Përse engjëjt e kundërshtuan krijimin e Ademit?

August 9, 2017

Përse engjëjt e kundërshtuan krijimin e Ademit si mëkëmbës në tokë, pastaj i ranë në sexhde atij?

Së pari ata nuk iu përulën atij në sexhde veçse pasi Allahu ia mësoi atij të gjithë emrat (e sendeve). Dijetarët kanë thënë: Nëse njeriu e mëson sheriatin e Allahut dhe është i sinqertë në diturinë e tij, arrin një gradë më të lartë se ajo e engjëjve! Allahu i Lartësuar nuk i urdhëroi engjëjt t’i binin në sexhde Ademit veçse pasi e mësoi atë (i dha dituri). Kështu Ademi ua kaloi melaikeve sepse mësoi dhe u pajis me dituri. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, ata që besuan dhe bënë vepra të mira ata janë krijesat më të mira.” (Bejjineh) Në mesin e atyre krijesave më të mira janë edhe engjëjt, prandaj besimtari që i frikësohet Allahut dhe kryen vepra të mira është më i mirë se melaiket.

Por melaiket si lloj, si krijesa në tërësi janë më të mirë se njerëzit në tërësi (si krijesa) për shkak të ekzistencës së pakujdesisë (qëndrimit larg adhurimit) dhe gjynaheve tek njerëzit. Për këtë arsye është saktësuar tek “I sakti i Muslimit” përcjellë prej Ebu Hurejras, se i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Ka thënë Allahu i Lartësuar: Unë jam tek mendimi i mirë që ka robi për Mua. Unë jam me të kur ai më përmend. Nëse më përmend në vetvete e përmend në Veten Time, e nëse më përmend në një grup Unë e përmend atë në një grup që janë më të mirë se ai (e përmend përpara engjëjve).”

Kësisoj bashkësia e engjëjve është më e mirë se bashkësia e njerëzve si tërësi, sepse në mesin e njerëzve ka gjynahqarë e ka të pakujdesshëm (larg fesë së Allahut). Ndërsa nëse vijmë tek individë prej njerëzve si profetët për shembull, ata pa dyshim janë më të mirë se engjëjt. Kur njeriu e kapërcen epshin e tij dhe e lufton veten gjatë kësaj, është më i mirë se ai që është krijuar pa epshe dhe është krijuar veçse për adhurim të cilin ai e bën natyrshëm.

Pyetja e engjëjve nuk ishte kundërshtim por kërkesë e shkakut dhe urtësisë. Allahu i njoftoi ata se do të vijnë njerëz të cilët do të vrasin njëri-tjetrin, prandaj ata pyetën për të ditur dhe jo në formë kundërshtimi. Dijetarët thonë se është e lejuar që njeriu të pyesë për të mësuar ngase pyetja për të ditur nuk ka problem. Allahu i Lartësuar është më i Dijshmi!

Shejkh Mesh’hur Hasen, Allahu e ruajtë!

Loading...