi më i mirë është mirësia, dhe vetmia e vërtetë është kur shoqërohesh me të keqen. Çdo fatkeqësi që të bie në të cilën Allahu nuk të kthen shpinën, ajo në të vërtetë është mirësi.

Po të mos ekzistonte injoranca jonë për madhështinë e Allahut, nuk do të largoheshim prej urdhërave të Tij. Po të mos ishte se njerëzit mashtrohen me urtësinë e Tij , nuk do të vazhdonim në kundërshtimin ndaj Tij. Po të mos ekzistonin relatat jo të hijshme me Krijuesin, kurrë nuk do të ngopeshim me leximin e fjalëve të Tij.

Bëhuni si u urdhëron Allahu, të arrini atë që Ai u ka premtuar.

Përgjigjuni Allahut kur t’iu thërrasë sepse Ai do t’u përgjigjet kur t’i luteni.

Jepini Allahut bindjen tuaj që Ai t’u japë nga mëshira e Tij më shumë se ç’kërkoni.

Shembulli i adhurimit pa sinqeritet është si shembulli i bebes së syrit që nuk arrin të shohë.

Përmendja e Allahut në fillimin e një pune është tregues i suksesit të saj.[2]

Të kërkosh udhëzim nga Allahu është garanci për udhëtarin nga humbja e kësaj rruge.

O njerëz, kush mund të jetë më i nderuar se ju tek Allahu nëse ju e nderoni veten me devotshmëri? Kush është më meritor se ju tek Allahu, përderisa lidhjet me Të i përmirësoni? Kush mund të jetë më afër se ju tek Allahu nëse i jepni përparësi afërsisë (me Të) ndaj synimeve të tjera?

Në qoftë se njeriu do të dinte pozitën e vetes së tij nuk do t’a njolloste atë me mëkate. Nuk do t’a përbuzte fisnikërinë e tij me dëshmitë negative të engjëjve në prezencë të Krijuesit.[3]

Dijeni se vetminë e varrit nuk e largon asgjë veç veprës së mirë. Flakët e zjarrit nuk i shuan asgjë veç dritës së imanit (besimit), ndërsa këmbët mbi urën e Siratit nuk i forcon asgjë veç qëndrueshmërisë në fenë e Allahut.

Allahu është Krijuesi ndërsa njeriu është i krijuar, dhe nuk ka proporcion mes Krijuesit dhe krijesës përveç se me anë të lidhjes që ai krijon duke praktikuar librin që Allahu zbriti.

Prandaj, veproni sipas Kuranit dhe ndiqeni sunetin me qëllim që t’i shpëtoni dënimit dhe të fitoni Xhenetin.

Nuk ka ndryshim e as forcë pa ndihmën e Allahut të Madhëruar!

 

[Përkujtime dhe predikime]

Abdurrahman ibn Xheuzi (Allahu e mëshiroftë)

Përktheu: Fatjon Isufi

—————————————–

[1] Suretu Teube; 111.

[2] Ebu Hurejra përcjell se i dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Çdo fjalë apo çështje me rëndësi që nuk fillon në emër të Allahut, ajo është jo e begatë ose e shkëputur nga suksesi.” E përcjell Ahmedi, Nesaiu dhe Ibn Maxheh.

[3] Aludon në fjalën e Allahut: “E shoqëruesi i tij (engjëll) do të thotë: Këtu është (shënimi i veprave të tij) që kam gati.” Kaf; 23.