Muslimani duhet të tregohet vigjilent në përmirësimin e zemrës së tij. Shqetësimin për përmirësimin e zemrës duhet ta ketë më të madh sesa për përmirësimin e trupit të tij. Përmirësimi i zemrës duhet të jetë më i rëndësishëm për muslimanin sesa përmirësimi i veprave që kryen.
Zemra ka sëmundje dhe epidemi të ndryshme të cilat disa dijetarë i kanë numëruar të jenë deri në dyzet të tilla. Prandaj njeriu duhet t’i njoh ato dhe të dijë se si ta trajtojë zemrën nga këto sëmundje, me qëllim që të shërohet prej tyre dhe prej pasojave të tyre, për atë ditë kur as pasuria dhe as fëmijët nuk do të sjellin dobi përveç atij që vjen tek Zoti me zemër të pastër. Shëndeti i zemrës është çelësi i shpëtimit dhe arsyeja për shpëtimin e njeriut në ditën kur as pasuria e tij dhe as fëmijët e tij nuk do të kenë vlerë. Pse atëherë shumë njerëz e shpërfillin përmirësimin e zemrës së tyre dhe shohim se shumë prej sëmundjeve të zemrës janë të vështira për t’u shëruar tek shumë muslimanë, madje edhe tek disa prej atyre që i përkasin dijes dhe studimit të saj. I gjen ata duke thënë: “U përpoqëm por dështuam. U përpoqëm të përmirësojmë nijetin (qëllimin) dhe dështuam. U përpoqëm të afrohemi te Zoti dhe të arrijmë përulësi në namaz, por sërish dështuam.
U përpoqëm ta luftojmë smirën por dështuam. U munduam ta luftojmë vetpëlqimin por dështuam!” Nga ana tjetër e gjen të përkushtuar në njohjen e dispozitave të namazit dhe agjërimit që padyshim është e nevojshme, sepse atij që Allahu ja do të mirën e bën të kuptojë fenë, por përparësia duhet t’i jepet zemrës. Përse pra nuk përpiqemi të përmirësojmë zemrën tonë kur Kurani dhe Suneti e theksojnë qartë rëndësinë e zemrës dhe mënyrat për ta përmirësuar atë? Megjithatë, gjejmë më shumë libra dhe shkrime për jurisprudencën e dukshme sesa për çështjet e brendshme të zemrës, ndërkohë që kemi nevojë të madhe për të reformuar anën e brendshme sepse kjo është thelbi i gjithçkaje. Ndërsa Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Devotshmëria është këtu.” duke treguar drejt zemrës së tij. Devotshmëria është e fshehtë dhe vendi i saj është zemra, por shenjat dhe vërtetësia e këtij pretendimi shfaqen në veprimet e jashtme.
Prandaj shpeshherë gabojnë ata që thonë se “devotshmëria është këtu,” ndërkohë që veprimet e tyre të jashtme tregojnë të kundërtën e asaj që pretendojnë. Mund të gjesh dikë që kryen gjynahe dhe thotë: “Këto janë çështje të jashtme, s’ka problem. Devotshmëria është këtu.” Siç ka thënë Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Por nëse do ta kishe pasur frikë Allahun nuk do ta kishe bërë këtë. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha Ibën Medhunit kur ai bëri një keqinterpretim dhe piu alkool: “Sikur ta kishte pasur frikë Allahun nuk do ta kishte bërë këtë.”
Si mund t’i bësh mëkate të dukshme Zotit dhe të pretendosh devotshmëri? E vërteta e devotshmërisë është përmbushja e urdhrave dhe shmangia e ndalesave. Vendi i saj është zemra por efektet e saj shfaqen në veprimet e jashtme si dëshmi për atë pretendim. Nëse në veprimet e tua shfaqet ajo që bie ndesh me devotshmërinë atëherë je i pasinqertë në pretendimin tënd. Por nëse në veprimet e tua shfaqet ajo që përputhet me devotshmërinë, si përmbushja e urdhrave dhe shmangia e ndalesave, atëherë pretendimi yt është i vërtetë.
Autor: Abdul Kerim el Hudejr
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: permiresimi, Zemra