Projekte të sugjeruara për librin “Sëmundja dhe Ilaçi” – 3 –

May 24, 2025

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, i vetëm dhe pa ortak. Dëshmoj gjithashtu se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij.

Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, familjen dhe mbi të gjithë shokët e tij.

Në vijim…

Si konfirmim i asaj që u përmend më herët dhe për të theksuar rëndësinë e këtij libri madhështor, dhe nevojën e domosdoshme për të – qoftë për ta lexuar, për t’u thelluar në të dhe për të përfituar nga përmbajtja e tij madhështore, dobitë e tij të çmuara dhe thesaret e tij të rralla – ne e përmendëm më parë se ky libër i bekuar u ka sjellë dobi shumë njerëzve. Ka qenë shkak për udhëzimin e tyre dhe gjithashtu për qëndrueshmërinë në fe, për shkak të përmbajtjes së tij, shpjegimeve të forta, këshillave të çmuara dhe përfitimeve madhështore që i ndihmojnë muslimanët të njohin të vërtetën dhe të përqëndrohen në të.

Gjithashtu kemi përmendur më parë se dijetarët e kanë lavdëruar këtë libër, e kanë rekomanduar, kanë këshilluar për leximin e tij dhe për përfitimin prej tij, dhe i kanë nxitur njerëzit për të.

Ky është një libër që përmban mirësi të mëdha dhe dobi të bollshme. Për këtë arsye, e shfrytëzoj këtë rast – rastin e mirësisë që Allahu na ka mbledhur së bashku dhe na ka dhënë mundësinë për ta lexuar dhe për të përfituar prej tij – e shfrytëzoj këtë rast për të propozuar disa projekte daveti (thirrjeje) që kanë të bëjnë me këtë libër.

Secili mund të marrë pjesë sipas asaj që Allahu i Lartësuar ia ka lehtësuar:

Projekti i parë: Të dhurohet ky libër, në formë fizike ose si kopje elektronike – dhe e dyta është më e lehtë dhe më praktike.1

Bashkë me dhuratën, të bëhet nxitje për leximin dhe përfitimin nga përmbajtja e tij, si dhe të theksohet dobia dhe e mira e madhe që përmban. Ka kopje elektronike të mira dhe të qarta të librit, të cilave mund t’u vendoset një link dhe të dërgohen përmes pajisjeve të komunikimit, së bashku me nxitjen për leximin e tij.

Projekti i dytë: Të zgjidhen përfitime (thënie, pasazhe) nga libri në mënyrë ditore ose javore, dhe të shpërndahen për një numër të madh njerëzish. Kjo ka dy dobi:

Së pari: Përfitojnë drejtpërdrejt nga këto dobi.

Së dyti: U lind dëshira për të lexuar vetë librin.

Sepse kur dikush merr një dobi të çmuar dhe i thuhet se është nga ky libër, pastaj merr një tjetër dhe një tjetër, dhe e sheh se janë me vlerë, ai ka për ta dashur librin, do vihet në kërkim të tij dhe do ta lexojë, dhe kështu ti bëhesh shkak për ta ndihmuar në këtë rrugë.

Projekti i tretë: Lidhet me hoxhallarët që mbajnë hutbe. Ky libër përmban pjesë të shumta që mund të nxirren, të përmblidhen dhe të përdoren si hutbe të xhumasë sepse janë të prekshme dhe jashtëzakonisht të dobishme.

Këshilloj hoxhallarët të përfitojnë prej këtij libri të çmuar dhe të bekuar, në përgatitjen e temave të ndryshme për hutbet e tyre gjatë disa të premteve.

Projekti i katërt: Përkthimi i këtij libri në gjuhë të ndryshme. Kush ka aftësi për përkthim, le të kërkojë ndihmë nga Allahu i Madhëruar dhe le ta konsiderojë këtë si pjesë të veprave të tij të mira me të cilat afrohet tek Allahu i Lartësuar.

Le të punojë për ta përcjellë përmbajtjen e dobishme të këtij libri duke e përkthyer në gjuhën e popullit të tij.

Sa i përket shpërndarjes, nëse nuk mundësohet botimi në formë fizike, atëherë mund të shpërndahet përmes mjeteve moderne të komunikimit, të cilat e bëjnë më të lehtë, më të shpejtë dhe më të mundur shpërndarjen.

Projekti i pestë: Lidhet me prindërit në shtëpi. Ky libër duhet të jetë pjesë e bibliotekës familjare, veçanërisht gjatë pushimeve verore. Ta kenë të disponueshëm në shtëpi dhe të planifikojnë mënyrën më të mirë për ta lexuar së bashku me familjen – me bashkëshorten dhe fëmijët: djemtë dhe vajzat.

Kjo mund të realizohet përmes një konkursi shkencor, një gare midis anëtarëve të familjes, ose përmes organizimit të rregullt të mbledhjeve të lexim-kupimit të librit, duke vendosur shpërblime dhe nxitje për pjesëmarrje.

Kjo sjell dobi të madhe, me lejen e Allahut të Madhëruar, dhe ndihmon në përmirësimin e familjes dhe edukimin e fëmijëve, veçanërisht në këtë kohë kur fëmijët dhe vajzat janë shumë të ekspozuar ndaj sprovave përmes mjeteve moderne që përhapin imoralitet, epshe dhe ndalesa.

Sa shumë kanë nevojë që të orientohen tek ky libër madhështor, i cili, nëse Allahu ia mundëson dikujt ta lexojë dhe të përfitojë prej tij, bëhet për të mjet sigurie dhe shpëtimi, me lejen e Allahut, nga të këqijat dhe shkatërrimet!

Projekti i gjashtë: Konkurset shkencore. Ky projekt është frytdhënës. Prandaj rekomandohen shoqatat, qendrat fetare dhe institucionet e edukimit dhe udhëzimit të organizojnë konkurse mbi këtë libër. Me ndihmën e Allahut të Madhëruar, edhe ne së shpejti do të shpallim një konkurs shkencor gjithëpërfshirës mbi këtë libër, me pyetje të përgatitura dhe shpërblime të çmuara dhe tërheqëse.

E gjithë kjo bëhet për të bashkëpunuar në përhapjen e këtij libri dhe këtyre dobive të mëdha që përmban ky libër i bekuar dhe madhështor.

Projekti i shtatë: Botimi i këtij libri. Kjo u përket atyre që kanë pasuri dhe kanë dëshirë për mirësi – le të kërkojnë ndihmë nga Allahu i Lartësuar dhe të sigurojnë kopje të shumta për studentët e dijes, për njerëzit dhe për masat e gjera të muslimanëve.

Ky libër u përshtatet të gjithëve: dijetarit, mësuesit, studentit fillestar – sepse është një libër që trajton çështje të zemrës, këshilla dhe rrëfime shpirtërore, kujtime për fundin dhe paralajmërime nga mëkatet, si dhe shpjegon rrezikun e tyre. Gjithashtu përmban mësime për mendimin e mirë për Allahun, lidhjen me Të, mbështetjen tek Ai, dhe teuhidin (njëshmërinë e Allahut), dhe çfarë rrjedh nga e gjithë kjo: qëndrueshmëri dhe shpëtim nga sprovat dhe të këqijat.

Përmbledh dobi të mëdha që çdo musliman ka nevojë për to dhe janë jetike për të.

Projekti i tetë: Ky projekt ka të bëjë me nxënësit e dijes që do të kthehen në vendet e tyre pas përfundimit të studimeve – duke u lutur që Allahu t’i ruajë dhe t’i bekojë në pushimet e tyre – i porosis që ta kenë këtë libër si projekt gjatë pushimit veror, duke mbledhur rreth tij kë të munden nga banorët e lagjes, xhematin e xhamisë apo institutin me të cilin janë të lidhur.

Ta lexojnë librin dhe të komentojnë mbi të sa të munden.

Nëse vendi i tyre është jorarabofolës, atëherë t’ua lexojnë librin dhe t’ua përkthejnë.

Kështu, ky libër bëhet projekt për nxënësin e dijes gjatë pushimit të tij veror për ta lexuar dhe për të përfituar bashkë me nxënësit e tjerë të dijes në xhaminë apo institucionin me të cilin është i lidhur, ose në çdo formë tjetër të mundshme.

Projekti i nëntë: Ta dhurosh librin për imamët dhe hoxhallarët e xhamive.

Ky është një veprim shumë i dobishëm dhe prej dhuratave më të vlefshme.

Kur ia dhuron një personi që mban hutbe ose imamit të xhamisë në vendin tënd një kopje të këtij libri dhe e nxit ta lexojë – qoftë duke e lexuar para njerëzve, apo duke përgatitur hutbe prej tij – sa shumë të mira do të fitosh nëse ai fillon të veprojë sipas këshillës tënde!

E nëse më përmend edhe mua dhe i thua: “Filani (pra unë) po të inkurajon gjithashtu për këtë”, do të doja të isha bashkë me ty në këtë shpërblim dhe mirësi të madhe, të cilën ia kërkojmë Allahut të na e lehtësojë.

Projektet janë të shumta, por këto që përmenda janë derë që të hapin rrugën për projekte të tjera, dhe këto që përmenda janë dëshmi edhe për ato që nuk i kam përmendur.

Mbërrijmë tek një projekt i fundit, pikërisht tek dikush që mund të thotë: “Asnjërin prej këtyre projekteve nuk e kam të mundur.”

Unë i them: Mos ua kurse vëllezërve të tu lutjen!

Çdokush që e ka bërë nijet – unë i bëj thirrje të gjithë vëllezërve – që secili të bëjë nijetin dhe vendosmërinë për të marrë pjesë qoftë dhe në njërin prej këtyre projekteve.

Për atë që nuk gjen rast ose ka vështirësi për të marrë pjesë, le të angazhohet në lutje për vëllezërit e tij, dhe të thotë: “I lutemi Allahut të i ndihmojë këta vëllezër dhe t’i begatojë.”

Le të lutet për ta në fshehtësi që Allahu t’u sjellë dobi dhe të mira.

Vërtet, o vëllezër, kjo është dëshira e përbashkët e të gjithëve: të bashkëpunojmë për përhapjen e këtij libri, që të jetë ndihmë për njerëzit që të pakësojnë mëkatet ose të pendohen prej tyre, sepse ky libër në të vërtetë ndihmon.

Ata që përhapin të keqen dhe shthurjen bëjnë përpjekje të mëdha për të përhapur devijimin, për të ndezur epshet dhe për të ftuar në mëkate dhe vepra të neveritshme.

Ndërsa njerëzit e së vërtetës janë më të denjë që të punojnë për përmirësimin e tokës.

Dhe ky libër është nga më të mirët në fushën e përmirësimit, edukimit, paralajmërimit nga mëkatet dhe sqarimit të rreziqeve dhe dënimeve të tyre.

Ibn Kajimi, në këtë libër, ka folur për dënimet e mëkateve me një mënyrë që tremb, kur lexuesi lexon për pasojat e mëkateve njëri pas tjetrit, zemra e tij mbushet me frikë nga mëkatet. Dhe njerëzit kanë shumë nevojë për këtë.

I lutem Allahut të Lartësuar, me Emrat e Tij të Bukur, që t’i bekojë këto projekte që i përmenda dhe që t’i ndihmojë të gjithë për atë që ka në të dobi dhe mirësi.

E theksoj edhe një herë: çdokush që po na dëgjon tani, qofshin të pranishëm apo përmes transmetimit, të vendosë me sinqeritet që të marrë pjesë në një ose më shumë nga këto projekte, dhe le të lutemi të gjithë për veten dhe për njëri-tjetrin për ndihmë, sukses dhe drejtim, dhe që Allahu, i Lartësuar ta përhapë këtë mirësi dhe dobi të madhe.

Allahu na ndihmoftë të gjithëve, na udhëzoftë dhe na frymëzoftë drejtësinë, dhe na bëftë çelësa të së mirës e pengues të së keqes, me mirësinë dhe bujarinë e Tij.

 

Komenti i librit “Sëmundja dhe ilaçi”.

Shejh Abdurrezak el Bedr (Allahu e ruajtë)

Përshtati: Fatjon Isufi

————————————————————-

1. Libri është i përkthyer në gjuhën shqipe por nuk gjendet si kopje elektronike. Shpresojmë që botuesi ta mundësojë edhe si libër elektronik pasiqë dobia dhe përfitimi prej tij do jetë më i madh! Sh.p

Dosje: ,

Loading...