Sadakaja e Fitrit ose zekati i Fitrit është një lëmoshë që jepet në fund të muajit të Ramazanit, si ndihmesë për të varfërit.
Ajo shërben gjithashtu si pastrim për agjëruesin nga mangësitë dhe lëshimet që mund të ketë pasur gjatë këtij muaji.
Ndër urtësitë e kësaj dispozite është edhe shfaqja e solidaritetit me njerëzit në nevojë, duke kontribuar sadopak që edhe ata të kenë një arsye më shumë për t’u gëzuar në ditën e Fitër Bajramit dhe të mos detyrohen të kërkojnë apo të lypin ushqim në këtë ditë festive.
Obligueshmëria e sadakasë së Fitrit
Dhënia e sadakasë së Fitrit është vaxhib (obligim).
Abdullah ibn Umeri (radijAllahu anhuma) ka thënë:
“I Dërguari i Allahut ﷺ e bëri detyrim (farz) zekatin e fitrit: një sa‘ (tas) me hurma ose një sa‘ me elb, për çdo të lirë apo skllav, mashkull apo femër, të vogël apo të madh prej muslimanëve.”
(Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Gjithashtu, Abdullah ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) thotë:
“Profeti ﷺ e bëri detyrë sadakanë e Fitrit si pastrim për agjëruesin nga fjalët e pahijshme dhe lëshimet, si dhe si ushqim për të varfërit.”
(Transmeton Ebu Daudi, Ibn Maxheh dhe Hakimi)
Masa dhe forma e dhënies së Sadakasë së Fitrit
Hadithet e Profetit ﷺ e kanë përcaktuar qartë se sadakaja e Fitrit jepet nga ushqimet bazë të vendit ku jeton personi.
Masa e saj është një sa‘ (tas) që është një njësi matëse e njohur në kohën e Profetit ﷺ (afërsisht katër grushte me të dyja duart e bashkuara, sipas madhësisë mesatare të duarve të një burri).
Kjo tregon se përcaktimi me kilogramë është përafërsisht, pasi pesha ndryshon sipas llojit të ushqimit.
Megjithatë, rreth 2.5 kg nga ushqimi bazë konsiderohet e mjaftueshme, inshaAllah.
Ushqim apo para?
Në hadithet e Profetit ﷺ theksohet se Sadakaja e Fitrit jepet në ushqim.
Po, edhe në kohë të Profetit ﷺ sikurse edhe në kohët tona ndoshta vlera monetare do të ishte më e vlefshme për të varfërin, por te kjo lloj sadakaje është urdhëruar që të nxirret në ushqimet bazike, ndryshe nga zekati apo sadaktë e tjera të cilat jepen në vlera monetare, dhe ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.
Koha e dhënies së sadakasë së Fitrit
Sadakaja e Fitrit bëhet obligim nga momenti i perëndimit të diellit në ditën e fundit të Ramazanit, ndërsa afati i fundit për dhënien e saj është para faljes së namazit të Bajramit.
Abdullah ibn Umeri (radijAllahu anhuma) tregon:
“I Dërguari i Allahut ﷺ urdhëroi që Zekati i Fitrit të jepej para daljes së njerëzve për namazin e Bajramit.”
(Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Lejohet gjithashtu që ajo të jepet një ose dy ditë para Bajramit, sikurse tregon Ibn Umeri për sahabët duke thënë: “E jepnin Sadakanë e Fitrit një apo dy ditë përpara Bajramit”. (Transmeton Buhariu).
Nëse jepet më herët se kaq, shumë dijetarë janë të mendimit se nuk vlen si sadaka Fitri, por konsiderohet sadaka e zakonshme dhe nuk e heq obligimin, ndaj I kërkohet personit që ta ja[ë përsëri sadakanë e Fitrit, edhe nëse ka kaluar koha e saj.
Imam Ibn Kudame Makdisi (v. 620H) thotë:
“Lejohet dhënia e sadakasë së Fitrit një ose dy ditë para Bajramit, e nuk lejohet dhënia e saj më para”.
(el Mugni, 4/300).
Shejh Ibn Uthejmini (v. 1422H) thotë: “Personat që e kanë nxjerr zekatin e fitrit ditën e njëzet e gjashtë të Ramazanit, u themi atyre që ta nxjerrin përsëri atë kaza”.
(Lika el bab el Meftuh, 128/22)
Kush e ka detyrë ta japë sadakanë e Fitrit?
Sadakaja e Fitrit është detyrë për çdo musliman që ka më shumë ushqim sesa i nevojitet për një ditë (për veten dhe familjen e tij).
Kryefamiljari është përgjegjës që ta japë atë për veten dhe për të gjithë anëtarët e familjes që janë nën kujdesin e tij.
Llojet e ushqimeve që mund të jepen
Sadakaja e Fitrit jepet nga ushqimet bazë që përdoren në vendin ku jeton personi.
Në kohën e Profetit ﷺ këto ishin: gruri, elbi, hurmat dhe rrushi i thatë.
Ndërsa sot, në vendin tonë dhe në rajon, përfshihen: orizi, mielli, makaronat, fasulet dhe ushqime të tjera të ngjashme.
Kujt i jepet Sadakaja e Fitrit?
Sadakaja e Fitrit u jepet muslimanëve në nevojë dhe nuk u jepet jomuslimanëve, për sa kohë që ka muslimanë që kanë nevojë për të.
Sadakaje e Fitrit nuk i jepet personit për të cilin njeriu e ka obligim shpenzimin për të, siç është rasti i babait për fëmijët e tij, apo burrit për gruan e tij, e të tjerë.
-Lejohet që t’i jepet një personi të vetëm ose të shpërndahet te disa persona.
-Lejohet t’u jepet të afërmve dhe kushërinjve, me kusht që ata të jenë të varfër.
Dhe së fundmi, kurrë mos harro se se muslimani synon të japë nga ushqimet më të mira dhe më të përshtatshme për të varfrin, duke mos zgjedhur atë që është më e lira apo e një cilësie të dobët.
Ai e vendos veten në pozitën vëllait të tij; nuk jep atë që vetë nuk do të dëshironte t’i jepej, nëse do të ishte në nevojë.
Prandaj, bëhu bujar! Jep nga më të mirat për Sadakanë e Fitrit dhe ruaje dinjitetin e vëllait apo motrës tënde muslimane.
Kujto fjalën e Allahut të Lartësuar:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَنْفِقُوا مِنْ طَيِّبَاتِ مَا كَسَبْتُمْ وَمِمَّا أَخْرَجْنَا لَكُمْ مِنَ الْأَرْضِ وَلَا تَيَمَّمُوا الْخَبِيثَ مِنْهُ تُنْفِقُونَ وَلَسْتُمْ بِآخِذِيهِ إِلَّا أَنْ تُغْمِضُوا فِيهِ وَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ غَنِيٌّ حَمِيدٌ
“O besimtarë! Jepni nga gjërat e mira që keni fituar dhe nga ato që Ne ju kemi nxjerrë prej tokës. Mos synoni të jepni atë që është e pavlefshme, të cilën ju vetë nuk do ta pranonit veçse duke mbyllur sytë. Dhe dijeni se Allahu është i Pasur dhe i Lavdëruar.”
(Surja Bekare, 267)
Dosje: #sadakaja e Fitrit, Muaji i Ramazanit
Të Ngjashme
- Nata e Kadrit dhe Dhjetë Netët e Fundit të Ramazanit Dr. Fatmir Strumi
- Reflektim rreth Ngjarjeve që Ndodhin në Vendet Muslimane Dr. Fatmir Strumi
- Përgatitja para hyrjes së muajit të Ramazanit Dr. Fatmir Strumi
- Nata e pesëmbëdhjetë e muajit Shaban – nata e Beraetit Dr. Fatmir Strumi
- Qëndrimi në xhami është adhurim dhe shpërblim i madh Dr. Fatmir Strumi