Përsosmëria e udhëzimit dhe plotësimi i mirësisë ndaj këtij umeti

April 13, 2025

Është bërë e ditur se Allahu i Lartësuar e dërgoi të Dërguarin e Tij Muhamedin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në një kohë të shkëputjes së profetëve dhe në një periudhë injorance, ku njerëzit nuk njihnin prej të vërtetës asgjë e as nuk gjykonin sipas saj për çështjet e të drejtave të tyre.

Ata thjesht ndiqnin dëshirat e tyre, gjërat që ua zbukuronin shejtanët apo traditat që kishin trashëguar nga etërit e tyre. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i sfidoi ata, i ftoi me butësi dhe urtësi dhe i përballoi me forcë dhe argument ata që ishin kryeneçë dhe mohues, derisa ndihma e Allahut qe në krahun e tij. Si rezultat i kësaj çështja e tij u drejtua dhe ai fitoi mbi armiqtë e Allahut. Kështu feja e tij u shfaq dhe triumfoi. Pastaj erdhi ndihma e Allahut dhe njerëzit hynë në fenë e Tij turma-turma.
Pasi që Allahu e plotësoi mirësinë e Tij ndaj të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe ndaj umetit të tij, pas përhapjes së të vërtetës me të cilën kishte ardhur dhe pas qartësimit të rrugës së drejtë, Ai e mori atë (profetin) pranë Vetes.

Pas largimit të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, shokët e tij (sahabët) e morën përsipër misionin duke e kryer në formën më të mirë. Ata i luftuan në rrugën e Allahut si ata që kishin pranë po ashtu edhe ata që jetonin larg, derisa u realizua ajo që kishte lajmëruar i Dërguari i tyre – siç transmetohet në “Sahihun e Muslimit” nga Theubani, i cili tha: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Allahu ma mblodhi (ma shpalosi) tokën dhe unë pashë lindjen dhe perëndimin e saj, dhe më është treguar se sundimi i umetit tim do arrijë aq sa më është shfaqur prej saj. Gjithashtu, m’u dhanë dy thesaret; i kuqi dhe i bardhi (ari dhe argjendi). Unë e luta Zotin që të mos e shkatërrojë umetin tim me një fatkeqësi të përgjithshme, dhe të mos vendos mbi ta një armik tjetër jashtë vetes së tyre që të zhdukë gjithçka prej tyre. Por Zoti im më tha: ‘O Muhamed, kur Unë jap një vendim ai nuk kthehet. Unë ta kam dhënë këtë; që nuk do ta shkatërroj umetin tënd me një fatkeqësi të përgjithshme dhe nuk do lëshoj mbi ta armik tjetër nga jashtë vetes së tyre që të zhduk tërësisht qënien e tyre, edhe sikur të bashkoheshin kundër tyre të gjithë banorët e tokës. Por, ata do ndeshen mes vete, do shkatërrojnë dhe do robërojnë njëri-tjetrin.” Transmeton Muslimi me nr. 2889.

Me të vërtetë, në kohën e halifit të dytë u çliruan tokat e Romës dhe Persisë, dhe thesaret e tyre u shpenzuan në rrugë të Allahut. Ushtritë e teuhidit (njësimit të Allahut) vazhduan të përparonin drejt lindjes dhe perëndimit të tokës, duke hapur zemrat në njohjen e Allahut dhe adhurimin e Tij para se të hapnin territore. Kështu u plotësua mirësia e Allahut për shumicën e banorëve të tokës të cilët u kthyen në adhurimin e Allahut të Vetëm, pasi dikur adhuronin çdo gjë tjetër dhe ishin të robëruar nga shejtanët e xhindëve dhe njerëzve.
Megjithatë, shumë njerëzve kjo nuk u pëlqeu por i shqetësoi dhe i hidhëroi.

Prej urtësisë së Allahut është se Ai i ka dhënë edhe të kotës (të pavërtetës) ndihmëtarë dhe mbrojtës, të cilët përpiqen të kundërshtojnë dhe mohojnë të vërtetën. Ashtu siç ka caktuar që edhe e vërteta të ketë mbështetës të përkushtuar që e mbrojnë dhe ftojnë në të me përkushtim. Kjo ka ndodhur që kur Iblisi i mallkuar u dëbua nga mëshira e Allahut dhe u përjashtua nga çdo mirësi.

Ai u betua në emër të madhërisë së Allahut se do t’i mashtrojë të gjithë bijtë e Ademit përveç atyre që janë të sinqertë në adhurimin ndaj Allahut, siç thotë Allahu për të: “(Iblisi) tha: Pasha Madhërinë Tënde do t’i mashtroj të gjithë ata, përveç atyre nga robërit e Tu që janë të sinqertë!’” | Sad: 82-83.

Është e ditur se Allahu i Lartësuar nuk e mori shpirtin e Profetit Muhamed sal-lAllahu alejhi ue sel-lem derisa ia plotësoi fenë dhe e bëri të triumfojë ndaj kundërshtarëve të tij, qoftë me argumente e prova, apo me forcë kundër atyre që i bënë ballë dhe e mohuan të vërtetën. Ashtu siç thotë Allahu në ajetin e fundit që zbriti: “Sot ua kam përsosur fenë tuaj dhe e kam plotësuar ndaj jush mirësinë Time, dhe jam i kënaqur që Islami të jetë feja juaj.” | El Maide: 3.

Pra përderisa Allahu e ka përkryer fenë e tyre, atëherë domosdoshmërisht Ai ua ka sqaruar atë në mënyrë të tillë që të mos mbetet asnjë paqartësi apo dyshim në të. Domosdo që ata e kanë kuptuar, e kanë besuar dhe zbatuar atë sipas asaj që është dashur prej tyre, duke qenë e mjaftueshme për ta pa patur nevojë për ndonjë fe tjetër përkrah saj.

Gjëja më e madhe dhe më fisnike që u nevojitet besimtarëve është njohja e Zotit përmes emrave dhe cilësive të Tij, si dhe me atë që i takon dhe meriton Ai; gjërat për të cilat Ai lavdërohet, madhërohet dhe lëvdohet për to. Kjo është nga format më të larta të adhurimit që Allahu ua ka bërë obligim robërve të Tij.
Ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: “Të Allahut janë emrat më të bukur, andaj luteni Atë me ta dhe largohuni nga ata që devijojnë lidhur me emrat e Tij. Ata do të shpërblehen për atë që vepronin.” | El A’raf: 180.

 

Marrë nga libri; “Sherh kitab et-teuhid min sahih el Buhari” 1/4-6.

Shkroi: Abdullah bin Muhamed el Gunejman

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...