Përpjekjet e dijetarëve në shkrimin e librave

November 1, 2017

Ai që shikon jetëshkrimet e tyre kupton sasinë e kohës që kanë harxhuar, përpjekjet e mëdha që kanë bërë në këtë drejtim, si dhe durimin e bukur (pa ankesa) që kanë pasur për të shkruar librat voluminozë dhe librat e mëdhenj me hadithe të cilat nuk i shkruan dot sot – edhe në sasi më të pakta – studenti më i zellshëm! Le të përmendim disa shembuj:

1. Es Sehmij thotë në librin e tij “Tarihu Xhurxhan”: “Kam dëgjuar Ebu Bekr el Ismailin dhe Ebu Ahmed ibn Adijj-in të thonë: Ismail ibn Zejdi shkruante 70 faqe në një natë me shkrim të saktë.”

2. Ibn Rexhebi përmend në librin “Edh dhejlu ala tabekatil hanabileh” tek jetëshkrimi i AbdulUehhab el Enmatij el Hafidh, nga Ibnus Semanij se ai ka thënë: Grumbulloi dituri të shumta dhe u mor me saktësimin e haditheve. Ndoshta nuk ka mbetur libërth hadithi (xhuz’un) i transmetuar veçse ai ka pasur kopjen e tij prej tij. Ai ka kopjuar me dorën e vet libra të mëdhenj si p.sh. “Tabekat” të Ibni Sa’d-it, “Tarih” të Khatibit, dhe i ishte përkushtuar tërësisht shkencës së hadithit, ose i lexonin ose kopjonte libra.

3. Tek jetëshkrimi i Hafidh Abdulkadir er Ruhanij (v. 612) siç ka ardhur në “Dhejl”, qëndron se “ai ka shkruar shumë libra me dorën e tij. Ka qëndruar në Damask tek shkolla e Ibnul Hanbelij për një periudhë kohe derisa e kopjoi “Tarikh Ibnu Asakir” dhe ia lexoi atij (Ibn Hanbeliut).”

4. Dhe po aty ka ardhur gjithashtu tek jetëshkrimi i Ahmed ibn Abdud-daim el Makdesij (v. 668) se ai kishte shkrim të bukur dhe shkruante shpejt. Shkroi aq shumë sa nuk mund të përshkruhet prej librave të mëdhenj dhe të vegjël, për veten e tij dhe për të tjerët kundrejt pagesës. Derisa arrinte të shkruante brenda ditës – kur merrej vetëm me shkrim – 9 fletore apo më shumë. Ndërsa kur bënte edhe punët e tjera shkruante 2 deri në 3 fletore.

Ka shkruar gjithashtu “El Khirakij” për një natë. Shkroi “Tarihush-Sham” (Historia e Shamit) të Ibn Asakir-it dy herë, dhe “Mughnij” e shejkh Muueffekud-din shumë herë. Thuhet se ai ka shkruar me dorën e tij dy mijë vëllime, dhe nuk ka hequr dorë nga shkrimi për 50 vjet.

5. Tek libri “Tedhkiratul huffadh” të Dhehebiut, tek jetëshkrimi i Ebu Abdullah el Humejdij el Endelusij (v. 488) thuhet: “Ka thënë Jahja ibnul Benna (i biri i muratorit): Humejdi shkruante edhe në netët e nxehta dhe ulej te një govatë me ujë për t’u freskuar.”

6. Po tek “Tedhkirah”, te jetëshkrimi i Ebul Fadl Muhammed ibn Tahir el Makdisij (v. 507) ka ardhur: “Thotë Es Silefij: E kam dëgjuar Ibn Tahirin të thotë: Kam shkruar “Dy të saktët” dhe “Sunenin e Ebu Daudit” kundrejt pagesës shtatë herë. Ndërsa “Sunenin e Ibn Maxhes” dhjetë herë kur kam qenë në Rajj.”

Subhanallah (I patëmeta është Allahu)! Shkruan këta libra kaq shumë herë!!! Sikur t’ia linin këtë punë ndonjërit prej nesh nuk do të kishte mundësi t’i shkruante. La haule ue la kuuete il la bil lah (S’ka ndryshim e as fuqi veçse me fuqinë e Allahut).

7. Po te “Tedhkirah” tek jetëshkrimi i Mu’temen es Saxhij (v. 507) përmendet se ai ka qendruar në Herat dhjetë vjet dhe ka lexuar shumë. E ka shkruar “Xhamiut Tirmidhij” (që quhet edhe “Sunen et Tirmidhij) gjashtë herë. Ishte njeri i fortë, kënaqej me aq sa kishte, i ndershëm, dhe merrej me atë që i interesonte.

8. Tek “Dhejlut tabekat” e Ibn Rexhebit, tek jetëshkrimi i Ebul Ferexh ibnul Xheuzij autori i shumë librave (v. 597) përmendet se: “Ai nuk humbiste asgjë nga koha e tij. Shkruante katër fletore në ditë dhe kështu në vit i bëheshin 50 deri në 60 vëllime nga ato që shkruante vet!”
Nipi i tij thotë se e ka dëgjuar atë nga fundi i jetës të thotë në minber: “Kam shkruar me këta dy gishta dy mijë vëllime!”

9. Tek libri “Tertibul medarik” i Kadi Ijadit, tek jetëshkrimi i imamit Ebu Bekr el Ebherij el Malikij (v. 375), nxënësi i tij Ebul Kasim el Uehranij – i cili ka shkruar edhe një biografi të shejhut të tij, thotë: “E kam dëgjuar atë të thotë: Kam shkruar me dorën time librat; “El Mebsut”-in dhe “El Ahkam” të Ismailit – el Kadij el Malikij –, dhe kam shkruar hadithet që ka dëgjuar Ibnul Kasimi, Esh’hebi dhe Ibn Uehbi, “Muuetta”-n e Imam Malikut, “Muuetta”-n e Ibn Uehbit. Dhe nga librat e fikhut dhe të hadithit afërsisht tri mijë vëllime i kam shkruar me dorën time dhe nuk jam marrë me asgjë tjetër veç diturisë!”

10. Tek “Medariku” gjithashtu, tek jetëshkrimi i Seid ibn Khalefullah el Basrij thuhet për të: “Ka shkruar me dorën e tij shumë libra. Nuk kishte ndonjë libër të njohur në medh’heb veçse më ka rastisur ta gjej me shkrimin e tij, qoftë ai në tefsir apo në lëmi të tjera”

11. Tek jetëshkrimi i Muhammed ibn Muker-ram – i njohur me emrin Ibn Mendhur, autori i fjalorit voluminoz “Lisanul arab” thuhet se ai ka përmbledhur libra të shumta prej librave voluminozë apo të tjerë. Kështu për shembull ai ka përmbledhur: “Tarikhu Baghdad” dhe “Dhejl”-in (plotësimin) e tij të Ibn Nexh-xharit (i biri i zdrukthtarit), “Tarikhu Dimeshk” të Ibn Asakirit, “Mufredat” e Ibn Bejtarit, “El eghanij” të Xhahidhit, “El jetimeh” të Thealibij, “Edh dhekhirah” të Ibn Bessamit, “Nishuarul muhadarah” të Tennukhij-t.
Dhe ka shkruar shumë me dorën e tij. Kur vdiq la pas vetes 500 vëllime prej tyre.

Ibn Fadlullah el Amrij thotë: “Ai shkruante vazhdimisht dhe rrinte natën pa gjumë për të shkruajtur. Kështu ka kaluar netë të tëra pa gjumë, dhe nuk e pengonte atë nga puna as dremitja e as gjumi.
Mbante një enë me ujë pranë vetes. Kur dremiste dhe gati sa nuk e vinte poshtë gjumi merrte ujë dhe ua hidhte syve, për këtë shkak në fund të jetës u verbua”.

12. Tek libri “Er raddul uafir” i Ibn Nasiruddin ed Dimeshkij, kur përmend Muhammed ibn Ibrahim ibnul Muhendis-in thotë: “Ka shkruar shumë dhe ka udhëtuar shumë (në kërkim të diturisë). Ka kopjuar librin “Teh’dhibul kemal” të Mizzij dy herë, dhe ka kopjuar librin “El etraf” – “Tuhfetul eshraf” – po të Mizzij me shkrimin e tij të qartë dhe të bukur.”

13. Ebu Sa’d es Sem’anij përmend një prej gjërave që e ka çuditur më shumë tek libri i vet “Et tahbir fil mu’xhemil kebir”, tek jetëshkrimi i Ebu Abdullah Husejn ibn Ahmed el Bejhekij se: “Ai u sëmur dhe iu prenë të dhjetë gishtat e duarve derisa i mbetën vetëm shuplakat, e megjithatë e merrte lapsin me dy shuplakat e tij, e vendoste fletoren në tokë, e mbante me këmbë dhe ashtu shkruante me një shkrim të bukur, të lexueshëm, të qartë! Kështu arrinte të shkruante 10 fletë. Kjo është një nga gjërat e çuditshme që kam parë.”

Po tek “Ta’biri” ka ardhur tek jetëshkrimi i Ebu Muhammed el Khauarij se ai ishte dijetar, jepte fetva dhe shkruante shpejt. Ka kopjuar me dorën e tij librin “El medh’hebul kebir” të Xhuuejnit më shumë se njëzet herë. E shkruante atë dhe e shiste.

15. Neueuiu përmend tek “Bustanul arifin” duke përcjellë prej shejhut të tij Ebu Is’hak Ibrahim ibn Isa el Murauij, se ai ka thënë: “Kam dëgjuar shejh Abduladhim el Mundhirij – Allahu e mëshiroftë – të thotë: Kam shkruar me dorën time 90 vëllime dhe 700 libërtha, të gjitha këto në shkencat e hadithit.” Përveç këtyre ka shkruar edhe librat e tij dhe shumë libra të tjerë.

Thotë Murauij: “Nuk kam dëgjuar e as kam parë ndonjë njeri më të zellshëm se ai në studim. Studionte gjithmonë ditën dhe natën.”

16. Safediu tek “A’janul asr” (Të famshmit e kohës), tek jetëshkrimi i dijetarit të madh Shihabuddin en Nuuejrij përmend: “Ka shkruar shumë. Ka shkruar “Buharin” disa herë. E ka shkruar atë tetë herë. E shkruante kopjen pastaj e krahasonte me origjinalin, pastaj e kapte dhe e mbështillte me kopertinë. Pastaj e shiste 700 apo 1000 dirhem.
Kur dita ishte e gjatë shkruante tri fletore. Ai përpiloi një libër voluminoz në histori, 30 vëllime të cilin e kam parë me shkrimin e tij.”

17. Po tek “A’janil asr”, tek jetëshkrimi i Ahmed ibn Muhammed ibn Ebil Meuahib (v. 723) thotë: “Thuhet se ai një ditë shkroi 5 fletore. Kjo është diçka që rrallë mund të arrihet nga dikush.”

Këto janë pak prej një morie të madhe shembujsh që mblodha në këtë temë. Po të isha zgjeruar më tepër do të kisha mbushur faqe e faqe të tëra.

Dhe sikur të mos mendonin se po e teprojmë do të kishim shtuar këtu më shumë fjalë për të interesuarit.
Por unë nuk kam dëshirë që lexuesi të mbetet pa përfitim, kështu që i kam përmendur referencat e duhura në këtë fushë (për atë që do më shumë) pa i renditur ato.

 

Marrë nga libri: “Nxitësi për të lexuar”.

Përktheu: Emin Bilali

 

Sh.p.: Autori Ali el Imrani përmend disa prej këtyre referencave.

Loading...