Çfarë është agjërimi?

Çfarë është agjërimi?

Agjërimi është privimi i vetvetes nga ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet intime, me qëllim adhurimi për Allahun. Nga fillimi i agimit e deri në perëndimin e diellit.

Pra, agjërimi është ai lloj adhurimi në të cilin njeriu heq dorë përkohësisht nga disa prej kënaqësive të kësaj bote, e këtë e bën për hir të Allahut të Madhëruar, për të fituar kënaqësinë e Tij dhe për ta depozituar shpërblimin për në Ditën kur do të takohet me Të (në botën tjetër).

Agjërimi ndryshe nga adhurimet e tjera i ka disa veçori specifike dhe dobi madhështore, ashtu siç do t’i përmendim në vijim:

1- Agjërimi është adhurimi më i veçantë që i kushtohet Zotit.

Allahu i Madhëruar në një hadith kudsij ka thënë: “Çdo vepër e birit të Ademit është për të, me përjashtim të agjërimit i cili është për Mua dhe Unë shpërblej për të.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi.)

Kurtubiu, dijetari i madh i tefsirit, ka thënë: “Të gjitha punët janë të dukshme ndërsa agjërimi është vepër që nuk duket (nuk vërehet nga njerëzit), prandaj dhe Allahu e ka quajtur të veçantë për Të.”

2- Agjëruesi shpërblehet pa masë.

Profeti (alejhi selam) na ka treguar se Allahu i Madhëruar thotë: “Robi Im e lë ngrënien, pirjen dhe kënaqësitë trupore për Mua. Agjërimi bëhet për Mua dhe Unë shpërblej për të. E mira tek Unë shpërblehet dhjetë deri në shtatë qind fish, përveç agjërimit të cilin Unë e shpërblej pa masë.”  (Transmeton Buhariu.)

3- Agjëruesi ka dy momente gëzimi.

Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Agjëruesi ka dy momente gëzimi, kur çel iftarin dhe kur ta takojë Zotin e tij.” (Transmeton Buhariu.)

4- Agjëruesit kanë një portë të veçantë për hyrjen në Xhenet.

Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Në Xhenet ka një portë që quhet Rejan, nëpërmjet së cilës futen agjëruesit në Ditën e Gjykimit dhe askush tjetër përveç tyre nuk futet nga ajo portë.

Atë ditë do të thuhet: Ku janë agjëruesit? Ata do të futen brenda nëpërmjet asaj porte. Pasi të futet dhe agjëruesi i fundit, porta do të mbyllet dhe nuk do të futet më askush tjetër nga ajo portë.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi.)

5- Agjërimi është mburojë.

Agjërimi është mburojë për të mos rënë në harame. Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Ai që nuk i lë fjalët e pavërteta dhe shtirjen, le ta dijë se Allahu nuk ka nevojë që ai ta lërë ushqimin dhe pijen.” (Transmeton Buhariu.)

Gjithashtu, agjërimi është mburojë kundrejt ligësive të të tjerëve karshi teje.

Në lidhje me këtë, Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Agjërimi është mburojë, prandaj kur ndonjëri nga ju agjëron nuk duhet të flasë fjalë të pahijshme e as të ngrejë zërin duke debatuar. Nëse dikush e sulmon ose e fyen, le t’i thotë: Unë jam me agjërim.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi.)

6- Allahu e do erën e gojës së agjëruesit.

Profeti (alejhi selam) thotë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit! Era e gojës së agjëruesit është më e dashur për Allahun sesa aroma e miskut (parfumit më të mirë).” (Transmeton Buhariu.)

 

Shkëputur nga broshura me titull: “Flladi i një muaji të begatë”.