Porosi profetike

Porosi profetike

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut të Madhëruar! Paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e fundit, Muhamedin (alejhi selam), mbi familjen, shokët e tij dhe mbi të gjithë atë që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Fundit!

Porosia e parë

Sufjan bin Abdullah eth-Thekafij (radijAllahu anhu) kërkoi nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që t’a porositë atë. Ai i tha: “Thuaj: Zoti im është Allahu, – dhe pastaj qëndro fort në të.” Transmeton Ibën Maxhe (3972), Tirmidhiu (241) dhe Ahmedi (3/413). Hadithin e ka saktësuar Tirmidhiu, Ibën Hibani dhe Shejh Albani (Allahu i mëshiroftë).

Ndërsa në “Sahihun” e imam Muslimit transmetohet: Një herë i thashë Profetit (alejhi selam): O i Dërguar i Allahut! Më thuaj diçka për Islamin që të mos kem nevojë të pyes ndonjë tjetër pas teje.” Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) u përgjigj: “Thuaj: “I besova Allahut, – dhe më pas qëndro fort në këtë rrugë.”

Kuptimi i përgjithshëm: Sahabi i nderuar Sufjan bin Abdullah eth-Thekafij (radijAllahu anhu) e pyeti Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) që t’a porosisë me diçka pas të cilës do të kapet fort dhe nuk do ketë nevojë të pyes dikë tjetër pas tij. Kështu, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e orientoi atë për istikamen. Porosia e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) drejtuar Sufjanit është njëkohësisht porosi dhe për gjithë umetin e tij, që të besojnë në Allahun dhe të qëndrojnë fort në këtë besim deri në vdekje.

Dobitë që përfitohen nga kjo porosi profetike:

1. Besimi në Allahun: Besimi në Allahun kërkon katër gjëra:

E para: Besimi në ekzistencën e Tij.

E dyta: Besimi në rububijen e Tij. Pra, se Ai është i vetmi Krijues, Funizues, Ai që jep jetën dhe e merr atë etj.

E treta: Besimi në uluhijen e Tij. Pra, Allahu është i vetmi që meriton të adhurohet me të drejtë.

E katërta: Besimi në emrat dhe cilësitë e Tij, për të cilat Allahu ka treguar në Kuran apo i Dërguari i Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në sunetin autentik.

2. El-Isitkame/përqëndrimi në dëshminë “la ilahe il-lAllah – Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut.” Prandaj edhe Ebu Bekri (radijAllahu anhu) në lidhje me komentimin e fjalës së Allahut të Lartësuar: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë…” Tha: “Qëndrojnë fort në dëshminë “la ilahe il-lAllah – Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut.”[1]

Dëshmia “la ilahe il-lAllah” është fjala më madhështore që thotë njeriu, ajo është më e rëndë se qiejt dhe toka në peshoren e ditës së Gjykimit.

Fjalët e selefëve rreth kuptimit të istikames:

Ebu Bekrin radijAllahu anhu) kur e pyetën në lidhje me istikamen, tha: “Mos t’i shoqërosh asgjë Allahut.”[2]

Uthman bin Affani (radijAllahu anhu) ka thënë: “T’i bëni veprat të sinqerta vetëm për Allahun.”[3]

Ali bin Ebi Talibi (radijAllahu anhu) ka thënë: “Të kryeni obligimet.”[4]

Muxhahidi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Qëndroni fort në dëshminë ‘la ilahe il lAllah’ derisa të takoni Allahun.”[5]

3. Kujdesi i sahabëve mbi të pyeturit rreth çështjeve që kanë të bëjnë me fenë e tyre.

4. Allahu u ka premtuar shpërblime të mëdha atyre që qëndrojnë fort në rrugën e drejtë. I Lartësuari thotë: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që u është premtuar. Ne jemi mbrojtësit tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Atje do të keni çfarë t’ju dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni, dhuratë e pasur prej një Zoti Falës dhe Mëshirëplotë.” Fusilet: 30-32.

 

Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme

—————————————–

[1] “Atharu edh-Dhunub alal-Efradi uesh-Shuub”, Shejh Mesh’hur Al Selman.

[2] “Atharu edh-Dhunub alal-Efradi uesh-Shuub”, Shejh Mesh’hur Al Selman.

[3] “Atharu edh-Dhunub alal-Efradi uesh-Shuub”, Shejh Mesh’hur Al Selman.

[4] “Atharu edh-Dhunub alal-Efradi uesh-Shuub”, Shejh Mesh’hur Al Selman.

[5] “Atharu edh-Dhunub alal-Efradi uesh-Shuub”, Shejh Mesh’hur Al Selman.