Përqëndrimi në fe

Nga Sufjan ibn Abdullah eth Thekafij transmetohet se ka thënë: “I thashë: O i Dërguari i Allahut, më thuaj për Islamin një fjalë për të cilën nuk do të kem nevojë të pyes dikë tjetër pas teje – më tha – Thuaj: ‘Besova Allahun’ pataj qëndro i palëkundur në këtë!” Transmeton Muslimi[1]

Ky burrë kërkoi prej Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – disa fjalë përmbledhëse të mirësive, të dobishme, që e çojnë vepruesin e tyre drejt shpëtimit.

[Sh.p.: Dhe siç vihet re qartë nga fjalët e tij, ai donte disa fjalë të thjeshta, të lehta për tu kuptuar, jo të komplikuara, që të mos kishte nevojë të kërkonte sqarime të mëtejshme për to.]

Kështu Profeti – paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të – e urdhëroi të besonte në Allahun, i cili përfshin ato që janë detyrë të besohen prej bazave të besimit dhe shtyllat e tij dhe çka vijnë pas tyre prej punëve të zemrës dhe dorëzimit dhe nënshtrimit ndaj Allahut, haptas dhe fshehtas, pastaj vazhdimi në këtë dhe përqëndrimi në të deri në vdekje. Dhe ky hadith është si fjala e të Lartësuarit: “Atyre që thanë: ‘Zoti ynë është Allahu’ pastaj qëndruan në të pa u lëkundur, u zbresin engjëjt duke u thënë: “Mos u frikësoni e as mos u trishtoni dhe përgëzohuni me Xhennetin që ju premtohej” (Fussilet:30) Pra si shpërblim për besimin dhe qëndrimin palëkundur në të: shpëtuan nga të gjitha të këqiat dhe arritën Xhennetin dhe gjithçka që dëshironin.

Kanë treguar tekste të shumta nga Kurani dhe Suneti se besimi (imani) përfshin çka në zemra prej besimeve të sakta, dhe punëve të zemrës: si dëshirimi i të mirës  dhe urrejtjes së të keqes, dhe punët e gjymtyrëve. Dhe kjo nuk mund të plotësohet veçse duke qëndruar në të pa u lëkundur.

Behxhetu kulubil Ebrar

Autor: Dijetari i madh Abdurrahman ibn Nasir es-Sa’dij.

Përktheu Emin Bilali

 

[1] Muslim/kapitulli i imanit/tema: “Përmbledhja e cilësive të Islamit”/hadithi nr (38)