Prej lutjeve përmbledhëse

January 9, 2016

Nga Abdullah ibn Mesudi përcillet se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem lutej duke thënë: “Allahumme inni es’elukel huda uet tuka, uel afafe uel gina!” (O Allahu im! Unë të kërkoj udhëzimin dhe devotshmërinë, mjaftueshmërinë dhe pasurinë!” Transmeton Muslimi.[1]

Kjo është prej lutjeve më gjithëpërfshirëse dhe më të dobishme. Ajo përmban kërkesën e të mirave fetare dhe të kësaj jete, sepse udhëzimi është dija e dobishme, ndërsa devotshmëria është puna e mirë dhe lënia e atyre që Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë ndaluar. Me këto përmirësohet feja sepse feja është dituri e dobishme dhe njohuri të vërteta, që është udhëzimi dhe zbatimi i bindjes ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, dhe kjo është devotshmëria.

Mjaftueshmëria dhe pasuria përmbledhin mosshpresimin prej njerëzve, moslidhjen e zemrës me ta dhe të qënit i pasur me Allahun dhe me furnizimin e Tij, kënaqjen me rrizkun dhe arritja e rehatisë së zemrës e cila bën që të të mjaftojë ajo që të është dhënë.

Me këto realizohet lumturia e jetës së kësaj bote dhe qetësia shpirtërore, dhe kjo është jeta e këndshme. Prandaj atij që i bëhet rrizk udhëzimi dhe devotshmëria, mjaftueshmëria dhe pasuria, i tilli ka arritur të dyja lumturitë dhe ka fituar çdo gjë të mirë që kërkohet dhe ka shpëtuar nga çdo gjë e urryer prej së cilës njerëzit frikësohen. Allahu është më i Dijshmi!

 

Marrë nga libri: “Behxhetu kulubil ebrar”.

Autor: Abdurrahman bin Nasir es Seadi

Përktheu: Emin Bilali

————————————————-

[1] Ka paraprirë studimi i hadithit.

Dosje:

Loading...