Problemi i njerëzve me dy fytyra

October 24, 2024

Profeti Muhamed sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ndër njerëzit më të këqinj do të gjeni ata me dy fytyra.” Çfarë është një person me dy fytyra? Është ai që paraqitet me një fytyrë për njërën palë dhe me një fytyrë tjetër për palën tjetër. Sherri i këtij njeriu është shumë i madh, sepse një person i tillë vjen tek dikush me pamjen e një miku dhe këshilluesi të mirë ndërkohë që zemra e tij përmban qëllime të kundërta.
Ai vepron si ndërmjetës për të pajtuar dy persona, por në të vërtetë punon për të forcuar përçarjen dhe armiqësinë mes tyre. Dëmi i tij ndaj njerëzve është shumë i madh dhe përbën një të keqe të jashtëzakonshme. Profeti Muhamed sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Ndër njerëzit më të këqinj do tiëgjeni ata me dy fytyra, që vijnë tek një palë me një fytyrë dhe tek pala tjetër me fytyrë tjetër.”
Për shembull; ky person mund të shkojë tek dikush dhe ta lavdërojë, por kur largohet dhe takon dikë tjetër fillon ta përgojojë atë. Ai përdor këtë mënyrë sjelljeje duke pasur një fytyrë të dukshme, dhe një tjetër të fshehur për të përhapur përçarje dhe armiqësi midis njerëzve. Kjo është veçoria e një thashethemexhiu. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Thashethemexhiu nuk do të hyjë në xhenet.” Kjo është një sjellje e rrezikshme për shoqërinë dhe dëmi që shkakton është i madh.
Këtë e përmendi Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur foli për faktin se njerëzit janë si mineralet; disa prej tyre kanë natyrë të mirë dhe të ndershme, gjithmonë kërkojnë të mirën edhe kur ishin në periudhën e injorancës (para Islamit). Edhe pse nuk ishin muslimanë ata ende dëshironin të nderonin njerëzit, ishin mikpritës dhe kërkonin të bënin të mira si p.sh.ndihma për të tjerët. Nga ana tjetër disa njerëz kanë natyrë të keqe, edhe pse janë muslimanë por që Islami i tyre është i dobët ata kërkojnë të keqen, kërkojnë përhapjen e armiqësive siç u përmend për personin me dy fytyra i cili përhap armiqësi dhe urrejtje midis njerëzve.
Siç u tha më parë, njerëzit janë si mineralet; disa kanë natyrë të mirë ndërsa të tjerët kanë natyrë të keqe. Kushdo që ka një natyrë të mirë para Islamit, ka bërë vepra të mira dhe pastaj pranon Islamin si fe dhe pas kësaj merr dije në fe, ai me këtë do bashkojë për vete të mira të shumta. Nga ana tjetër, personi më i keq është ai që Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e përshkroi si person me dy fytyra, i cili ka natyrë të keqe dhe nuk ka asnjë shqetësim tjetër përveçse t’u afrohet njerëzve me fytyra të ndryshme. Nga kjo sjellje burojnë shumë të këqija dhe dëme të mëdha të cilat vetëm Zoti i di.

Autor: Abdurrezak el Bedr

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...