Përmbledhje e dispozitave të haxhit

August 6, 2014

Allahu i Madhëruar thotë: Kryeni haxhin dhe umran për hir të Allahut! E nëse pengoheni[1], atëherë therni kurban sipas mundësisë[2], dhe mos i rruani kokat tuaja deri sa kurbani të arrijë në vendin e vet! Por, cilido prej jush që është i sëmurë ose ka ndonjë lëndim në kokë[3], ta kompensojë atë me agjërim, ose lëmoshë, ose therje kurbani[4]. Kur të keni siguri, ai që e ka bërë umran për t’u liruar me të[5] deri në haxh, të therë kurban sipas mundësisë, ndërsa ai i cili nuk ka mundësi le të agjërojë tre ditë në haxh dhe shtatë kur të ktheheni; këto janë dhjetë ditë të plota. Kjo është për atë që nuk e ka familjen pranë Xhamisë së Shenjtë (në Mekë). Kini frikë Allahun dhe dijeni se Allahu është i rreptë në ndëshkim. Haxhi është në muaj të njohur[6]. Kushdo që vendos[7] të kryejë haxhin në këto muaj, të mos flasë turpshëm[8], të mos bëjë shthurje[9] dhe të mos grindet[10] gjatë haxhit.[11] Çfarëdo të mire që të veproni[12], Allahu e di atë. Pajisuni për (këtë) udhëtim[13]; e pajisja më e mirë është devotshmëria. Pra, ma kini frikën Mua[14], o njerëz me arsye. Ju nuk keni asnjë gjynah nëse kërkoni ndonjë të mirë nga Zoti juaj[15]. Kur të ktheheni nga Arafati, përmendni Allahun[16] tek vendi i shenjtë (në Muzdelife). Përmendeni Atë[17] ashtu si ju ka udhëzuar[18], edhe pse më parë keni qenë prej të humburve[19].” El Bekare 196-198

 Dita e teruijes (8 dhul hixhe)

1. Është e pëlqyeshme larja dhe lyerja me parfum, kjo para veshjes së ihramit.

2. Prej sunetit është që haxhiu të vesh ihramin e tij para zeualit (mesditës).

3. Haxhiu duhet të bëj nijetin për haxhin duke thënë: Lebbejke haxhen, la rijae fihi ue la sum’ah, (Të përgjigjem o Zoti im për haxh, në të cilin nuk ka syfaqësi e as dëshirë për tu bërë i dëgjuar në mesin e njerëzve). Por nëse ai frikësohet nga ndonjë gjë e cila mund ta pengojë për plotësimin e haxhit, atëherë le të thotë: “Ue in habesenij habisun fe mehil-lij hajthu habesteni.” (E nëse më pengon mua diçka a.t.h. çlirimi im prej haxhit është aty ku më pengon prej tij)

4. Bërja sa më shumë e telbijes. Forma e saj është: Lebbejke Allahumme lebbejk, lebbejke la sherike lek, lebbejk, innel hamde uen ni’meh leke uel mulk la sherike lek” (Të përgjigjem Ty, O Zoti im, të përgjigjem! Të përgjigjem Ty, dhe Ti je i Pashoq. Falënderimi të takon vetëm Ty dhe Mirësia është vetëm prej Teje. Vetëm i Yti është  sundimi, Ti je i Pashoq”.{Buhariu me Fet’h në “Babu et Telbijeh” 1549 nga Abdullah bin Umer po ashtu edhe nga Aisha me nr. 1550}.[20]

Haxhiu e fal namazin e drekës, të ikindisë, të akshamit, të jacisë dhe të sabahut në Mina dhe po ashtu vazhdon në thënien e telbijes prej ditës së tetë deri ditën kur gjuhen guralecat e akabes (ditën e festës së Bajramit).

5. Shkurtimi i namazit katër rekatësh në dy rekate, duke mos i bashkuar.

6. Haxhiu duhet të tregojë kujdes që namazet t’i falë me xhemat.

7. Po ashtu duhet të tregojë kujdes edhe në faljen e namazit të vitrit, pra, mos të neglizhojë në faljen e tij, dhe të suneteve të namazit të sabahut.

8. Shtimi i dhikrit, leximit të Kuranit dhe lutjeve.

Dita e Arafatit (9 dhul-hixhe)

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në lidhje me ditën e Arafatit ka thënë: “Gjëja më e mirë që kam thënë unë dhe Profetët para meje është fjala: La ilahe il lAllahu uahdehu la sherike leh lehul mulku ue lehul hamdu ue huve ala kul-li shejin kadir”  (Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një e të vetëm i Cili nuk ka shok, i Tij është sundimi dhe Atij i përket falënderimi dhe Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka.

1. Shkuarja për në Arafat, pas lindjes së diellit.

2. Qëndrimi në Nemira deri në zeual, në rast të kundërt, nuk ka problem, ngase qëndrimi në të është sunet. Shënim: Nemira nuk është pjesë e Arafatit.

3. Namazi i drekës dhe i ikindisë falet i bashkuar dhe i shkurtuar, bashkim i parakohshëm (e fal ikindinë në kohën e drekës).

4. Përpjekja dhe preokupimi me dhikër dhe lutje, duke i ngritur duart gjatë bërjes së lutjes. Po ashtu i lejohet haxhiut leximi i Kuranit dhe të thotë telbijen.

5. Qëndrimi në Arafat, deri në perëndimin e diellit.

6. Të sjellurit në mënyrën dhe formën më të mirë me haxhinjtë e tjerë.

Kujdes nga të ngjiturit në malin e Arafatit dhe të fërkuarit pas tij. Po ashtu edhe të kthyerit në drejtim të malit që njihet me emrin “Mali i mëshirës.”

Nata e Muzdelifes

1. Ikja prej Arafatit për në Muzdelife, pas perëndimit të diellit, me qetësi.

2. Falja e namazit të akshamit dhe të jacisë, duke i bashkuar dhe shkurtuar, me një ezan të vetëm dhe dy ikamete.

3. Të shpejtuarit për të fjetur pas namazit dhe të ndaluarit nga preokupimi me gjëra të tjera.

4. Qëndrimi në Muzdelife është uaxhib dhe lejohet për të dobëtit qofshin prej burrave dhe grave që të lëvizin pas gjysmës së natës. Ndërsa për çdo kënd tjetër që nuk bën pjesë në këtë kategori apo që është në ndihmesë të tyre duhet që të qëndrojë në Muzdelife derisa të falë namazin e sabahut me xhemat.[21]

5. Pas kësaj ai drejtohet, duke pasur për qëllim, “El Mesh’arul Haram” duke njësuar Allahun e Madhëruar dhe të bëj lutje për çfarë të dëshirojë që nga fillimi i agimit deri para lindjes së diellit. Nëse haxhiut nuk i mundësohet që të shkojë tek “El Mesh’arul Haram”, ai i bën lutjet që nga vendi i tij duke u bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Unë po rri këtu dhe e gjitha ajo (Muzdelifeja) është vendqëndrim.”

Dita e Kurbanit (10 dhul-hixhe)

1. Ikja prej Muzdelifes për në Mina, para lindjes së diellit, duke ecur me qetësi.

2. Është e pëlqyeshme nxitimi gjatë ecjes tek “Uadi Muhasir”, gjithmonë nëse kjo gjë të mundësohet.

3. Preokupimi me thënien e telbijes derisa të mbërrish tek “Xhemratul Akabeh” pastaj, kur mbërrin atje, nuk e thua telbijen. Pastaj qëndron tek “El Xhemrah” duke e lënë Mina-në nga djathta e tij ndërsa Mekën në të majtë të tij, pastaj fillon e gjuan guralecat e Akabes, shtatë guraleca duke thënë tekbir (Allahu ekber) për çdo guralec që gjuan. Në të njëjtën kohë duhet treguar kujdes që guralecat të godasin gropën.

4. Therja e kurbanit. Është e pëlqyeshme që haxhiu ta therë vet kurbanin nëse ka mundësi.

5. Burrat rruajnë flokët e kokës, ose i shkurtojnë, porse rruajtja e kokës është më mirë,[22] ndërsa gruaja i shkurton të gjitha flokët e saj (sa madhësia e mollëzave të gishtit të dorës).[23]

6. Pas gjuajtjes së guralecëve të Akabes, muhrimit i lejohet çdo gjë që i ishte ndaluar më parë, me veshjen e ihramit, përveç grave. Ky quhet “Lejimi i parë”. Kurse disa dijetarë kanë vendosur si kusht rruatjen apo shkurtimin, bashkë me gjuajtjen.

7. I lejohet haxhiut – pas lejimit të parë – pastrimi dhe parfumosja, e më pas ai drejtohet për në Mekë për të bërë tauaful ifada, i cili është shtyllë dhe nuk plotësohet haxhi vetëm se duke e bërë atë. Pas kësaj muhrimit i lejohet çdo gjë, madje edhe gratë.

8. Bërja e sa’jit (ecjes së shpejtë) ndërmjet Safës dhe Meruas për secilin lloj të haxhit, e gjitha në formë mustehabi (pëlqyeshmërie) dhe jo uaxhibi (detyrimi) sipas fjalës më të saktë të dijetarëve.

9. Prej sunetit, dhe më e mira, është që të gjitha punët e ditës së kurbanit, që u përmendën më sipër, të bëhen sipas kësaj renditjeje. Po ashtu i lejohet haxhiut që ndonjë prej këtyre punëve ta paraprijë nga tjetra dhe kjo nuk ka problem në dashtë Allahu!

Ditët e teshrikut (11, 12 dhe 13 dhul-hixhe)

1. Gjuajtja e guralecave, në të tre vendet, duke filluar në fillim me “Es Sugra” (E vogla), pastaj “El Usta” (E mesmja) e në fund tek “El Kubra” (E madhja). Haxhiu gjuan nga shtatë guraleca për secilin vend, duke thënë edhe tekbirin në çdo gjuajtje që bën. E kjo në ditët 11 dhe 12 nëse ngutesh dhe 13 nëse vonohesh. Allahu i Madhëruar thotë: “Përmendni Allahun në ditët e caktuara[24], e kush ngutet në dy ditë, ai nuk ka gjynah, dhe as ai që vonohet[25], nuk ka gjynah, përderisa i frikësohet Allahut[26]. Pra, kini frikë Allahun[27] dhe dijeni se patjetër që tek Ai do të grumbulloheni.[28]” El Bekare: 203

2. Koha e gjuajtjes së guralecave fillon pas zeualit (animit) të diellit (nga kupa e qiellit) dhe nuk lejohet para tij.

3. I lejohet haxhiut, që pas gjuajtes së guralecave, të drejtohet nga Kibla e të lutet gjatë me duart ngritur, afërsisht sa leximi i sures “El Bekare” nëse ka mundësi për këtë. Këtë gjë e bën tek gjuatja e guralecave te “Es Sugra” para saj dhe tek “El Usta” në të djathtë të saj, ndërsa tek “El Kubra = El Akabeh” nuk bën asgjë.

4. Qëndrimi në Mina, edhe nëse nuk fle, është uaxhib.

5. Haxhiu i fal të pesta namazet në ditët e qëndrimit në Mina të bashkuara në kohë, duke i shkurtuar namazet me katër rekate në dy rekate.

6. Haxhiu në këto ditë duhet të jetë i preokupuar me leximin e Kuranit, me tekbir dhe me vepra të tjera të mira.

7. Tavafi i lamtumirës, e ky bëhet në momentin kur personi dëshiron të largohet prej Mekes. 

Ki kujdes nga gjuajtja e guralecave para lindjes së diellit si dhe lënien e qëndrimit në Mina.

Kur t’i përfundoni ritet e haxhit, përmendni Allahun ashtu siç përmendni prindërit tuaj, madje edhe më shumë![29] El Bekare: 200

Përktheu: Unejs Sheme

[1] Nëse dikush apo diçka ju pengon në rrugë dhe nuk mund të arrini në Mekë për të plotësuar ritet e haxhit dhe të umras.

[2] Kurbani që duhet therur në këtë rast është një dele ose një e shtata e një lope ose e një deveje, siç veproi Pejgamberi – alejhis selam – dhe shokët e tij në vitin e Hudejbijes.

[3] Dhe detyrohet ta rruajë kokën para kohës së caktuar.

[4] Agjërimi i tre ditëve, ose ushqyerja e gjashtë të varfërve, ose therja e një kurbani; je i lirë të zgjedhësh mes tyre, por kurbani është më i mirë, pastaj ushqyerja e të varfërve, pastaj agjërimi. [Es Sa’di].

[5] Për t’u liruar nga ihrami deri sa të fillojnë ditët e haxhit. Është fjala për llojin e haxhit “Mutemeti”.

[6] Që në kohën e Ibrahimit (alejhis selam). Ato muaj janë: Sheual, Dhul Kaade dhe dhjetë ditë nga muaji Dhul Hixhe.

[7] Kushdo që vesh Ihramin (rrobën e bardhë të haxhit dhe umras) dhe fillon telbijen (thotë: Lebbejke Allahumme …).

[8] Origjina e fjalës “rafeth” ka kuptimin “fjalë e turpshme”, por ajo përdoret gjithashtu në mënyrë figurative për të treguar marrëdhëniet seksuale apo veprat a fjalët paraprake të tyre. Pra, nuk lejohet që gjatë haxhit të kryesh marrëdhënie intime me gruan, as t’i thuash asaj fjalë të turpshme, si: “Kur të lirohemi nga Ihrami pas haxhit, do të bëj kështu e kështu…”, dhe as nuk lejohen fjalët e turpshme në përgjithësi.

[9] Të gjitha llojet e gjynaheve, ku përfshihet edhe fyerja, ofendimi, shkelja e ndalesave të Ihramit, etj.

[10] Të mos bësh polemikë dhe të mos ngacmosh kënd duke e nxehur atë, gjë e cila çon në sherr dhe armiqësi.

[11] Veshja e Ihramit për haxh duhet madhëruar dhe duhet ruajtur nga ato gjëra që e prishin dhe e cënojnë atë. Qëllimi me kryerjen e haxhit është përulja dhe nënshtrimi para Allahut, afrimi tek Ai me sa të mundesh prej veprave të mira dhe ruajtja nga të këqijat. Në këtë mënyrë arrihet haxhi i bekuar, shpërblimi i të cilit është Xheneti. Ndërsa këto gjëra, edhe pse janë të ndaluara në çdo kohë, por gjatë haxhit ndalesa e tyre është edhe më e fortë. [Es Sa’di].

[12] Prej veprave të haxhit dhe gjatë tij në veçanti dhe prej të gjitha veprave të mira në përgjithësi.

[13] Pajisuni me ushqime dhe gjërat e nevojshme për udhëtimin për kryerjen e haxhit që të mos u keni nevojën njerëzve dhe të mos u kërkoni atyre.

[14] Duke zbatuar urdhërat e Mia dhe duke u larguar nga ndalesat e Mia, në përgjithësi dhe në lidhje me haxhin në veçanti.

[15] Nuk keni gjynah që të bëni tregti para dhe pas Ihramit për haxh.

[16] Me namaz dhe lutje.

[17] Me përkushtim dhe bindje, me lavdërim dhe falënderim.

[18] Ju ka dhënë sukses që të ndiqni rrugën e Ibrahimit, fenë e pastër Islame.

[19] Keni qenë të humbur nga kjo rrugë dhe në buzë të greminës, por Allahu ju shpëtoi me mirësinë e Tij dhe ju udhëzoi në Islam.

[20] Transmetohet nga Ibn Umeri – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – se: “Ndërsa deveja e të Dërguarit të Allahut – Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të – qëndronte në këmbë, në xhaminë e Dhul Hulejfes, ai bënte Ihramin dhe thoshte: “Allahumme lebbejke. Lebbejke la sherike leke lebbejke. Innel Hamde uen ni’mete leke uel mulk, la sherike leke” (O Zoti im! Të përgjigjem Ty! I përgjigjem thirrjes Tënde dhe Ti nuk ke shok, të përgjigjem Ty! Falenderimi dhe mirësia e gjitha të takon Ty, po kështu edhe sundimi. Ti je i Pashoq!) 

Ndërsa Abdullahi shtonte mbi këtë dhe thoshte: “Lebbejke, lebbejke ue seadejke, uel hajru bijedejke, uer rugabau ilejke uel amelu – Të përgjigjem Ty! Të përgjigjem e të përgjërohem! E mira është e gjitha në Dorën Tënde dhe tek Ti është ajo që kërkojmë, edhe vepra (jonë).” Ahmedi në “Musnedin” e tij 2/3, Buhariu me nr. 1549 dhe Muslimi me nr. 20/1184 {Sahih}

Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: I Dërguari i Allahut – paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të – thoshte në telbijen e tij: “Lebbejke ilahel hakki, lebbejke” (I përgjigjem thirrjes Tënde, o Zot i Vërtetë, të përgjigjem Ty!) E transmeton Ahmedi në “Musnedin” e tij 2/341, Ibën Maxheh në “Sunenin” e tij me nr. 2920 dhe En Nesaiju në “Sunenin” e tij me nr. 2752 {Sahih}

[21] Transmetohet nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) erdhi në Muzdelife dhe fali atje akshamin dhe jacinë, me një ezan të vetëm dhe dy ikamete, pa falur sunete midis tyre. Pastaj u mbështet deri në agim, fali sabahun kur iu bë e qartë koha e tij, me ezan dhe ikamet. Pastaj i hipi devesë së tij deri sa mbërriti në El Mesh’ari el Haram, u kthye nga Kibla dhe i bëri lutje Allahut, e madhëroi dhe e njësoi Atë. Ai vazhdoi të qëndrojë në këmbë deri sa u zverdh qielli (nga lindja i diellit), pastaj u nis para se të lindte dielli dhe shkoi në fushën e “Muhasirit” ku ndenji pak, pastaj ndoqi rrugën e mesme që të shpinte te xhemarati i madh dhe e gjuajti atë me shtatë gurë, dhe me çdo gurë që gjuante, ai thoshte “Allahu ekber”. Pasi gjuajti gurët, ai shkoi te vendi i kurbaneve.” E transmeton Muslimi në “Sahihun” e tij me nr. 147/1218 {Sahih}

[22] Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “O Zot! Fali ata që i rruajnë kokat (në haxh)! Njerëzit thanë: O i Dërguari i Allahut! Po ata që i shkurtojnë flokët? Ai tha: “O Zot! Fali ata që i rruajnë kokat!” Njerëzit thanë: O i Dërguari i Allahut! Po ata që i shkurtojnë flokët? Tha: “Edhe ata që i shkurtojnë flokët.” Ahmedi në “Musnedin” e tij 2/151, Buhariu me nr. 1728 dhe Muslimi me nr. 320/1302 {Sahih}

[23] Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Rruajtja e kokës nuk është për gratë, por për to është shkurtimi i flokëve.” E transmeton Ebu Daudi në “Sunenin” e tij m enr. 1984 dhe 1985 dhe Ed Darakutni në “Sunen” 2/271 me nr. 165-166. {Sahih ligajrihi}

[24] Tri ditët e Teshrikut, pas ditës së Bajramit të Kurbanit, ditë gjatë të cilave haxhinjtë hedhin gurët në vendin e quajtur Xhemarat, në Mina dhe flenë atje. Këto ditë kanë të veçantën e tyre, për shkak se një pjesë e riteve të haxhit bëhen gjatë tyre, dhe për faktin se në këto ditë haxhinjtë janë miq të Allahut, ndaj edhe është ndaluar agjërimi i këtyre tre ditëve, siç ka thënë Profeti – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të: “Ditët e teshrikut janë ditë ngrënie dhe pirje, dhe përmendje e Allahut.” [Es Seadi].

[25] Dhe i plotëson të treja ditët.

[26] Kush i ruhet Allahut në çdo gjë, përfiton mosmarrjen gjynah në asgjë, dhe kush i ruhet Allahut në disa gjëra dhe në të tjera jo, e ka shpërblimin sipas veprës.

[27] Dhe mos i lini as mos i neglizhoni detyrimit që ju ka ngarkuar, as mos veproni ato që ju ka ndaluar.

[28] Dhe do të merrni shpërblimin sipas veprave tuaja, pa ju bërë aspak padrejtësi.

[29] Taberiu përmend disa transmetime ku thuhet se shkaku i zbritjes së këtij ajeti ka qenë se në kohën e injorancës, pas përfundimit të riteve të haxhit, njerëzit uleshin në Mina dhe mburreshin me bëmat dhe veprat e prindërve të tyre. Atëherë Allahu i urdhëroi ata që pas përfundimit të riteve të haxhit, të përmendin, të madhërojnë dhe të falënderojnë vetëm Allahun dhe askënd tjetër.

Loading...