Profeti Muhamed (alejhi selam) dhe xhamia Aksa

May 27, 2021

Profeti Muhamed (alejhi selam) dhe xhamia Aksa

…. vijon nga shkrimi i kaluar me titull “Vlera e Xhamisë Aksa”.

4- Profeti ynë Muhamedi -alejhi selam- ka udhëtuar për në xhaminë Aksa për t’u falur në të, pastaj prej saj është ngjitur për në qiejt e lartë.
Xhamia Aksa mban gjurmët e Profetit tonë -salallahu alejhi ue selam, sepse ai na ka njoftuar se e ka ndërmarrë një udhëtim të tillë për në atë vend me urdhërin e Allahut dhe nën shoqërinë e Xhibrilit -alejhi selam.
Për këtë ngjarje ka folur Kurani dhe Suneti.

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “I Lartësuar qoftë Allahu i Cili e mori robin e Tij në udhëtim natën, nga Xhamia e Shenjtë (Qabja) për në xhaminë e Aksas rreth të cilës kemi hedhur begatinë Tonë.” Suretu El-Isra: 1.
Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në komentimin e ajetit thotë:
“Ajo xhami është Bejtul-Makdis apo Ilija. Është vendi i profetëve që prej Ibrahimit të dashurit të Allahut, prandaj ata u mblodhën të gjithë atje dhe ai u priu në vendin dhe shtëpinë e tyre. Kjo tregon se ai është prijësi i madh dhe udhëheqësi i dalluar -paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi të gjithë profetët!“
Detajet e këtij udhëtimi kanë ardhur edhe në hadithet profetike!
Enes bin Malik -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Më erdhi Xhibrili me Burakun i cili është një lloj kafshe e bardhë e gjatë, më e madhe se gomari dhe më e vogël se mushka, e cila vinte thundrën atje ku i arrinte shikimi. Unë hipa mbi të derisa erdha te Bejtul Makdisi dhe e lidha te hallka ku i lidhnin profetët. Pastaj hyra në xhami dhe fala dy rekate. Pastaj më erdhi Xhibrili me dy enë njëra me verë dhe tjetra me qumësht, dhe unë zgjodha qumështin. Ai më tha: Zgjodhe natyrshmërinë e pastër (Islamin). Pastaj u ngjita për në qiell …”. Transmeton Muslimi.

Udhëtimi i Profetit (alejhi selam) për në Xhaminë Aksa, lidhja e Burakut tek vendi i profetëve, falja në xhaminë e ndërtuar nga profetët e Beni Israilëve dhe bashkimi i tyre për tu falur pas tij, tregon mes të tjerash për vlerën e Xhamisë Aksa dhe për vlerën e Profetit tonë -salallahu alejhi ue selam- për të cilin ishin në dijeni profetët para tij dhe umetet e tyre.
Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Përkujto kur Allahu u mori besën profetëve: Për shkak të asaj që u kam dhënë prej librit dhe urtësisë më pas do të vijë një profet që vërteton atë që keni, do t’a besoni dhe do t’a përkrahni! Ai u tha: A e pohoni këtë gjë për të cilën më keni dhënë besën? Ata thanë; Po. Ai u tha: Atëherë dëshmoni, dhe unë bashkë me ju jam prej dëshmuesve.” Suretu Ali Imran: 81.

Ali bin Ebi Talib dhe Ibn Abasi -radiallahu anhuma- thonë:
“Nuk ka dërguar Allahu ndonjë profet prej profetëve veçse u ka marrë besën; Nëse do t’a dërgoj Muhamedin dhe ai është gjallë, do t’a besojë dhe t’a përkrahë. Pastaj e ka urdhëruar që t’ua marrin këtë besë umetit të tyre: Nëse do t’a dërgojë Muhamedin dhe ata janë gjallë, t’a besojnë dhe t’a përkrahin atë.” Transmeton Buhariu dhe Taberiu.

Dr. Abdullah Nabolli

Dosje:

Loading...