Pozita e nderuar e sahabëve; shokëve të Pejgamberit fisnik

Pozita e nderuar e sahabëve; shokëve të Pejgamberit fisnik

Lavdëruar qoftë Allahu, i Plotëfuqishmi, Mëkatëfalësi!

Paqja, mëshira dhe bekimet e Tij, qofshin mbi të Dërguarin e Tij të përzgjedhur, Muhamedin; mbi familjen e tij të ndershme dhe mbi shokët e tij të dalluar; muhaxhirët (emigruesit për hir të Zotit, nga Meka në Medine) dhe ensarët (muslimanët e Medines që i mikëpritën dhe i ndihmuan).

E në vijim:

Kur shfleton biografinë e çdonjërit prej sahabëve, shokëve të Profetit fisnik, nuk ka sesi të mos mallëngjehesh. Zemra kënaqet e besimi shtohet kur dëgjon për kontributin e pashtershem dhe sakrificat e pashembullta të atyre burrave dhe grave të cilët e besuan lajmin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe e përkrahën misionin e tij fisnik.

E si të mos jetë kështu, kur ata ishin njerëzit më të mirë pas profetëve; ishin populli më i mirë që ka parë njerëzimi?!

‘Ata ishin shokët e të Dërguarit të Allahut të cilët e përkrahën atë dhe misionin me të cilin ai u dërgua, dhe për këtë gëzojnë nderim të madh tek Zoti i gjithësisë, e njëkohësisht gëzojnë respektin, mirënjohjen dhe dashurinë e të gjithë muslimanëve.’

Ata ishin njerëz që garonin për punë të mira.
Më të mirët e tyre ishin të hershmit e parë prej muhaxhirëve (migruesve) dhe prej ensarëve (vendasve-ndihmëtarë) dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira. Allahu ishte i kënaqur prej tyre, ashtu siç ishte i kënaqur kur ata u mblodhën rreth pemës dhe i dhanë besën të Dërguarit të Tij se do ta ndihmonin dhe do ta përkrahnin, por edhe ata ishin të kënaqur me Zotin e tyre.

Allahu i sprovoi zemrat e tyre, që ata të arrinin gradët më të larta të devotshmërisë. Ata ishin njerëz që gëzonin virtyte të larta; ishin njerëz të cilët i kishte udhëzuar Zoti i Madhëruar.

Paqja, bekimet dhe mëshira e Zotit qofshin mbi ta, pasi vërtet ata ishin në udhën e drejtë!

Allahu i Madhëruar ua bëri të qartë se Ai është i kënaqur prej tyre, dhe se do t’i mëshirojë ata, e do t’i bëj banues të xheneteve të begata, në të cilat do të jetojnë të lumtur përgjithmonë.

Allahu i Madhëruar na ka treguar në Kuran, se Ai i përforcoi dhe i përgatiti ata për ta lartësuar fjalën e drejtë të besimit e natyrisht që ata ishin të denjë për ta përfaqësuar atë.

Ai u zbriti atyre qetësi në zemrat e tyre, madje edhe në momentet më të veshtira, gjë e cila ua shtoi edhe më tepër qëndrueshmërinë dhe besimin. Ishte përkrahja hyjnore e Zotit të Madhëruar, ajo që u jepte sukses të ktheheshin në shtëpitë e tyre si ngadhënjyes e fitimtarë, pa i prekur asnjë disfatë.

Ishin ata burra për të cilët Allahu i Madhëruar ka thënë:

يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ حَسْبُكَ اللَّهُ وَمَنِ اتَّبَعَكَ مِنَ الْمُؤْمِنِينَ

“O ti Pejgamber! Ty të mjafton Allahu dhe ata besimtarë të cilët të pasojnë e të përkrahin.” El Enfal: 64

Allahu i Madhëruar, duke treguar për pozitën e nderuar të sahabëve, thotë:

هُوَ الَّذِي أَيَّدَكَ بِنَصْرِهِ وَبِالْمُؤْمِنِينَ

“Ai (Allahu) është i Cili të fuqizoi ty me ndihmën e Vet dhe me besimtarët.” El Enfal 62

Ata ishin njerëzit më të mirë, më të devotshëm, më të çiltër e të sinqertë. Ata nuk u tunduan për asnjë çast nga pasuria apo pushteti. Ata nuk i pengoi nga arritja e kënaqësisë së Allahut, as pasuria e as fëmija.

Muhaxhirët (emigruesit) nuk ngurruan të braktisnin vatanin, familjet dhe shtëpitë e tyre, për t’u bërë emigrues në rrugë të Zotit.
Në shërbim të kësaj feje sakrifikuan gjithçka të shtrenjtë. Nuk kursyan as vetet e tyre e as pasurinë.

Kënaqësisë së Zotit i dhanë përparësi mbi çdo gjë tjetër. Ata nuk hezituan të emigronin në vënde të largëta, duke braktisur vatanin e tyre, të afërmit, shtëpitë dhe pasurinë. Ata u nisën në kërkim të mirësive të Zotit dhe kënaqësisë së Tij, dhe u nisën të ndihmonin fenë e Zotit dhe të Dërguarin e Tij. Ata ishin njerëzit më të sinqertë në besimin e tyre.

Të ngjashëm me ta në piedistalin e nderit, qëndrojnë Ensarët; muslimanët e Medines që i mikëpritën dhe i ndihmuan. Eh çfarë njërëzish bujar që ishin ata! Të gjithë arabët ua njihnin vlerat dhe mirësitë. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) zgjodhi të vendosej në fqinjësi të tyre, e t’i merrte ata si ndihmëtarë në rrugën që kishte ndërrmare, pasi ata ishin njerëzit më të vendosur e të durueshëm dhe ishin shokët më besnik e më të qëndrueshëm. Allahu i Madhëruar i lavdëron ata në Kuran, duke thënë:

وَالَّذِينَ تَبَوَّءُوا الدَّارَ وَالْإِيمَانَ مِن قَبْلِهِمْ يُحِبُّونَ مَنْ هَاجَرَ إِلَيْهِمْ وَلَا يَجِدُونَ فِي صُدُورِهِمْ حَاجَةً مِّمَّا أُوتُوا وَيُؤْثِرُونَ عَلَىٰ أَنفُسِهِمْ وَلَوْ كَانَ بِهِمْ خَصَاصَةٌ

“Edhe ata (Ensarët) që përgatitën vendin (Medinën) dhe besimin para tyre, i duan ata që shpërnguleshin te ata dhe nuk ndiejnë në zemrat e tyre ndonjë nevojë (zili apo keqardhje) nga ajo që u jepej atyre (muhaxhirëve), madje edhe sikur të kishin vetë nevojë për të, ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes.” El Hashër 9

Muslimanët e të gjitha kohërave, të cilët iu përmbajtën rrugës së drejtë e të vërtetë, si në besim ashtu edhe në të gjitha çështjet, janë ata të cilët ua njohën sahabëve vlerat dhe pozitën e tyre të nderuar. Ata e dëshmuan me fjalë dhe vepër dashurinë e sinqertë për shokët e Pejgamberit, duke ndjekur rrugën e tyre dhe duke u distancuar nga çdo grup apo sekt i devijuar që ka dashur të hedhë balt mbi ta, apo mbi disa prej tyre.

Pasuesit e sunetit (Ehlu Suneti) e konsiderojnë pjesë të fesë dhe besimit dashurinë ndaj sahabëve, dhe distancohen nga cilido që i armiqëson ata. Ata thonë ashtu siç tregon për ta Allahu i Madhëruar në Kuran:

وَالَّذِينَ جَاءُوا مِن بَعْدِهِمْ يَقُولُونَ رَبَّنَا اغْفِرْ لَنَا وَلِإِخْوَانِنَا الَّذِينَ سَبَقُونَا بِالْإِيمَانِ وَلَا تَجْعَلْ فِي قُلُوبِنَا غِلًّا لِّلَّذِينَ آمَنُوا رَبَّنَا إِنَّكَ رَءُوفٌ رَّحِيمٌ

“Besimtarët e gjeneratave pas tyre, thonë: “Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë urrejtjeje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë Ti je i Butë e i Gjithëmëshirshëm!” El Hashër 10

Pas Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), sahabët ishin njerëzit më fisnik e më të nderuar të këtij umeti (popullit musliman). Ata gëzojnë nderim dhe respekt në zemrën e çdo muslimani të sinqertë.

Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin, mbi familjen e tij të ndershme dhe mbi shokët e tij fisnik!

vijon…

Shkëputur nga libri me titull

“Obligimet e umetit kundrejt shokëve të Profetit”

Autor
Dr. Salih bin AbdulAziz Sindi

Perktheu:
Edmond Ajdini