Nga begatitë më madhështore të Xhenetit është kënaqësia që besimtarët përjetojnë kur shikojnë Fytyrën e Allahut ﷻ dhe dëgjojnë fjalët e Tij.
Gëzimi më i madh i tyre të qënurit afër me Allahun dhe kënaqësia e Tij ndaj tyre.
Prandaj, nuk mund të krahasohen kënaqësitë e ushqimeve, pijeve, veshjeve, e bukurive të Xhenetit me lumturinë e përjetshme të afrimit me Allahun dhe shikimit të Fytyrës së Tij të Lartësuar.
Në anën tjetër, ndëshkimi më i madh i jobesimtarëve në Xhehenem nuk është vetëm zjarri i Xhehenemit, por privimi i tyre nga afrimi me Allahun ﷻ, pengimi nga shikimi i Tij si dhe mospërfillja dhe zemërimi i Tij.
Imam Ibn Rexheb el Hanbeli (v. 795 H) thotë:
Dënimi më i madh për banorët e zjarrit është largimi i tyre nga Allahu ﷻ, pengimi për ta parë Atë, mospërfillja dhe zemërimi i Tij ndaj tyre.
Ashtu sikurse kënaqësia e Allahut ndaj banorëve të xhenetit është më i vlefshëm se çdo begati tjetër e Xhenetit, shfaqja e Tij para tyre dhe shikimi i Fytyrës së Tij fisnike janë më të mëdha se të gjitha llojet e kënaqësive të Xhenetit.
Allahu i Lartësuar thotë:
(كَلَّا بَلْ رَانَ عَلَى قُلُوبِهِمْ مَا كَانُوا يَكْسِبُونَ * كَلَّا إِنَّهُمْ عَنْ رَبِّهِمْ يَوْمَئِذٍ لَمَحْجُوبُونَ * ثُمَّ إِنَّهُمْ لَصَالُو الْجَحِيمِ * ثُمَّ يُقَالُ هَذَا الَّذِي كُنْتُمْ بِهِ تُكَذِّبُونَ)
“Jo, nuk është ashtu! Por të këqijat që i punuan zemrat e tyre ua mbuluan.
Jo dhe Jo! Atë ditë do jenë të penguar prej (ta shohin) Zotit të tyre.
Pastaj ata do të hyjnë në xhehenem.
Dhe do t’u thuhet: Ky është ai të cilin e keni përgënjeshtruar!”
| El Mutaffifin: 14 -17.
Allahu i Lartësuar ka përmendur tre lloje ndëshkimesh për jobesimtarët:
1. Pengimin e tyre nga shikimi i Tij,
2. Futjen e tyre në zjarrin e Xhehenemit,
3. Dhe qortimin e tyre për përgënjeshtrimin që i bënin në këtë botë.
Ai i përshkroi jobesimtaret se zemrat e tyre janë të mbuluara me ran (njollë), që është ndryshkja e mëkateve që i ka nxirë zemrat e tyre, saqë nuk mund të hyjë më në to njohja e Allahut, respekti, frika apo dashuria për Të.
Ashtu siç ishin të penguar në këtë botë nga njohja e Allahut, po ashtu do jenë të penguar në botën tjetër nga shikimi i Tij.
Ndërsa gjendja e banorëve të xhenetit është krejt e kundërta.
Allahu i Lartësuar thotë:
(لِلَّذِينَ أَحْسَنُوا الْحُسْنَى وَزِيَادَةٌ وَلَا يَرْهَقُ وُجُوهَهُمْ قَتَرٌ وَلَا ذِلَّةٌ)
“Atyre që bëjnë vepra të mira u takon e mira (Xheneti) edhe më tepër (zijadeh). Fytyrat e tyre nuk i mbulon pluhuri i zi e as nënçmimi.”
| Junus: 26.
Ata që bënë mirë janë njerëzit e ihsanit (mirësisë së përsosur), dhe ihsani është që njeriu ta adhurojë Zotin e tij sikur ta shihte Atë, siç e sqaroi Profeti ﷺ kur e pyeti Xhibrili për këtë.
Pra, shpërblimi i ihsanit është e mira (Xheneti), ndërsa “ez zijadeh” (shtesa) është shikimi i Fytyrës së Allahut të Lartësuar, ashtu siç e ka shpjeguar vetë i Dërguari i Allahut ﷺ .
“Et tehuif minen-nar”, fq. 195.
O Allah, mos na privo nga shikimi i Fytyrës Tënde fisnike në Xhenetin Tënd të përjetshëm!
Na i pastro zemrat nga gjynahet që të jemi afër Teje në Ditën e Gjykimit!
Dr. Fatmir Strumi
Dosje: shikimi i Allahut
Të Ngjashme
- Komenti i librit “Sëmundja dhe Ilaçi” – 11 – Ibn Kajim el-Xheuzije
- Komenti i librit “Sëmundja dhe ilaçi” – 10 – Ibn Kajim el-Xheuzije
- Komenti i librit “Sëmundja dhe ilaçi – 9 – Ibn Kajim el-Xheuzije
- Komenti i librit “Sëmundja dhe ilaçi” – 8 – Ibn Kajim el-Xheuzije
- Komenti i librit “Sëmundja dhe Ilaçi” – 7 – Shejh Dr. Abdurrezak El-Bedr